Të moshuarit e diasporës janë në hall !

04.05.2012 (komentet: 0)

Gjithnjë e më shumë është e theksuar dilema e të moshuarve në diasporë se ku do ta kalojnë pleqërinë pas pensionimit. Të qëndrojnë në vendet e Evropës Perëndimore ku kanë kaluar duke punuar shumicën e jetës apo të kthehen në vendet ku kanë lindur dhe ku e kanë kaluar rininë?

image de l'article

 

albinfo.ch - Pensionisti Shaban Krasniqi prej vitesh jeton në Zvicër. Megjithëse ka kaluar të shtatëdhjetat, ai ka vendosur edhe pleqërinë ta përjetojë në kurbet.

Kthimin në vendlindje pas pensionimit e kishte sakrifikuar për shkak të djemve që jetojnë të gjithë në Zvicër.Por, edhe thotë të mos jetë bërë pishman, ngase standardin e tillë ende nuk mund ta imagjinojë në Kosovë.

Plaku me prejardhje nga Gjilani asnjëherë nuk ka menduar për ta kaluar pleqërinë në shtëpinë e pleqve.

„Për shqiptarët ende është herët të zateten në shtëpi të pleqve, por po vjen edhe ajo kohë, mos bani dert“, tha Shabani. Shumica e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër mezi presin pensionimin e tyre për t’u kthyer nga kishin ardhur.

Disa prej tyre po e kalojnë pleqërinë me “zor” në mërgim, për faktin se nuk e kanë askënd në Kosovë për të siguruar përkujdesjen e nevojshme. Çuditërisht në asnjë variant nuk vjen në konsiderim shtëpia e pleqve për shqiptarët në Zvicër, e aq më pak në Kosovë.

Të paktën albinfo.ch në asnjë vend të Zvicrës nuk ka hasur në ndonjë mërgimtar shqiptar, i cili ka vendosur ta kalojë pleqërinë në ndonjë shtëpi pleqsh, ku ofrohen kushte të cilësisë së lartë jetësore. 
 
Ndryshe e sqarojnë këtë fenomen ekspertët që punojnë me këtë kategori njerëzish në Zvicër.

Ilir Bytyçi, i cili prej vitesh ofron përkujdesje shëndetësore për pleqtë në institucionin Mediko-Social ,,Parc de Valency“ në Llozanë, tha për albinfo.ch se edhe shqiptarët do të ndjekin rrugën e komuniteteve të tjera në Zvicër. Sipas tij, është vetëm çështje kohe.

 

 

  „Pavarësisht nga bindjet tona kulturore dhe vizioni negativ që kemi për t’u vendosur në një institucion mediko-social, i njëjti rrugëtim do të na ndjekë sikur ai i komuniteteve të tjera, në veçanti ai italian, si komunitet më i hershem në Zvicër“, tha Bytyqi.

„Pikëpamjet tona do të ndryshojnë në të mirë, kuptohet atëherë kur të gjitha mundësitë e qëndrimit në shtëpi janë shuar, kur qëndrimi për shkak të shëndetit apo invaliditetit nuk është i mundur dhe nuk garanton jetë të sigurt gjatë kujdesit shtëpiak“, tha shefi i personelit mjekësor në ,,Parc de Valency“ në Llozanë.

Ai këshillon të moshuarit shqiptarë të mendojnë edhe për institucionet mediko-sociale.

„Aty bëhet një jetë shumë e mirë dhe institucionet në Zvicër i plotësojnë të gjitha nevojat për këtë kategori të njerëzve. Kjo është vërtetuar se personat e moshuar në institucione jetojnë më gjatë sesa ata në shtëpi, për shkak të kujdesit, parandalimit të sëmundjeve, kontrollimit shëndetësor, të ushqyerit e ekuilibruar, aktiviteteve fizike e sociale (ushtrimet e memories, socializmi etj.), me një fjalë, kualitet më të mirë të jetës“, tregon Bytyqi për kushtet që ofrohen në institucionet mediko-sociale në Zvicër.
 
Por kthimi nuk është edhe aq i lehtë në pleqëri nëse pjesa tjetër e familjes mbetet në Zvicër. 

„Do të jetë e vështirë nëse anëtarët e tjerë mbeten në mërgatë, fëmijët e tyre, nipat e mbesat. Do të jetë më theksuar nostalgjia për përjetimet në mërgim. Por, kur kemi parasysh mundësitë e sotme të udhëtimit, ekziston mundësia sa herë që donë  të vizitojnë pjesën tjetër të familjes në mërgim, dhe kjo lehtëson riadaptimin e tyre në atdhe“, thekson Bytyqi.

Të gjithë ata që nuk kanë së paku njërin nga fëmijët në atdhe, sipas ekspertëve mediko-social është shumë i vështirë riadaptimi në vendlindje.

„Rreziku nga izolimi dhe nga malli për familjen në mërgatë, mungesa e ngrohtësisë, afërsisë me fëmijët, rejat, nipat e mbesat në mërgim, mund të jenë faktorë të çrregullimeve te mëdha fizike dhe psikike“, këshillon Bytyqi.

Për infermierin shqiptar në Zvicër, Ilir Bytyqi, edhe në Kosovë tashmë është e theksuar nevoja për institucione të tilla, ku do të duhet të gjejnë përkujdesje të duhur njerëzit në moshë të shtyrë.

Këtë pohim e konfirmon edhe rezultati i sondazhit të realizuar nga albinfo.ch.

Kthehu mbrapa

Shto koment