“Shkrimtarët lobojnë për Kosovën” katër ditë në Rumani

03.04.2014 (komentet: 0)

Prishtinë - Numri i shkrimtarëve dhe mosha e shtetit duket se janë rastësi, por lidhen mirë me misionin e tyre. Gjashtë shkrimtarë të martën kanë udhëtuar për në Rumani e atje kanë synim të promovojnë shtetin që shpalli pavarësinë më 2008. "Shkrimtarët lobojnë për Kosovën" është titulli i aktivitetit, një projekt i shoqatës rajonale të shkrimtarëve “Teuta”, për Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi. Basri Çapriqi, Albina Idrizi, Smajl Smaka, Ali Daci, Natasha Lako dhe Ibrahim Kadriu do të kenë një agjendë të ngjeshur.

Takim në Bashkinë e Bukureshtit, me Ministrin e Kulturës dhe të Trashëgimisë Kombëtare të Rumanisë, me komisionin e jashtëm të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, me Drejtoreshën e Përgjithshme të Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë, janë në programin e udhëtimit katërditor të tyre.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, i cili javën e kaluar është kthyer nga Rumania pasi ishte pjesëmarrës në organizimin katërditor “Ditët e Kulturës Kosovare në Rumani”, organizuar nga shoqata e miqësisë Kosovë-Rumani, “Dora d’Istria” - ka thënë se për dallim nga hera e kaluar ku kishte tryeza letrare e ekspozita, kësaj radhe takimi do të jetë vetëm letrar. Në vitin 2005 Kadriut i është botuar në rumanisht vëllimi me poezi “S’mbet kohë për kremte”. Edhe Çapriqi ka një vepër me poezi të botuar në Rumani e cila titullohet “Hapja e guacës”.

“Ne do të lexojmë në shqip, e tërë kjo shkon në njohje të kulturës sonë si dhe të sensibilizimit të opinionit atje që të mendojë më shumë për Kosovën”, ka thënë Kadriu. Shoqata e cila ka organizuar këtë aktivitet synon njohjen, afrimin, shkëmbimin e shkrimtarëve të rajonit. 
Përfaqësuesja e shoqatës “Teuta”, për Kosovë, Ajete Beqiraj, ka thënë se për katër ditë me radhë do të organizohen takime me institucione dhe figura me ndikim në shtetin e Rumanisë. 

“Nëpërmjet këtij projekti do të përçojmë mesazhin e popullit të Kosovës: që edhe Rumania ta njohë shtetësinë tonë siç kanë vepruar mbi 100 shtete të botës”, ka thënë Beqiraj.

Si një mundësi të mirë për krijim të marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve e sheh edhe shkrimtari Çapriqi i cili është njëherësh edhe kryetar i PEN Qendrës” së Kosovës. Ai ka thënë se në Rumani do të prezantohet me poezitë e tij, të cilat tashmë janë të botuara në atë gjuhë.

“Do të jetë një udhëtim shkencor e kulturor për të bërë rikrijimin e lidhjeve kulturore në mes të këtyre dy vendeve siç ka qenë më parë”, ka thënë Çapriqi.
Projekti, financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Ambasada Britanike në Kosovë në kuadër të Fondit të Kosovës për Avokim. Programi "Kosovo Talks EU" në kuadër të të cilit sigurohen këto fonde, ka për qëllim përmirësimin e komunikimit në mes të Kosovës dhe vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, si: Sllovakia, Greqia, Spanja, Qiproja dhe Rumania./koha/

Kthehu mbrapa

Shto koment