Të mësuarit e vetëkontrollit, zvogëlon përleshjet në klasë

04.09.2013 (komentet: 0)

Fëmijët të cilët e kanë mësuar aftësinë e vetëkontrollit, siç është vëzhgimi dhe shtypja e zemërimit dhe emocioneve tjera, kanë shumë më pak probleme me disiplinën në shkollë.

Studiuesit nga universiteti ‘Rochester Medical Center’, kanë dëshmuar se aftësia e tillë, ka pasoja tejet pozitive në sjelljen në shkollë.

“Është interesant se mentorët e rritur, të cilët nuk janë profesionistë në fushën e shëndetit mental, i mësojnë fëmijët me një varg aftësish, të cilat ndjeshëm forcojnë aftësinë e fëmijëve që të funksionojnë pozitivisht në klasën e tyre dhe të përmbushin pritjet në shkollë”, ka thënë udhëheqësi i studimit, psikiatri Peter Wyman.

Fëmijët që kanë marrë pjesë në këtë program mentorimi, kanë pasur për 50 për qind më pak incidente me disiplinën gjatë hulumtimit tremujor. Përveç kësaj, tek ata janë vërejtur 43 për qind më pak intenca keqdashëse, në krahasim me grupin e fëmijëve të cilët nuk kanë kaluar nëpër këtë lloj mësimi për kontrollimin e ndjenjave negative.

Qëllimi i hulumtimit është të dëshmohet se shkolla mund të bëj shumë tek fëmijët të cilët shfaqin probleme në sjellje dhe në marrëdhëniet shoqërore me bashkëmoshatarët.

Mirëpo, ky hulumtim ka treguar një aspekt negativ i cili duhet të studiohet më tutje, e kjo është se vajzat përmes këtij programi i kanë përmirësuar marrëdhëniet e tyre me bashkëmoshatarët, ndërsa kjo nuk ka ndodhur me djemtë.

“Kemi zbuluar se vajzat kanë më shumë përfitim se sa djemtë kur ka të bëj me përmirësimin e marrëdhënieve me bashkëmoshatarët, ndërsa arsyet janë të panjohura. Ndoshta mund të jetë fakti se mentorë kanë qenë femra, prandaj në të ardhmen pritet kombinimi i mentorëve femra dhe meshkuj”, thuhet në rezultatet e hulumtimit.

Përgaditi: Brikena Azizi

Kthehu mbrapa

Shto koment