Shkollat e Gjilanit, të gatshme për 2 shtator - 23 gusht 2013

23.08.2013 (komentet: 0)

 Nëmbledhjen e sotme të drejtorisë së Arsimit, me drejtorët e shkollave fillore është thënë nga të gjithë drejtorët se mësimi do të filloj sipas planifikimit në të gjitha shkollat fillore të Komunës së Gjilanit, ngase falë angazhimit të Drejtorisë dhe Komunës së Gjilanit, të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë dhe ambientet shkollore janë të gatshme në të gjitha aspektet për të filluar me punë. 

Pasi kanë raportuar të gjithë drejtorët lidhur me përgatitjet teknike nëpër shkollat që ata drejtojnë, drejtori Nevzati, ka porositur ata që të mbajnë rendin dhe rregullin nëpër shkolla dhe të mos lejojnë rënien e performancës në këtë kohë kur po hyjmë, në muajt në vijim, në fushatën zgjedhore. 

Ai gjithashtu në këtë mbledhje ka përmendur konkursin për pranimin e semimaturantëve që kanë përfunduar ciklin e mesëm të ultë në këto shkolla dhe se ky konkurs është bërë në bazë të kritereve. Po ashtu ai i ka informuar drejtorët e shkollave edhe për konkursin e pranimit të kuadrit nëpër shkolla, që edhe këtë vit është duke u bërë në bazë të kritereve të hartuara nga viti i kaluar, sikundër edhe për konkursin që është i hapur për disa drejtor dhe zv.drejtor, kërkesë kjo që ka ardhur nga vetë udhëheqësit e këtyre shkollave në fjalë. 

Nevzati po ashtu ka informuar se në këtë shtator në Komunën e Gjilanit do të fillojnë punën edhe dy shkolla të reja, ajo e Gjimnazit të Ri (ku për herë të parë pas 23 viteve nxënësit do të mësojnë në dy ndërrime, që është risi tjetër e këtij viti shkollor) dhe shkolla bujqësore “Arbëria”, si dhe këtë vit do të nis ndërtimi i dy shkollave të reja ajo e Arteve pamore dhe muzikore, si dhe shkolla fillore në Kishnapole. 

Po ashtu ka njoftuar drejtorët edhe me rregullimin e dymbëdhjetë fushave sportive, që do të filloj së ndërtuari gjatë këtyre ditëve, ka thënë ai duke shtuar se, të gjitha shkollat e mesme dhe fillore do të kompletohen edhe me nga një kabinet të informatikës që është mjaft i domosdoshëm për punën praktike. 

Ndërsa nxënësit edhe këtë vit do të pajisen nga Ministria e Arsimit me tekste shkollore falas, ku shpërndarja e tyre do të bëhet në fillim të vitit të ri shkollor. Drejtori Nevzati, informon të gjithë nxënësit dhe prindërit se konkursi për pranimin në klasën e dhjetë është hapur nga data 22 gusht dhe do të zgjatë deri më 25 gusht, vendet e lira për regjistrim të semimaturantëve ka në shkollën e Mjekësisë, Teknikës, Bujqësisë dhe në shkollën e Artit Pamor dhe Muzikor, ndërsa, shkolla e mesme e gjimnazit dhe ajo ekonomike vende të lira nuk kanë sepse numri është plotësuar që në afatin e parë. 

Nevzati ka bërë apel te semimaturantët dhe prindërit e tyre që të aplikojnë në shkollën bujqësore, sepse kjo shkollë ofron kushtet më të mira në nivel vendi dhe përgatit kuadro që i nevojiten komunës dhe vendit në përgjithësi. Bujqësia është e vetmja fushë më e shpejta e punësimit. Regjistrimi në këtë shkollë jep mundësinë e punësimit më të lehtë dhe më të shpejt, ndaj për këtë kërkojmë që të drejtohen për regjistrim numër edhe më i madh i nxënësve ngase vende të lira ka të mjaftueshme. 

Nevzati, ka informuar se para fillimit të procesit mësimor, do të bëhet dezinfektimi dhe dezinsektimi i të gjitha objekteve shkollore në Komunën e Gjilanit. 

Ndërsa, Jemir Jerliu, zyrtar për shkolla fillore, ka informuar se konkursi për regjistrimin e nxënësve në klasë të parë është hapur dhe pranimi do të bëhet konform kritereve të vendosura nga Drejtoria Komunale e Arsimit, që janë të njëjta sikur vitin e kaluar, ku programi nuk lejon që të ndërhyhet në përzgjedhje, radhitje apo ndryshimin e një klase për ndonjë nxënës. 

Përjashtim këtu, siç tha ai, kanë vetëm nxënësit që janë binjakë, të cilën po ashtu programi e ka të detajuar mjaft mirë. Ai inkurajoi të gjithë prindërit që të aplikojnë për regjistrimin e nxënësve të tyre në klasën e parë, ngase konkursi është i hapur deri më datën 29 gusht 2013.

Ndërsa drejtorët, pos disa intervenimeve që janë duke u bërë nëpër shkollat e tyre, thanë se nuk kanë ndonjë çështje që duhet të përmendet për intervenim të shpejtë. 

Informohen të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe prindërit e tyre se mësimi në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme do të nis më 2 shtator 2013 (e hënë). Me këtë rast Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, i uron një vit të mbarë të gjithë nxënësve, prindërve, mësimdhënësve dhe stafit tjetër, duke dëshiruar që ky vit të jetë edhe më i mirë dhe më i mbarë se vitet paraprake.

Kthehu mbrapa

Shto koment