Shteti me veresi

14.07.2013 (komentet: 0)

Në Komunën e Gjilanit 22 mësimdhënës nuk janë duke marrë rroga. Katër mësimdhënës me nga 5 paga pa i marrë, pesë mësimdhënës me nga 4 paga pa i marrë dhe dhjetë mësimdhënës që nuk e kanë marrë nga dy paga. Të gjithë këta mësimdhënës janë duke punuar, që do të thotë se borxhi i komunës ndaj tyre po rritet, ndërsa ata vazhdojnë të numërojnë muajt se sa kanë punuar pa rroga



Drejtori i drejtorisë për Arsim në Komunën e Gjilanit, Bujar Nevzati, ka thënë për Preportr se arsyeja pse mësimdhënësit e caktuar si zëvendësim kanë mbetur pa paga është mungesa e buxhetit. Ai thotë se Komuna e Gjilanit ka kohë që ka kërkuar dhe planifikuar buxhetin e nevojshëm për vitin fiskal 2013, për pagat e mësimdhënësve në arsim, mirëpo sipas tij kjo kërkesë nuk është realizuar ashtu siç është planifikuar nga komuna. "Buxheti është përcaktuar prerë nga niveli i lartë shtetëror, edhe përkundër nevojave të shumta për buxhet që ka sektori i arsimit për mbulimin e këtyre pagesave. Që nga viti 2001 numri i personelit në arsim është pothuaj i njëjtë, përkundër kërkesave të komunës për rritje të numrit. Janë ndërtuar edhe 10 objekte shkollore e që nënkupton domosdoshmërinë të zgjerimit të stafit", theksoi Nevzati.

Ai thotë se punësimi i këtyre mësimdhënësve ka qenë i domosdoshëm për të kryer orët e mbetura, por fakti se janë dyfishuar orët nuk është menduar mirë, pasi që 22 mësimdhënës kanë mbetur pa paga, ndërsa borxhi ndaj tyre vazhdon të rritet, sepse ata vazhdojnë të punojnë ende me shpresën se do t'i marrin këto para. Në anën tjetër komuna jep premtime, të cilat këta 22 mësimdhënës i kanë dëgjuar shpesh.

”Për shkak të mungesës së buxhetit, pagesat e mësimdhënësve zëvendësues i bëjmë radhazi sipas kohës kur ata janë punësuar si zëvendësues dhe nuk do mbetet askush pa e marrë pagën", thotë Nevzati .

Ndërsa, Blerim Mehmeti, përfaqësues i degës së SBASHK-ut në Gjilan, nuk është fare i informuar për këtë situatë, pasi që thotë të jetë zgjedhur në këtë post që një kohë të shkurtër. Ai thotë se të gjithë mësimdhënësit që janë punësuar si zëvendësime kanë marrë pagat që ua ka pasur borxh komuna, por në fakt askush nga lista e 22 mësimdhënësve nuk ka marrë asnjë cent.

"Ato raste që kanë qenë me vonesë shumica i kanë marrë pagesat. Pra komuna i ka kryer të gjitha obligimet. Ne qëndrojmë prapa çdo anëtari tonë dhe e mbrojmë me ligj dhe si ta monitorojmë këtë situatë në të ardhmen", ka thënë Mehmeti.         

Në anën tjetër Arbër Morina, këshilltar i Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka thënë për Preportr se këtë çështje duhet ta zgjidhin vetë komunat. Pra deklaratat e zyrtarëve të Komunës së Lipjanit se janë përpjekje që bashkë me këtë ministri të zgjidhet ky problem është vetëm një deklaratë boshe.

"Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është e njoftuar për situatën në komunat gjegjëse, por siç dihet Ligji i Pagesave nuk lejon rritjen e numrit të punëtorëve, për shkak të formulës së financimit. Kjo çështje duhet të zgjidhet brenda vetë Komunës, ashtu siç e kanë zgjidhur edhe shumë komuna tjera që e kanë pasur këtë problem", theksoi Morina.

/preportr/

Kthehu mbrapa

Shto koment