Shqiptari Arthur Lika, autor i logos së famshme “American Express”

20.08.2013 (komentet: 0)

E di se kush e ka bërë disenjin e kartës “American Express”?

Me rastin e dyvjetorit të vdekjes – Artisti i njohur është autor i disenjove edhe për “Japan Air Lines”, “JC Penney Co”., “Merrill Lynch”, “US Army”, “US Air Force”, “The China Tourist Organization”, “Philip Morris”, “Chase Bank”, Mbretërinë e Arabisë Saudite etj

 

 

Vehbi Bajrami

Vehbi Bajrami

NEW YORK
Kush nuk ka dëgjuar ose përdorur kartën “American Express”? Është mbretëresha e kredit – kartave, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë e kontinentet e tjerë. Jam habitur kur një miku im, lexues i pasionuar i shkrimeve per fatet e shqiptarëve në Amerikë, më befasoi me pyetjen që më bëri.
- E di se kush e ka bërë disenjin e kartës “American Express”?
- Jo, nuk e di, – ia ktheva.
- Si nuk e ditke? Po këtë e dinë amerikanët e mos ta dimë ne! Është një shqiptar, – më tha, – Arthur Lika. A nuk e vlen të shkruash për të?
…Një të dielë të ftohtë janari, viti 1997, para se të binte mugëtira, Arthur Likën e takova në banesën e vet në “UN Plaza”në Manhattan. Ai banonte aty qëkur u përurua kjo ndërtesë gjigande, në “East River” afër “pallatit të xhamtë” të Kombeve të Bashkuara.
Në dhomën e qelqtë të pritjes, prej nga New York-u me dritat llamburitëse të befasonte me pamjen e një bukurie përrallore, më pret Arthur Lika, veshur me elegancë. Për orë të tëra më foli për jetën e vet që kur mërgoi nga vendlindja në Amerikë më 1937, për jetën në ushtri e për rrugën e suksesshme të tij në disenj e reklamë.
Arthuri qe fëmijë vetëm 11 vjeç kur la vendlindjen, katundin Kosovë të Përmetit dhe erdhi në kontinentin e madh. I ati, Kosta, kishte mërguar disa vite më parë. Arthuri nuk i harron detajet e atij udhëtimi të gjatë dhe tepër të vështirë me anijen “Vullcania”, nga Napoli në New York. Kujton se nuk mund t’i hante ushqimet që shërbeheshin në anije ndaj ndihej thuajse tërë kohën i uritur. Kur arriti në brigjet e Oqeanit Atlantik, në New York, iu duk sikur po zgjohej prej një ëndrre. I bënë përshtypje të veçantë Statuja e Lirisë, ndërtesat e mëdha, rrugët e gjera e makinat e shumta si pikat e shiut.
- Nuk u besoja syve nga ajo që shihja. Amerika m’u duk si të ishte në një planet tjetër, larg tokës, – thotë Arthuri.
Bashkë me vëllanë Keneth, nënën Viktoria dhe babanë Kosta, posa arritën në kontinentin e ri, u vendosën në një banesë të vogël në lindje të Manhattan-it.

* * *
Shpërngulja e familjes Lika nga Shqipëria nuk kishte kaluar pa trauma shpirtërore. Veçanërisht për nënën e Arthurit, ditët e para në mërgim ishin të skëterrshme. Nuk shkëputej dot nga Shqipëria. Tërë kohën veç atje i rrinte mendja. Me zemër të lënduar kujtonte vazhdimisht Përmetin, deri sa u nda nga jeta më 1981.

* * *
Po cila ishte rruga nëpër të cilin eci shkollimi dhe karriera e Arthurit?
Ai i përgjigjet pyetjes time me nje kujtesë të freskët, sikur gjithçka të kishte ndodhur dje.

 

