S’KA MËSIMDHËNËS PA MASTER

18.01.2014 (komentet: 0)

Asnjë mësimdhënës në shkolla fillore dhe të mesme pas tri vjetësh nuk do të këtë të drejtë të japë mësim nëse nuk e ka të përfunduar masterin në fakultetet përkatëse. Ministria e Arsimit në bashkëpunim më Bashkimin Evropian, synon që brenda tre vjetësh të investojë mbi 800 mijë euro në Universitetin e Prishtinës, për përgatitjen e mësimdhënësve në kuadër të projektit TEMPUS “Modernizimi i Shkollimit të Mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës-Med@UP”.

 

 

Ky projekt ishte miratuar në vitin 2012, ndërsa do të fillojë të zbatohet në praktikë këtë vit. Rektori Ibrahim Gashi, ka thënë se me realizimin e këtij projekti, synohet që të ngrihet perceptimi i profesionalizimit të pozitës së mësimdhënësit në Kosovë, sipas dispozitave ligjore dhe përvojave të mira evropiane. Ky projekt, sipas Gashit, gjithashtu synon ta ndihmojë Fakultetin e Edukimit, që të zhvillojë programe për aftësimin pedagogjik të mësimdhënësve lëndorë, në nivelin master (me kohëzgjatje 120 ECTS) dhe një program master për arsimin profesional, për mësimdhënësit e profileve të ndryshme joarsimore, që të kualifikohen për punë me nxënës. Sipas tij, të gjithë mësimdhënësit janë të detyruar të kryejnë masterin, nëse dëshirojnë të punojnë si mësimdhënës.

Kthehu mbrapa

Shto koment