“Të rinjtë mund ta projektojnë të ardhmen”, thotë Erza Klaiqi

15.03.2017 (komentet: 0)

 

Erza Klaiqi, është nxënëse e klasës së nëntë në Shkollën Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan, ku përveç suksesit të shkëlqyeshëm në mësime, kohën e saj e ndanë edhe për aktivitete të tjera si: projekte vullnetare, gara, kurse e kontribute që ajo jep për shkollën dhe shoqërinë në përgjithësi.

 

Erza ishte përfaqësuese e shkollës në garat e lëndës së Kimisë në vitin 2015-2016, 2016-2017 dhe disa herë në Olimpiadën e matematikës. Përveç lëndëve shkencore, ajo merr pjesë në garat individuale të anglishtes në po këto dy vite si në ato teorike dhe në shkrimin e eseve.

Në garën e fundit të anglishtes, Erza u dekorua me mirënjohje “Silver”. E pasioni për gjuhët e huaja ka bërë që ajo të mos e ndalojë interesimin vetëm për anglishten, kjo pasi ajo ka njohuri dhe kupton disa gjuhë të tjera.

Të gjithë aftësitë e saja dhe njohuritë e absorbuara ndër vite, Erza nuk ngurron t’i shpërndaj me të tjerët, me bashkëmoshatarët dhe me shoqërinë në përgjithësi përmes formave dhe aktiviteteve të ndryshme, shkruan 2LONLINE.com.

Ajo aktualisht është kryetare e klasës për të dytin vit radhazi, me rizgjedhje. Nga besimi që fitoi në klasën e saj, Erza mori udhëheqjen e shkollës si kryetare e Shkollës Fillore “Abaz Ajeti”, në Gjilan, kurse vitin e kaluar ishte nënkryetare e saj.

Përveç, sukseseve të dëshmuara në klasë e në shkollë, ajo vazhdon të jetë një përfaqësuese e denjë e fëmijëve në Komunën e Gjilanit, pasi nga viti 2015 është sekretare e Asamblesë Komunale të Fëmijëve në Komunën e Gjilanit dhe kryetare e Këshillit Rinor të Komunës së Gjilanit.

Erza tregon se çelësi i suksesit të saj vazhdon të jetë dëshira për të arritur më të mirën, vendosmëria dhe vullneti për punë.

Ajo është pjesë edhe e Grupit të Ekologëve të Gjilanit, me të cilët realizojnë aktivitete në shërbim të shoqërisë, ruajtjes së ambientit, aktivitete artistike, pastrime kolektive dhe të tjera.

Erza ka pasion edhe punën vullnetare dhe humanizmin për të cilën asnjëherë nuk kursehet, duke e cilësuar si vlerë njerëzore e pjesë të pandashme të saj. Hulumtimet dhe interesimi për të mësuar gjëra të reja nuk mungon asnjëherë, prandaj ajo është gjithmonë në hap me kohën, trendët e fundit, zbulimet, filmat dhe librat më të lexuar.

Talenti edhe për të shkruar, e për ta shprehur vetveten, përmes vargjeve e shoqëron tash e disa vite, kurse ka pasion edhe për sportin, të cilin e sheh si pjesë të rëndësishme e shëndetit të njeriut.

Si një e re, Erza Klaiqi, pa diskutim se nuk e ka ndërmend të ndalojë së punuari për të ardhmen e saj. Si një vajzë vizionare dhe me karakter të fortë, ajo, edhe pse filloriste dhe e pret shkolla e mesme, ajo qysh tani mendon për profesionin e saj dhe pretendon të orientohet drejt në shkollimin e mesëm e pastaj të studiojë mjekësinë dhe të specializohet në njërën nga profilet, atë të kardiologjisë apo pediatrisë. Së paku kjo ide, tanin për tani, i fle në shpirt.

Ajo është e vetëdijshme për barrierat që mund t’i shfaqen në rrugëtimin e saj gjatë shkollimit të mëtutjeshëm sikundër edhe gjatë studimeve dhe pas diplomimit, por është e bindur e bindur se me përkushtim, vullnet dhe optimizëm, do t’ia del realizimit të ëndrrës së saj.

Profesionit që i synon qysh tani si filloriste janë me peshë dhe përgjegjësi të madhe, por ajo thotë se nuk do ta kishte fare problem të punojë, shembull në kardiologji, një nga profesionet e synuara nga ajo, e ku shpesh në duar të mjekëve të tillë vihet jeta e njerëzve apo edhe e fëmijëve kur është në pyetje profesioni tjetër.

Kjo nuk e dekurajon atë, përkundrazi i jep forcë për të qenë e dobishme për të tjerët edhe kur është në pyetje shëndeti. Ajo shpreson se vendi mund të ndryshojë për të mirë, vetëm me njerëz të rinj, të suksesshëm e syçelë në punën që bëjnë.

Erza theksoi se e ardhmja e saj do të jetë në Kosovë dhe, edhe nëse do të ndodh që të vazhdojë shkollimin e mesëm dhe më pas edhe të studiojë diku jashtë vendit, për të, kontributi në vendlindje dhe aty ku njerëzit e saj kanë më së shumti nevojë, do të jetë gjithmonë në prioritetet e saj.

Në fund Erza Klaiqi ka një porosi për bashkëmoshatarët:

“Jini vizionarë dhe të vendosur në atë që doni. Unë jam një e re dhe ju gjithashtu, së bashku mund ta bëjmë një vend që para nesh e ëndërruan, ne e menduam dhe pas nesh do ta jetojnë. Krenaria për atë që jemi mos të na mungojë, mos të mbizotërojë vetëkënaqësia dhe sipërfaqësorja, por të dominoj ideali dhe ëndrra, të shoqëruara nga këmbëngulja e vigjilenca”. /E. Sh/2lonline/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment