Teatri i Gjilanit e nis me këmbë të mbarë “Talia-n e Flakës”

20.01.2012 (komentet: 0)

Publiku dhe kritika ka mirëpritur jashtëzakonisht fortë shfaqjen premierë të Teatrit të Qyteti të Gjilanit “Mon Liku”, të Anton Ndrecajt me regji të Ilir Bokshit, duke i vlerësuar tri themelet e një shfaqje, dramaturgjinë, regjinë dhe aktrimin, me urimin që kjo nismë e mbarë e Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, që u bë nga gjilanasit, të vazhdojë tutje edhe me shfaqjet e teatrove tjera, që do vijnë në mbrëmjet tjera të Festivalit.


Paraprakisht, në skenën e vogël të Teatrit është bërë hapja solemne e Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, të cilin e bëri kreu i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, duke thënë se Manifestimi “Flaka e Janarit”, po forcohet në të gjitha aspektet.

Sipas tij organizmi është i mirë, ku për çështje përmbajtjesore janë kujdesur vetë përgjegjësit e shtyllave kulturore. Ai kërkoi që prurjet e “Flakës...”,  të jenë origjinale dhe më të mirat e mundshme në dymbëdhjetë muajt e fundit dhe kështu besoj se ka ndodhur tha ai. 

Mustafa,tha se janë munduar si Komunë e Gjilanit, së bashku me Qeverinë e Kosovës, konkretisht Ministrinë e Kulturës, që të kujdesen  dhe të asistojnë financiarisht mirë.

“Qëllimi i atëhershëm i themelimit të “Flakës së Janarit”, ishte  rikujtimi i dëshmorëve dhe rritjes së idesë për çlirim,  Derisa ideja e parë ishte për çlirim, tjetra është sjellja e vlerave për shtet-ndërtim”, tha Mustafa. I cili duke e shpall Festivalin e Dramës Shqipe të hapur, uroi që të ecën mire, sepse, sipas tij,  tashmë është trasuar dhe duhet avancim e profesionalizëm.

Më pas, në skenën e Teatrit të Gjilanit  u vu shfaqja e parë e këtij festivali “Mon Liku”,  nga Anton Ndreca, me regji të Ilir Bokshit, e në të cilën  luajtën: Ard Islami (Mon Liku), Safete Mustafa (Liza-studentja e letërsisë), Emine Toska (qiradhënësja), Bashkim Nexhipi (polici- Qaza), Sabedin Shahiqi (prifti), Njomza Kalaveshi (psikiatri), Gyner Halili (Shekspiri-krimineli) dhe Shkëlzen Berisha(karakteri mediatik - folësi). 

Përndryshe, shfaqja “Mon Liku”, doli të jetë një komedi e lehtë, mjaftë argëtuese që komunikojë mirë me publikun, me skena komike  dhe me një lojë të mirë skenike të aktorëve, në të cilat reagonte mirë publiku.

Publicisti Nijazi Ramadani, i cili ndoqi me  kërshëri shfaqjen, ka thënë se kjo shfaqje ishte e afërt me realitetin, me jetën e hidhur të një shkrimtari  të quajtur Mon Liku, i cili  përballet me zhgënjimin nga mohimi institucional i shkrimeve të tija, që nuk botoheshin, andaj përmes tentativës për vetëvrasje, donte të ik nga kjo botë, ku  dominon komercializmi e jo vlera.

Ramadani tha se mbeti  i impresionuar me lojën e aktorit kryesor, Ard Islami (Mon Liku) i cili barti barrën kryesore të shfaqjes, por së bashku edhe me Safete Mustafën (Liza-studentja), ishin si dy violina  të një orkestre që bashkë edhe me aktorët e tjerë, nën orkestrimin e regjisorit Ilir Bokshi, luajtën një simfoni të mrekullueshme.

Përndryshe, ashtu siç është bërë zakon në “Talia...”, pas shfaqjes u mbajt debati për të, nën udhëheqjen e dramaturgut Nebi Islamit, me këtë rast aktori Mirush Kabashi  urtoi që kjo nismë e mbarë e Festivalit të vazhdojë kështu  edhe me shfaqje të tjera .

Kabashi tha se ishte një komedi e këndshme me një humor intelektual, një humor  bashkëkohorë , që erdhi në skenë përmes kësaj shfaqje ku aktorët ishin të mrekullueshëm. Ai tha se kjo shfaqje ishte një gjetje e mirë edhe nga shkrimtari edhe nga regjisori. 

Ai vlerësoi edhe aktorin Ard Islami në rolin e Mon Likut, që tha se është vërtetë një talent.Naser Shatrolli dramaturg , vlerësoi autorin e shfaqjes Anton Ndrecajn  sikundër edhe regjinë, aktrimin por edhe pjesët tjera që e kompletojnë një shfaqje si skenografia , kostumografia, muzika, efektet ...

Ai tha se në këtë shfaqje arriti ta sheh dorën e regjisorit në çdo pjesë, vlerësoi aktorin e rolit kryesor , Ard Islamin si një flakadan të shfaqjes,  për të dhënë vlerësimin e përgjithshëm se “Mon Liku”  ishte një performancë e kompletuar.

Qamil Sahiti i cili kishte ardhur nga nga Vushtria për të parë këtë shfaqje, përgëzoi Gjilanin për organizimin e këtij Festivali,  derisa për shfaqjen  tha se dinamizmi nuk mungojë për asnjë moment dhe loja e aktorëve ishte e mirë, derisa aktorja Aurita Agushi tha se është shumë e kënaqur me atë çfarë ofruan sonte kolegët e saj,  e me shfaqjen u nda e kënaqur si artdashëse  edhe Liridona Mehmeti, derisa Ylber Nuredini tha se loja e aktorëve ishte e natyrshme dhe u krijua një marrëdhënie e shkëlqyer e trupës teatrale.

Regjisori i kësaj shfaqje Ilir Bokshi tha se  do të donte të kishte pas më tepër kohë  në përgatitjen e kësaj shfaqje, ndërkohë që vlerësimin për atë që u shfaqë në skenë ua la në dorë publikut dhe kritikës. 

Debatin e përmbylli dramaturgu Nebi Islami i cili tha se shfaqja “Mon Liku” ishte një shfaqje efektive ku vlerësoi tri shtyllat që e përbëjnë një shfaqje: dramaturgjinë, regjinë dhe aktrimin që sipas tij kanë funksionuar mirë,  ndërkohë që tha se do të donte një ngjeshje më të mirë tek disa karaktere.  

Përndryshe, me një minutë heshtje është nderuar i ndjeri Adriatik Kalulli,  kritiku i cili, për disa herë me radhë ishte pjesë e Festivalit “Talia...”, duke qenë, me kritikën e tij, pjesë e pandashme e debateve mbi shfaqjen  dhe Festivalin në përgjithësi,  të cilat priteshin jashtëzakonisht mirë nga  artdashësit.

Ndryshe, të premten prej orës 19:00, publiku mund ta ndjekë shfaqjen e dytë  “Netë Shqiptare”, nga Teatri Shqiptar i Shkupit, me autorë; Kuteli, Konica, Çeta, e me  regji nga Anton Kaca. 

Po të premten në  mesditë ,do të kemi ligjëratën e parë  nga Milto Kutali, ligjërata këto që do të jenë të përditshme, e ku ditëve tjera do të mbahen nga  Nebi Islami, Enver Petrovci e Bashkim Hoxha. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment