SI U PUNËSUA MIRI NË MINISTRI?

20.10.2012 (komentet: 0)

SI U PUNËSUA MIRI NË MINISTRI?

 

Sami Islami

 

Dardania asnjëherë nuk e kishte lënë të qetë pushtuesin. Po ama edhe

pushtuesi gjithnjë e kishte pasur nën monitorim atë. Por këtë pranverë

situata ishte pak më ndryshe se viteve të kaluara. Ishte kështu, sepse,

mu në këtë pranverë ndodhën demonstrata të mëdha të studentëve në

gjithë Dardaninë, ku hapur shprehej pakënaqësia e popullatës ndaj këtij

pushteti. Tani pushteti instaloi kontroll edhe më të fortë. Instrumenti më i

përshtatshëm, për të bërë këtë punë padyshim ishte Partia. Nëpërmes

partisë njerëzit ngriheshin në kierarkinë shtetërore, merrnin pozita,

inkuadroheshin në vende kyqe, pasuroheshin, bënin karrierë…Po kjo privilegj

nuk ishte për të gjithë, se ajo dinte edhe të të fundoste sa nuk ta merrte

mendja! Po të ishe i njollosur politikisht, për shembull, ishte tepër vështirë,

madje edhe e pamundur, të ecje përpara. Ishte vështirë, të gjeje një punë

të mirë, sepse pothuaj kudo kërkohej që kandidati të ishte i përshtatshëm

politikisht. Ky kontroll vërehej pothuaj kudo, por më i theksuar ishte në arsim,

media dhe punët e larta shtetërore.

 

Në këtë kohë Miri punonte në arsim në një qytezë afër qendrës. Atje kishte

bërë emër. Po ishte mërzitur duke punuar në provincë, prandaj e kishte

mendjen të lëvizte diku në kryeqytet. Dhe një ditë, rastësisht, pa në gazetë

një konkurs ku po kërkoheshin disa bashkëpunëtorë në ministri. “Sa mirë do

të ishte sikur të punësohesha këtu!”-mendoi. Me gjithë dyshimet se nuk do të

kishte sukses ai vendosi të konkurojë. Pse jo? Ishte rast ideal të lëvizte në

kryeqytet. E dinte mirë se ky ishte vendi ku mund të hapte rrugë për tjetër

karrierë, ndoshta duke i siguruar një imazh tjetër në shoqëri. Ku ta dishë? Pa

vonesë i përgatiti dokumentet. I dorëzoi. Pas pak kohësh u ftua edhe në test.

Kjo gjë i dha një fije shprese.

 

Në ditën kur do të mbahej testi ai shkoi bukur herët. Por çfarë të shihte!?

Para dyerve të ministrisë ishin mbledhur pesëdhjetë a gjashtëdhjetë vetë!

Që të gjithë ata kishin ardhur për të konkuruar për ato pesë vende pune ,

që ishin shpallur në gazetë! Kur i pa Miri gjithë këta njerëz, shpresa sikur

iu venit . “Athu vallë unë do të mund të pranohem këtu në gjithë këtë

konkurencë” ?- mendonte. Dhe derisa qe me këto mendime një njeri doli tek

dera e ministrisë dhe me një zë autoritativ tha:

-Ju jeni për konkursin , apo jo?

 

Dikush nga të pranishmit e pohoi se ishin po ata. Të gjithë filluan ta ndiqnin

atë. Grupit iu bashkua edhe Miri. Në këtë tollovi ai vërejti edhe dy shokë nga

studimet, të cilët kishin ardhur, edhe ata, për të konkuruar. Ishin Nuzi dhe

Lami.

 

Posa u vendosën në një sallë të madhe, burri i thinjur dhe i majmë, i cili nga

tashësia mezi merrte frymë u prezentua:

-Unë jam Dema- tha. -Para se të filloni ta bëni testin do t’ju informoj

se puna në ministri është punë me shumë përgjegjësi. Punë që kërkon

shumë sakrifica! Nëse dikush nuk është i gatshëm të ballafaqohet me këto

sfida nuk i kisha preferuar të hyjë në test fare! Ju bëni si të doni!

 

Me gjithë “paralajmërimet” e Demës, testin e mbajtën të gjithë. Dhe pastaj u

larguan secili në drejtim të vet.

 

Rezultatet e testit u dhanë pas plot një jave dhe për çudi nga gjithë ata që

kishin konkuruar ishin “pranuar” vetëm pesë! Në listën e atyre që kishin qenë

të suksesshëm në test figuronte edhe emri i Mirit dhe i të dy shokëve të

studimeve! Një shkëndijë optimizmi, se do të pranohej, i shkrepi përsëri. Atë

ditë deshi të merrte vesh se kur do të mund t’ia niste punës, por i thanë që

pavarësisht rezultatit të testit paraprakisht duhej ta takonte Metin, ngase ai

ishte përgjegjës për kuadra.

