Sukseset e një shkolle varen nga një plan i mirë zhvillimor

17.03.2015 (komentet: 0)

Drejtoria e Arsimit në Gjilan, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, ka organizuar të martën një takim me drejtorë të shkollave fillore të kësaj komune, ku janë prezantuar planet zhvillimore shkollore për vitin 2014/2015.

 

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se GIZ dhe zonja Dagmar Fuchs Schmit, janë duke dhënë një kontribut të çmueshëm në fushën e arsimit në Kosovë, përshirë edhe Gjilanin, ku po ecim me hapa të sigurt drejt një arsimi cilësor, duke u bërë të aftë që t`i përballojmë sfidat e shekullit 21.

Pa dyshim se rezultatet dhe arritjet e një shkolle varen nga një plan i mirë zhvillimor dhe një drejtor i mirë, i cili menaxhon politikat zhvillimore në shkollë. Puna e drejtorit të shkollës është e lidhur në mënyrë të pa shmangshme me arsimin cilësor, sepse nuk mund të ketë cilësi në shkolla, pa udhëheqje efektive, ka thënë Musa.

Roli i drejtorit ë shkollës është i madh. Ai duhet të jetë vizionar, planifikues arsimor, iniciator i zhvillimit shkollor, lider për personalin dhe nxënësit, përkrahës i cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.         

Musa ka thënë se planet zhvillimore të shkollave kanë kaluar përmes një konkurrence të vlerësimit nga një komision profesional. Model i planit zhvillimor për grupin e Gjilanit, është zgjedhur ai i shkollës “Musa Zajmi”.      

Dagmar Fuchs Schmit, udhëheqëse e projektit të GIZ-it (CDBE), ka kërkuar nga drejtorët e shkollave t`i inkurajojnë sa më shumë mësimdhënësit e tyre që të marrin pjesë nëpër trajnime dhe t`i ngritin kapacitetet e tyre profesionale dhe shkallën e njohurive të përgjithshme.

Ajo ka thënë se është e vetëdijshme që shkollat nuk kanë ndonjë buxhet të madh, po ka shumë gjera që mund të bëhen pa kushtuar asnjë cent, ka thënë Dagmar.

Një prezantim të planeve zhvillimore e ka bërë Sokol Elshani, ekspert në GIZ, planin model të një shkolle e ka prezantuar drejtori i shkollës “Musa Zajmi”, Ramadan Dermaku, kurse për aspektet komunale të planeve zhvillimore të shkollave, kanë folur Nazmi Musa, drejtor i Arsimit dhe Jetmir Jerliu, zyrtar i DKA-së.       

Për drejtorët të shkollave, në fund janë shpërndarë mirënjohje.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment