“Talia...” vazhdon me shfaqjen “Shembja e Kullës së Ajfelit” - 23 janar 2014

23.01.2014 (komentet: 0)

Natën e tretë të Festivalit të Dramës Shqiptare “Talia e Flakës”, që po mbahet në Gjilan, është prezantuar Qendra Multi-Media e Prishtinës me shfaqjen “Shembja e Kullës së Ajfelit”, e autorit Jeton Neziraj, me regji të Blerta Nezirajt dhe lojën skenike të aktorëve Shengyl Ismaili, Ardian Morina, Ernest Malazogu e Armend Ismajli. Festivali “Talia e Flakës” vazhdon sonte (e enjte) me shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Dëshmitari” e autorit dhe regjisorit Selami Taraku.

“Shembja e Kullës së Ajfelit” është një dramë ku rrëfehet historia e çuditshme e një evropiani, i cili kidnapohet nga dy terroristë islamë, për shkakun se ai këmbëngul që t`ua heq mbulesën nga koka grave myslimane në Paris. 

“Shembja e Kullës së Ajfelit” në të vërtetë është një alternativë për fiksimin ndaj mbulesës dhe hap debatin për një çështje shumë thelbësore mbi nevojën që ta njohësh dhe kuptosh dramën e tjetrit.    

Ngjarja zhvillohet në disa vende e rrethana të ndryshme, që prej Parisit bashkëkohor, në Perandorinë Osmane të vitit 1842, në Ballkan, e deri në Pakistan. 

“Shembja e Kullës së Ajfelit”, është ndër shfaqjet më të mira që janë dhënë deri tani në festivalin “Talia e Flakës” në Gjilan.
Festivali “Talia e Flakës” vazhdon me shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Dëshmitari” e autorit dhe regjisorit Selami Taraku, për t`u përmbyllur të premten në mbrëmje me Teatrin Metropol të Tiranës, që vjen me shfaqjen “Tri mendje në ankand”, e Ferdinand Hysit dhe regji të Elma Doresit.    

Dy netët paraprake janë dhënë shfaqjet “Zonja me maskë” e Teatrit të Gjilanit, e autorit Osman Goranci, me regji të Fatmir Hysenit si dhe “Gishti” i Teatrit Shqiptar të Shkupit, nga Doruntina Basha, me regji të Agon Myftarit.

Të pesë këto shfaqje janë në konkurrencë për çmimet e Festivalit, të cilat i ndahen në bazë të vlerësimit të jurisë profesionale, në përbërje: Rajmonda Bulku, Jahi Jahiu e Aurita Agushi, në përmbyllje të kësaj pjese të manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit”, që është njëra ndër shtyllat kryesore të tij.

Kthehu mbrapa

Shto koment