Shtyhet publikimi i rezultateve të testit të maturës

02.07.2012 (komentet: 0)

Prishtinë, 2 korrik – Më shumë se 32 mijë maturatë të mbarë Kosovës ende nuk e kanë të qartë nëse kanë pasur sukses në kalimin e testit të provimit të maturës shtetërore. Kjo, sepse Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) e ka shtyrë publikimin e rezultateve deri më 5 korrik.

 Rezultatet për këtë çështje ishin paraparë të komunikoheshin të premten e javës që shkoi, më 29 qershor, por si pasojë e disa pengesave që janë vlerësuar si organizative ato nuk janë publikuar. Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, ka thënë të dielën se shtyrja e afatit për publikimin e rezulteteve të provimit të maturës shtetërore për datën 5 korrik nuk ka të bëjë me parregullsi, por për faktin se sivjet për herë të parë orgainizimi i testit është bërë në dy faza, dhe se grumbullimi i shënimeve ka qenë më i komplikuar se herëve të tjera, kur ai është përfunduar brenda një dite.

”Ka pasur vërejtje të vogla, por nuk janë shënuar parregullsi.

Organizimi i testit në dy faza ka bërë që të mos jenë përputhur shënimet si duhet, kështu që duke mos dashur që të ketë gabime, është marrë vendimi i shtyrjes”, ka spikatur Gjoshi. Ai ka theksuar se periudha prej 5 ditësh do të jetë e mjaftueshme për t’i përmbledhur të gjitha shënimet dhe për t’u komunikuar rezultatet. 

Nga ana tjetër, një maturante, Valdete Bytyçi, ka theksuar se kjo shtyrje është bërë për shkak të parregullsive të bëra gjatë mbajtjes së testit, sidomos të shpërputhjes së testit me planprogramet mësimore. Ajo ka thënë se pikërisht për këtë ka dëgjuar se është bërë edhe një ndryshim tjetër, që në vend të 51 pikëve që ka qenë e paraparë vlerësueshmëria për kalueshmëri, tashti kalueshmëria do të mund të jetë me 45 pikë. Madje, një profesor i një shkolle të mesme në Klinë, Ali Morina, pati deklaruar se 40 për qind e materies së shtjelluar për katër vite mësimi nuk është e përfaqësuar me asnjë të vetmen pyetje në testin e maturës. Sidoqoftë, informacioni për zbritjen e kuotës së kalueshmërisë, nga 51 pikë në 45 nuk ka mundur të konfirmohet zyrtarisht. Këshilltari i Arsimit, Gjoshi, as s’e ka pohuar e as s’e ka mohuar një gjë të tillë. 

”Ende nuk ka një vendim të tillë, porse çfarëdo vendimi që merret në lidhje me testin e provimit të maturës shtetërore, njoftimet do të bëhen me kohë”, ka thënë Gjoshi, derisa e ka vlerësuar pozitivisht organizmin e provimit shtetëror të maturës. Gjoshi ka thënë se aty-këtu është paraqitur ndonjë vërejtje, por në përgjithësi  provimi shtetëror i maturës ka qenë i organizuar mirë. Në një njoftim të botuar në faqen e interentit të Ministrisë së Arsimit, ndërkaq, thuhet se Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQShM) njofton të gjithë kandidatët që i janë nënshtruar provimit të maturës shtetërore se rezultatet e provimit do të publikohen të enjten, më 5 korrik 2012.

”Kjo shtyrje e publikimit të rezultateve të provimit të maturës është bërë me kërkesën e Njësisë për Standarde, Vlerësim dhe Monitorim, e cila është duke u ballafaquar me harmonizimin e shënimeve, veçmas për identifikimin e fletëpërgjigjeve, në të cilat mungojnë disa shënime të domosdoshme identifikuese”, vazhdohet në njoftim dhe shtohet se KSHM-ja lut të gjithë maturantët që të kenë mirëkuptim për këtë vonesë, e cila gjithsesi se do të jetë në harmoni me universitetet publike, sa u përket afateve për regjistrim në arsimin e lartë.

Këshilltari i ministrit, Gjoshi, ka thënë se sa i përket regjistrimit të studntëve në fakultete nuk do të ketë asfarë telashi. 
/koha /

Kthehu mbrapa

Shto koment