Simpozium shkencor mbi kontributin e Gjilanit me rrethinë në LKSH

29.10.2012 (komentet: 0)

Historianë nga të gjitha trevat shqiptare do të mblidhen në Gjilan këtë të mërkurë, për të qenë pjesëmarrës në simpoziumin shkencor “Roli dhe kontributi i Gjilanit me rrethinë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (1878 – 1912)”. Organizatorë të simpoziumit shkencor janë Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, dhe Komuna e Gjilanit, gjegjësisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sporte.

Enver Sadiku 

 

Fitim Rifati, kryetar i degës së LHK-së “Ali Hadri”, ka thënë se në simpozium do të jenë pjesëmarrës rreth 20 referues nga të gjitha trevat shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Kosovë Lindore, të cilët do të trajtojnë tema të ndryshme e të cilat kryekëput kanë të bëjnë me rolin dhe kontributin e Gjilanit me rrethinë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Simpoziumi do të mbahet në dy sesione, atë të paradites dhe të pasdites, ku është paraparë që fjalën e hapjes ta mbajë kryetari i degës së LHK-së në Gjilan, Fitim Rifati, derisa me një fjalë përshëndetëse do të paraqiten edhe Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit dhe Fehmi Rexhepi, kryetar I LHK-së, për t’i lënë vend më pas referuesve, sikurse që është paraparë që të ketë edhe diskutime. Organizatorët kanë paraparë që të gjitha punimet të botohen. Siç ka theksuar Veton Nevzadi, drejtor për Kulturë, Rini e Sporte në Gjilan, ky simpozium organizohet për nder të 100- vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të ketë përkrahjen e Komunës së Gjilanit. Ai tha se fundi i tetorit dhe i tërë muaji nëntor do të jetë të mbushur me aktivitete të ndryshme kulturore.

Kthehu mbrapa

Shto koment