 

Miri të nesërmen në mëgjes iu ngjit shkallëve për në zyrën e kuadrave. Posa

hyri në zyrë kërkoi të fliste me Metin.

 

-Unë jam Meti- tha njëri nga ata që ishin në zyrë, e që nga tymi i cigareve që

pinin, të gjithë njerëzit në zyrë dukeshin sikur nëpër mjegull.

-Erdha për punën e konkursit- tha Miri

- Si quheni? –pyeti Meti?

- Samir Malaj.

-E kuptova! Ju e keni parë edhe vetë në listë se ju jeni pranuar në punë por

nuk mund t’ia filloni punës pa ju ardhë “rëntgeni” - tha duke e vu pak buzën

në gaz, sigurisht nga se e përdori fjalën “rëntgen”!

- Ç’është ky rëntgeni, pyeti, si me habi Miri?

-Mos u bën merak, tha Meti, tani duke e ndërruar qëndrimin dhe tonin e

bisedës. Mori qëndrim më serioz dhe vazhdoi.- Ne i kemi dërguar nga

një letër në komunat nga ishin kandidatët, për ta verifiku se a janë të

përshtatshëm idepolitikisht me punu në ministri, apo jo? Një të tillë ia kemi

dërgu edhe komunës tënde!

- Po sikur të mos isha “i përshtatshëm ideopolitikisht”, siç po thoni ju, nuk do

të kisha pasur mundësi të punoj as në arsim!- u përgjegj ashtu sikur kur deshi

të justifikohet.

-A , jo tha Meti. Këtu janë kritetere të tjera. Kjo është ministri.

Miri deshi të pyeste edhe diçka Metin, por ende pa e hapur ky gojën, ai ia

priti:

-Unë kaq mund t’ju them ! Pa ardhë “rëntgeni”, nuk mund t’ia filloni punës

këtu!

Miri u hidhërua, por këtë pakënaqësi nuk e manifestoi aty për aty. Duke dalë

po mendonte: “Aq zor qenka të marrin vesh këta në komunë se kush jam

unë? U pa kjo punë! Kot paskam ardhë këtu!

 

Megjithatë, pasi që i kishte hyrë kësaj pune, donte ta çonte deri në fund. “Le

të bëhet ç’t’ë bëhet” mendoi. Prandaj pothuaj gati për çdo të dytën apo të

tretën ditë , pas punës së rregullt, vinte deri në ministri për të marrë vesh

se a kishte ardhur “letra”, apo “rëntgeni”, siç thoshte Meti, apo jo?! Kaloi një

javë , dy… po s’kishte asnjë informacion për “letren”.

 

Pikërisht, pas tri javësh, takoi dy shokët nga studimet, të cilët i kishte takuar

edhe ditën e testit, Nuzin dhe Lamin.

-Po më duket se ju ia paskeni filluar punës!?- i pyeti.

-Po besa .

-Uh , sa mirë!- tha Miri.

-Edhe mua po thonë se më kanë pranuar, por po e kërkojnë një letër nga

komuna! Ç’është kjo dreq letër që po e kërkojnë, ore? A jua kanë kërkuar

edhe juve?

-Nuk di- tha Nuzi. Ndoshta këta ua kanë dërguar dhe komunës sonë po ne

nuk dimë gjë. Neve na ftuan në punë.

- Po a e dini ju se kush e jep atë letër, vallë ?

-Nuk e di kush , po pyet në komunë se sigurisht e merr vesh.

 

-Nëse vjen ajo dreq letër a po më lajmëroni në shtëpi?- i luti Miri shokët e

studimeve.

-Patjetër!- tha Nuzi dhe Lami.

 

***

 

Miri nuk la vend pa pyet në komunë se kush ishte ai institucion që jep

këso letrash, që si me ironi, Meti e quante “rëntgen”? Kërkoi në sekretari

të komunës, kërkoi në sektorin e arsimit, madje kërkoi edhe në polici, por

gjithkund mori përgjegje se ata nuk kishin haber për atë që po pyste ai. Për

çudi krejt vonë, sipas sugjerimeve të disa miqve të ngushtë, kuptoi se kishte

qenë mu komiteti, ai organ që po jepte këso “verifikimesh”!

 

Nejse.

 

Këtë punë e bisedoi edhe me vëllain e tij, Latën.

-Hë, Latë, si t’ia bëj kësaj letre ?- i tha.

-A e di se mos u kishte ardhë ndonjë kërkesë nga ministria në komitet?

-Jo nuk di !- u përgjegj Miri.

-Po atëherë shkruaje vetë ore!- ia ktheu Lata. Zoti e di se a e ka dërguar

ministria apo jo? Nëse i pret ata, ti kurrë nuk do të mund të punësohesh atje!

Me rëndësi është që t’i shkruash gjërat siç janë. Pasi që ministria po kërkon

letër, letrën ua dërgon dhe kaq.