- Nuk kaloi as një muaj pasi kisha shkelur në Amerikë dhe më regjistruan në shkollë. Merreni me mend sa vështirë ishte për mua të ulesha në bangat e klasës, pa ditur asnjë fjalë në gjuhën angleze. Por, nga ana tjetër, e dija se me vullnet do të arrihej çdo gjë. E kisha të qartë se pa anglishten do t’i ngjaja atij memecit që kërkon, por nuk e kuptojnë, meqë nuk mund të flasë. Lodhja dhe stërmundimi nisën të japin rezultatet e para, – thotë Arthuri.
Ai jo vetëm që e mësoi shpejt gjuhën angleze, të shkruar e të folur, por arriti të jetë ndër nxënësit më të mirë.
Një proverb kinez thotë: “Ai që të ka mësuar një ditë, mbetet përgjithmonë babai yt”. Arthur Lika ishte njeri me fat, sepse pati një mësuese të mrekullueshme, zonjën Davis.
Kur Arthuri filloi mësimet në New York, babait i erdhi një letër nga Shqipëria. Ish mësuesi i Arthurit, nga Kosova e Përmetit, i shkruante Kosta Likës: “Djali juaj, Arthuri, gjatë kohës kur ishte nxënës në shkollën ku jap mësim, kishte një talent të jashtëzakonshëm në vizatim. Bëni përpjekje të ndikoni në mendjen e tij, që të ndjekë këtë rrugë e të mos shuhet talenti i tij. I gjeni ndonjë shkollë të artit, që delli i tij krijues të zhvillohet edhe më”.
Kosta Lika, posa e lexoi letrën, vajti në shkollë te mësuesja e Arthurit për t’i treguar se ç’i shkruante mësuesi nga ai fshat i largët. Zonja Davis, kur mësoi nga ajo letër për talentin e nxënësit shqiptar, filloi t’i qëndrojë pranë e t’i japë atij mësime të posaçme, e bindur se do ta ngjiste lart një ditë Arthurin, atje ku e kanë vendin piktorët e njohur të Amerikës. Më vonë, disa nga veprat e djaloshit të ri, mësuesja i vari në muret e klasës.
Por, a mjaftonte që gjithë talentin e tij Arthuri ta zhvillonte e ta përsoste vetëm gjatë orëve të rregullta në shkollë? “Dëgjimi është fillimi i çdo urtësie”, thoshte Hegeli. Dhe Arthuri i ri dëgjoi me vëmendje këshillat e mësuesit të Përmetit, të mësueses së New York-ut dhe të babait. Pas orëve të rregullta të mësimit vazhdoi të thellonte njohuritë në një shkollë speciale të artit në Manhattan. Qysh në këtë moshë të njomë, një pjesë të kohës së lirë ai filloi ta kalonte në muzetë më të njohura të New York-ut dhe “ra në dashuri” me veprat e artistëve të njohur botërorë. Harrohej me orë të tëra me sy të përqëndruar tek tablotë e portretet e piktorëve të shquar duke ndjerë brenda vetes se po rritej shpirtërisht piktori i ardhshëm.

* * *
Lufta e Dytë Botërore Arthur Likën e gjeti me uniformën e Ushtrisë Amerikane. Ai shkoi në luftë vullnetarisht, pa e detyruar kush, i shtyrë nga ndjenja e atdhetarizimit amerikan. Nëna e Arthurit ishte kategorike:
- T’u bëftë mamaja! Mos shko në luftë, bir!
Babai i tij, po ashtu u mundua t’ia ndryshonte vendimin që kishte marrë:
- Lufta nuk është dasmë. Mblidh mendjen, Arthur.
Por, Arthuri, i cili në këtë kohë jetonte me familje në Massachusetts, tashmë e kishte mendjen top “t’i shërbente patriotizmit dhe lirisë”. Më në fund iu duk se i bindi prindërit: “Nuk do të shkoj në luftë të mbroj veç Amerikën, po edhe Shqipërinë”, u kishte thënë atyre.
…Para se të nisej me anije për në Evropë, Arthuri me shokët qëndroi dy ditë në New York. Atë pak kohë të lirë që kishte ai e shfrytëzoi për të vizituar mësuesen e tij të dikurshme, zonjën Davis. Kur hyri në klasën ku ai kishte mësuar vetë dikur, u befasua kur pa pikturat e tij në muret e klasës. Nuk gjeti dot fjalë të rrëfejë se çfarë tallazi shpirtëror provoi në atë moment. Ato nuk i kishin lëvizur nga vendi. Ishin aty ku i kishte vendosur prej kohësh zonja Davis. Këto piktura të Arthurit ishin si ai fëmija që përpiqet të ecë këmbadoras, përpara se të ngrihet në këmbë. Mësuesja, që e kishte marrë përdore në kopshtin e bukur të pikturës, në fillim nuk e njohu ish nxënësin e dikurshëm, i cili tashmë ishte bërë burrë, kishte veshur uniformën ushtarake dhe po qëndronte para saj i papërmbajtur nga emocionet, tek shihte atë dhe pikturat e tij në mur. Por kjo ishte vetëm punë çasti.
- Ti je Arthur?! – kishte folur e habitur mësuesja pas disa sekondash, duke vështruar me lot në sy artistin e ri. Gjendja e tyre emocionale nuk kaloi pa u vënë re nga fëmijët e vegjël. U dukej se dikush po shfaqte për ta një skenë filmi, ku njera nga aktoret ishte mësuesja e tyre. Po ky tjetri i veshur ushtarak, cili ishte? Pastaj, përse i dridhej zëri sa herë që fliste dhe pse i binin lotët?
Gjendja e elektrizuar nuk zgjati shumë. Mësuesja u tregoi nxënësve se kush ishte Arthur Lika, pikturat e të cilit ata i shihnin sa herë që hynin në klasë. Më pas mësuesja ia la fjalën Arthurit. Ai u tregoi nxënësve gjithçka për mirësitë e mësueses së talentuar, për vullnetin me të cilin ajo e kishte udhëhequr atë drejt botës së magjishme të pikturës. Gjithçka rrodhi shpejt, pasi anija nuk priste. Ai duhej të nisej me detyrën e ushtarit për në kontinentin e vjetër, ku njerëzit kishin drejtuar pushkët kundër njëri- tjetrit. Lufta po bëhej tmerri i popujve.

