Shqiptarët janë mbi 40 % në Maqedoni, prandaj shtyhet regjistrimi i popullsisë?

24.07.2014 (komentet: 0)

 

Shqiptarët janë mbi 40 në Maqedoni, prandaj shtyhet regjistrimi i popullsisë

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni është riaktualizuar tre vite pas dështimit të tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta atë kohë mes partive të koalicionit qeverisës BDI-VMRO lidhur me metodologjinë e zbatimit të këtij procesi.

Dallimet kryesisht kishin të bënin me përfshirjen ose jo, në regjistrim të shtetasve të Maqedonisë që jetojnë më shumë se një vit jashtë vendit, e që besohej se ndikojnë në ngritjen apo uljen e përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni.

Dallime kishte edhe për çështje tjera, si dhe ankesa mbi mospërfshirjen në regjistrim të shumë zonave të banuara më shqiptar. Kryeministri Nikolla Gruevski, i ka shkruar së fundi një letër kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti për nevojën e realizimit të këtij procesi statistikor, por përgjigje ende nuk ka marrë, meqë sipas BDI-së, nevojiten një studim i detajuar për këtë çështje nga një grup i ngritur enkas për regjistrimin.

Njohësit e çështjes së regjistrimit thonë se ky proces duhet të realizohet, por më parë duhet bërë përgatitje të mirëfillta, që të mos përsëritet dështimi i para dy viteve.

Fati Iseni, ish anëtar të Komisionit Shtetëror për Regjistrimin e Popullsisë në vitin 2011, ka thënë për REL se dështimi i para dy viteve ka ardhur nga frika, siç shprehet ai, “e rritjes së përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni”.

Në bazë të regjistrimit të fundit të realizuar në vitin 2002, numri i shqiptarëve në Maqedoni arrin në 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës dy milionëshe, por përveç shqiptarëve që pretendojnë të jenë në përqindje më të lartë, edhe qarqe të caktuara maqedonase pretendojnë se kjo përqindje është më e ulët dhe se sipas tyre, ajo është rritur me qëllim të realizimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Ndryshe, shumë analistë më në zë dhe njohës të çështjeve sociale në Maqedoni theksojnë se numri i shqiptarëve është mbi 40% në Maqedoni, andaj ka hezitime nga pushteti për t’i shkuar deri në fund procesit të regjistrimit të popullsisë.

/thealbanian/

Kthehu mbrapa

Shto koment