-Mirë e ke!- ia ktheu Miri. Ashtu do t’ia bëj!

Dhe Miri, letrën të cilën e kishte pritur qe pothuaj një muaj vendosi ta

shkruante vetë! Posa shkoi në shtëpi, mori makinën e shkrimit dhe ia nisi

letrës kështu:

 

“Unë deklaroj se Samir Malaj është punëtor i vyer. Në shkollën ku punon ai

është shembull për të mirë. Është treguar aktiv gjatë gjithë kohës. Ka marrë

pjesë në shumë aktivitete në shkollë dhe jashtë punës shkollore. Është

shumë i afërt me kolegë dhe me nxënës…Dhe si i tillë është i përshtatshëm

për të punuar edhe në ministri.”

 

Letrën që e shkroi ia lexoi edhe Latës. Edhe ai ishte i mendimit se ishte krejt

në rregull. Ç’është e vërteta krejt këto që i kishte shkruar Miri për vete ishin

ashtu. Tjetër gjë ishte se kjo punë pritej të “shkonte” nëpër kanale tjera, për

ta justifiku “besueshmërinë partiake”! Të nesërmen me letër në dorë shkoi në

zyrën e Komitetit të Partisë të qytezës. U takua me sekretarin e partisë dhe i

tregoi se për çfarë kishte ardhur. Ia dha sekretarit letrën që ta lexonte. Ai e

mori, e lexoi. Nuk kishte asnjë vërejtje se diçka nuk ishte e saktë.

-A përtoni ta nënshkruani këtë letër , shoku sekretar, -i tha Miri.

-Jo, jo nuk po përtoj ta nënshkruaj , po ti Miri ma shumë na duhesh këtu, ore

djalë! Ne kemi nevojë për punën tënde këtu në shkollë!

-E di shoku sekretar, po kam vendosur, nëse më pranojnë, të shkoj në

ministri,- tha.

-Nuk ka problem- ia ktheu sekretari, i cili e nënshkroi letrën dhe e vulosi me vulën e kuqe të Lidhjes së Komunistëve. E mori një zarfë dhe e futi në të.

-Mos përto , të lutem, shoku sekretar ta vuloseni edhe mbi zarfë!- i tha Miri.

Sekretari e vulosi edhe mbi zarfë duke i shkuar buza në gaz, sikur donte të

thoshte “Çfarë ka ky djalosh që po kërkon me kaq ngulm ta vulos letrën edhe

këtu?” por nuk tha gjë. Letrën e nënshkruar dhe të vulosur Miri e mori në dorë dhe doli nga zyra e Komitetit.

 

Menjëherë shkoi në postë për ta dërgu letrën. Nëpunësit në postë i tha se

donte ta dërgonte sa ma shpejt që është e mundur, me rekomandë, këtë

letër. E pagoi postimin, mori faturën dhe doli. U nis menjëherë në ministri. E

kërkoi Nuzin. E thirrën dhe ai doli. Bile ishte bërë gati të shkonte edhe ai në

shtëpi sepse orari i punës vetëm sa s’kishte përfunduar.

 

-He Nuzi , a ka ndonjë gjë të re?- e pyeti Miri posa u takuan.

- Jo ende - tha Nuzi. Sot isha te Meti po s’kishte gjë.

-Mirë i tha Miri. Ma merr mendja se nesër ka mundësi që të vijë letra. Nuzi

nuk foli gjë po i ngriti vetullat , sikur donte të thoshte “po ku po e di ti se

nesër mund të vijë letra!?”. Kishte qe një muaj që po priste të vinte kjo letër, e

s’kishte ardhë ende! E shikoj edhe një herë me një lloj habie dhe u ndanë.

 

Miri shkoi në shtëpi i mbushur me optimizëm se “rëntgeni” më në fund do t’u

shkonte “autoriteteve” të ministrisë dhe rrjedhimisht, së shpejti, ndoshta,

do të transferohej atje. Pikërisht të nesërmen, pas dite, pasi që Miri u kthye

nga puna në shtëpi, dëgjoi nga familjarët se dy njerëz me veturë po e

kërkonin Mirin tek dera e shtëpisë. Atij menjëherë i shkoi mendja se “letra”,

sigurisht, paska shkuar! Miri doli me buzë në gaz dhe pa pasur mundësi të

përshëndetej me Nuzin dhe Lamin, Nuzi ia priti: “Letra erdhi! Meti më njohtoi

se që nesër mund t’ia fillosh punës”!

 

Miri qeshi. I ftoi shokët brenda për një kafe dhe u tregoi historinë e letrës. Të

dy mbetën me gojë hapur, por njëkohësisht edhe të gëzuar.

 

Ky ishte “verifikimi” ideopolitik. Dhe vërtetë Miri të nesërmen ia filloi punës në

ministri!

Kthehu mbrapa

Shto koment