* * *
Fjalët e babait se “nuk je duke shkuar në dasmë” dhe “ki kujdes me të papriturat që mund të të sjellë lufta”, Arthur Likës iu kujtuan shumë herë gjatë viteve që shërbeu ushtar në Francë e Gjermani, ku gjithandej vringëllinin plumbat e armikut.
- Në luftë, – thotë ai – njeriun e ndihmon edhe fati. – Plumbat nuk e gjetën dot rrugën drejt trupit tim. Ndoshta fati ua ndryshonte drejtimin.
Penelin ai nuk e braktisi as në luftë.
- Gjatë kohës kur shërbeja në batalionin e këmbësorisë, – tregon ai, – bëja portrete të ushtarëve, të cilat u pëlqenin shumë.
Talenti nuk kaloi pa u vënë re nga oficerët e lartë të batalionit. Një herë, qendra e Armatës së Tretë e gjeneralit Patton në Francë po kërkonte një piktor për disa punime artistike, siç ishin disenji i posterëve propagandues, i broshurave speciale dhe i disa projekteve të tjera dhe ata menduan se më i përshtatshmi për këtë ishte veç ai, Arthuri. E pyetën nëse mund ta bënte dot këtë punë dhe ai e pranoi menjëherë ofertën. Pasi kaloi me sukses testin e pranimit, u transferua në selinë e Armatës së Tretë, ku i dhanë titullin: “Artist – korrespondent i luftës”.
- Ishte një kënaqësi e veçantë që në luftë të ushtroja profesionin e artistit, – thotë Lika dhe më tregon një fotografi ku ka dalë me pushkë në dorë në një rrugë të Francës.
Për shërbimin në luftë u nderua me çmimet e larta të Ushtrisë Amerikane “Bronze Star” (Ylli i Bronztë) dhe “Purple Heart” (Zemra e Purpurt).
Për Arthur Likën do të mbetet i paharruar takimi i tij gjatë luftës me piktorin polak, Boleslaw Jan Czedekowski, i cili kishte bërë shumë portrete të njerëzve të shquar dhe ngulmonte të bënte portretin e gjeneralit Patton, gjë që e arriti pas një takimi me gjeneralin. Czedekowski, me përvojën e tij të pasur në art, u bë më vonë mësues i vlefshëm i Arthurit. Artisti shqiptar fitoi një përvojë të pasur duke parë piktorin polak se si e realizonte në pikturë figurën e gjeneralit të njohur, në 14 pozicione të ndryshme.
- Më kujtohet, – thotë Arthuri,- kur gjenerali Patton pësoi një aksident të rëndë automobilistik. I shtrirë në shtrat, i pëshpëriti gruas së vet, Beatrice-s: “Për festën e Krishtlindjeve kam një shpërblim të bukur për ju që besoj se do ta pëlqeni, meqë e pëlqej edhe unë”.
Gjenerali i tregoi zonjës portretin e vet, vepër e artistit polak…
…Pas katër vitesh, Arthur Lika u kthye në shtëpi nga misioni ushtarak dhe sërish vajti me vrap të takonte mësuesen e dikurshme të tij. Por…sa u pikëllua! Zonja Davis kishte ndërruar jetë. Arthuri edhe sot e kujton me mallëngjim të madh mësuesen e tij, e cila e inkurajoi atë në vitet më të vështira e më të rëndësishme, kur ai e ndjente veten si të humbur në mjedisin e ri amerikan.

