Të drejtat e fëmijëve “nuk” po respektohen

17.10.2014 (komentet: 0)

Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve

 

Kosova ende nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Edhe pse gjatë vitit 2013 ka filluar të hartohet një ligj, ai vazhdon të jetë në proces. Numri i rasteve me fëmijë të abuzuar për një vit në Kosovë sillet diku rreth 200. Policia e Kosovës, në vitin 2013, ka intervistuar 66 fëmijë lypsarë dhe pesë kanë rezultuar të jenë të trafikuar.

 

Nga Besarta Maliqi, gazeta Sheshi

 

Fëmijët kanë nevojë të veçantë për mbrojtje. “Njeriu thuhet se e tregon veten kush është në sjelljen e tij me fëmijët”, kjo vlen  për të rriturit, njëlloj sikurse për shoqëritë dhe shtetet.

Kosova është shteti që investon më së paku në rajon në edukimin dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, ndërsa përvojat e hershme të jetesës së fëmijëve janë të dëmshme për ta dhe për shoqërinë në përgjithësi. Ky vlerësim është bërë nga organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Hanumshahe Rexhepi, nga Njësia për të Drejtat e Fëmijëve në kuadër të Komunës së Gjilanit, ka deklaruar se është duke u bërë punë e madhe sa i përket respektimit të të drejtave të fëmijëve me të gjitha format dhe mekanizmat e nevojshëm, por sipas saj, të drejtat e fëmijëve shkelen edhe për shkak të kushteve të rënda socio-ekonomike.

Ismet Azizi, mësimëdhënës në shkollën fillore “Abaz Ajeti”, ka thënë se në mënyrë të vazhdueshme duhet të analizohen rrënjët se nga vjen problemi i shkeljes së të drejtave të fëmijëve.

“Ka përparim të dukshëm në krahasim me të kaluarën. Për fat të keq, fëmijët ende në masë të madhe keqtrajtohen, së pari në familje, por edhe në shkolla e çerdhe. Në komunën e Gjilanit, fëmijëve që në në klasë të parë iu imponohet mësuesi pa dëshirën e tij dhe të prindit. Mendoj se që në fillim ne ia shkelim të drejtën fëmijës me rastin e regjistrimit në klasë të parë. S’ka nevojë tash të merremi me arsyet pse veprohet kështu”, ka thënë Azizi.

Sipas tij, një përparim i madh është arritur sa i përket trajtimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe se ka kaluar koha, shpreson ai, e mbylljes së fëmijve me nevoja të veçanta në shtëpi, duke i fshehur ata nga opinioni.

“Duhet punuar edhe më tepër në shkolla dhe në familje në lidhje jo vetëm me të drejtat e fëmijëve por edhe me obligimin që kanë veçanërisht prindërit ndaj fëmijëve. Prindërit duhen të jenë shumë më të përgjegjshëm për sjelljet e tyre, në shkollë, dhe jashtë shkollës”, ka përfunduar Azizi.

Pse janë të nevojshme të drejtat e veçanta për fëmijët?

Përvoja ka treguar se janë  fëmijët ata të cilët u janë nënshtruar situatave dhe fateve të vështira.

 
  • Në luftërat e dhjetë viteve të fundit janë vrarë mbi 2 milionë fëmijë.
  • Dhjetë milionë fëmijë në mbarë botën, si pasojë e luftërave, bartin dëmtime të rënda psikike.
  • Në rajonet e luftërave jetojnë 30 milionë fëmijë.
  • Fëmijët nën moshën 15 vjeç janë të angazhuar si ushtarë në 26 vende të botës.
   
   
   

Po t'i shtohet kësaj edhe fakti se shumë fëmijë janë të prekur nga uria, mungesa e kujdesit mjekësor, shfrytëzimi seksual, puna etj, bëhet e qartë domosdoshmëria e një trajtimi më të detajuar të nevojave specifike të fëmijëve dhe të të rinjve.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli më 20 nëntor, 1959 , "Deklartën për të Drejtat e Fëmijëve". Që atëherë, 20 nëntori është shpallur Ditë e tëDdrejtave të Fëmijëve. Në hyrjen e deklaratës në fjalë thuhet: "Njerëzimi, u ka borxh fëmijëve gjërat më të mira që ai mund t'ua ofrojë".

   

Çfarë thotë Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve?

1. Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejta të barabarta. Asnjë fëmijë apo i ri, nuk duhet të dëmtohet për shkak të gjinisë, ngjyrës, gjuhës apo besimit të tij.

2. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë të gëzojnë shëndet të plotë dhe tu jepet kujdesi maksimal shëndetësor dhe mjekësor. 

3. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë për arsim fillestar falas. Përveç kësaj, atyre duhet  t'iu mundësohet edhe arsimimi i mëtejshëm.

4. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtën për pushim, kohë të lirë, lojë dhe pjesëmarrje në aktivitete kulturore dhe artistike.

5. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtën e informimit, shprehjes së mendimit të tyre dhe të drejtën për t'u dëgjuar.

6. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtën për një edukim të mirë. Prindërit apo edukatorët e tjerë nuk duhet të përdorin dhun. Keqtrajtimi dhe keqpërdorimi është i ndaluar.

7. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtën e mbrojtjes dhe ndihmës së veçantë në luftë dhe gjatë arratisjes.

8. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtën e mbrojtjes nga puna shfrytëzuese dhe keqpërdorimi seksual.

9. Fëmijët dhe të rinjtë kanë të drejtë të jetojnë me prindërit e tyre dhe të mbajnë kontaktin me të dy prindërit, nëse ata jetojnë të ndarë.

10. Fëmijët dhe të rinjtë e gjymtuar kanë të drejtën e ndihmës dhe përkrahjes së veçantë, si dhe të pjesëmarrjes aktive në jetën shoqërore.

Kthehu mbrapa

Shto koment