* * *
Më vonë, Arthuri shkoi në Angli për të studiuar e për të përsosur njohuritë e aftësitë në art. Kthehet përsëri në SHBA, ku vazhdon studimet në degën e arteve të lira në “The Arts Student’s League” dhe “Columbia University” në New York. Po gjatë kësaj kohe ai mori njëkohësisht mësime edhe në “Advertising Club” të po këtij qyteti. Në këtë klub Arthuri zuri miqësi e u lidh me njerëz të artit, njëri prej të cilëve ishte drejtor i një agjencie të reklamës. Ky, pasi pa talentin dhe aftësitë krijuese të Likës, i ofroi një punë të rregullt. “A jeni i gatshëm të filloni”? – i tha drejtori i agjencisë. Pas dilemave të para, nëse duhej të fillonte punën, apo të vazhdonte më tej studimet, Arthuri vendosi të shkojë për t’u testuar në “Mack Truck Company”, e cila prodhonte autobusë, kamionë dhe pjesë të tjera të industrisë automobilistike.
- Zyrat e kësaj kompanie, – kujton Arthuri, – ishin në katin e 20 – të të ndërtesës “Empire State Building” në Manhattan. Pasi testuan aftësitë e mia krijuese, më pranuan në punë si drejtor artistik, përgjegjës për disenjin e reklamave dhe literaturës promovuese për kompaninë.
Pas katër vitesh pune si drejtor artistik në disa kompani të New York-ut, më 1950 Arthur Lika vendosi të hapë firmën e vet të reklamës e disenjit: “Lika Associates, Inc.”, e cila vazhdon edhe sot të punojë me shumë sukses në New York. Ajo realizon të gjitha fazat e disenjit, të shtypjes, të paketimit, të promovimit e të shitjes dhe të identitetit të koorporatave të njohura. Hope Lika, zonja e Arthur Likës, me të cilën ai ka dy fëmijë, është nënkryetare e kompanisë.
Arthur Lika ka realizuar disenjin e disa kartave të kredisë (“credit cards”) siç ishte dhe “American Express”. Për kompaninë e njohur “General Electric”, ka realizuar disenjin e disa publikimeve. Ai ishte disenjator edhe i revistës “Monogram”.
Kompania “Gillette” ishte njëra nga klientët e tjerë të Arthurit. Ai udhëtonte shpesh nga New York-u në Boston për të takuar përfaqësuesit e kësaj kompanie. Artisti i njohur është autor i disenjove edhe për “Japan Air Lines”, “JC Penney Co”., “Merrill Lynch”, “US Army”, “US Air Force”, “The China Tourist Organization”, “Philip Morris”, “Chase Bank”, Mbretërinë e Arabisë Saudite etj.
Më 1948, disa aktivistë shqiptarë iu lutën Arthur Likës të bënte emblemën e shoqatës “Albanian American National Organization” (AANO) si dhe disenjin e disa kopertinave të revistës “Shqiptari”, organ i shoqatës. Disenjatori ynë nuk e fshehu kënaqësinë që iu dha rasti të krijojë këto dy vepra për shoqatën, bashkëthemelues i së cilës ishte edhe ai. Më 1977, disa gra shqiptare të qytetit Worcester kërkuan nga Arthuri të bënte disenjin e një libri mbi kuzhinën shqiptare. Ai dhe zonja e tij punuan me dëshirë për të dalë në dritë ky libër interesant e me vlera praktike në gjuhën angleze.
Prej një kohe të gjatë Arthuri është anëtar i “Society of Illustrator’s Club”. Ai ka fituar shumë çmime për punët e realizuara, të cilat janë vlerësuar lart nga ekspertët e artit dhe të reklamës.
Arthur Lika për herë të parë vizitoi Shqipërinë së bashku me prindërit më 1970. Tepër të malluar, kishin shumë dëshirë të shihnin edhe njëherë vendlindjen e tyre. Herën e dytë, i ftuar nga qeveria shqiptare, Arthuri vajti në Shqipëri më 1996, bashkë me mikun e tij, regjizorin e filmave Stan Dragoti, për të bërë një projekt që do të tërhiqte investitorët e huaj në Shqipëri. Lika dhe Dragoti janë miq të vjetër, siç ishin edhe prindërit e tyre, Kosta e Asllani. Dy artistët u rritën bashkë në pjesën lindore të Manhattan-it dhe po bashkë vajtën në Tiranë të ndihmonin Shqipërinë.
- Nga reklama dhe disenji kam krijuar një standard të mirë jetësor. Por… këtë punë nuk e bëj me zemër. Dëshira ime ishte të merresha vetëm me pikturë, sidomos në gjininë e portretit, – thotë Arthuri duke lëvizur nga një dhomë në tjetrën. Më tregon pikturat që i kanë dhuruar piktorë të njohur amerikanë, fotografitë e familjes, orenditë dhe librat. Pastaj nga kati i 20-të, ku është apartamenti i tij, i hodhëm edhe një vështrim Manhattan-it. Këtu mikpritësi për shumë vjet ka derdhur energjitë e tij krijuese.
- Me New York-un është lidhur jeta dhe karriera ime, – thotë ai, duke parë ndërtesën e Kombeve të Bashkuara.
- Nga të gjithë flamujt që valojnë para OKB-së, më afër e ndjej flamurin shqiptar, – pohon Arthur Lika, artisti i luftës dhe i paqes dhe tregon dosjen e tij me punime, në mesin e të cilave duket edhe shqipja dykrenare shqiptare.
P.S. Arthur Lika vdiq në New York më 21 gusht 2011. Varrimi i tij u bë në Trumbull, Connecticut

Kthehu mbrapa

Shto koment