SHKOLLA E VALIT – Studim monografik nga Prof. Dr. Lutfi ALIA

30.03.2016 (komentet: 0)

Pas çlirimit, si në mbarë vendin dhe në Martanesh u rihapën shkollat, në fshatin Peshk shkolla unike (7 vjeçare), ndërsa në fshatrat Gjon, Lena, Val dhe Stoveç shkollat fillore.
Gjate vitit 1952, u ndërtua shkolla e re unike në Peshk dhe u rikonstruktuan ndërtesat e shkollave fillore ekzistuese në të katër fshatrat. Në këtë aksion të rëndesishëm, u mobilizuan vullnetarisht të gjithë banorët arsimdashës, madje për grumbullimin dhe transportin e gurëve, morën pjesë gratë e fshatrave. E gjithë lënda e parë për ndërtimin e shkollave të trevës u sigurua me punë vullnetare, pra gjithëcka u sigurua nga malësorët, ndersa Ministria e Arsimit pagoi vetem rrogën e muratorëve.

 

val1

Grate e fshatit Peshk, duke bartur në shpine gurët, për ndërtimin e shkollës së re në vitin 1952.
(Fotografi e Rrok Zojzi, lëvrues i shquar i etnokulturës sonë.)

Shkollat e Martaneshit ishin verore. Ky sistem funksiononte nga viti 1889, kur u hap shkolla e parë shqipe dhe vazhdoi deri në vitin 1975, kur dhe shkollat verore të fshatrave malore, kaluan në sistemin e unifikuar si shkollat e tjera, qe i fillonin mësimet me 1 shtator.

val2

Ndertesa e shkollës fillore (shigjeta), në anë të luginës së gjelberuar të Valit

Në shkollat verore, mësimet fillonin me 1 mars dhe përfundonin me 30 nëntor, me 3 muaj pushime në muajt e dimrit. Ky sistem praktikohej në të gjitha trevat malore të vendit, ku terreni i thyer dhe largësia e madhe e banesave të malësorëve, nga qendra ku ndodheshin shkollat, gjatë muajve të dimrit rëndohej nga bora e dendur, nga reshjet e shiut dhe nga i ftohti i egër, që krijonin veshtirësi, madje dhe rrezik për lëvizjen e fëmijeve.
Shkollat e Martaneshit kanë histori shekullore, por deri në vitin 1955, asnjë nga mësuesit e pesë shkollave nuk ishte vendas.
Mësuesi i parë martaneshas është Emin BALA, të cilin më 1 shtator 1954 e emëruan në shkollën e Klosit, ndërsa më 1 mars të vitit 1955 e transferuan mësues në shkollën fillore të Valit.

val3

Mesuesi Emin BALA, shtator 1954

Në vitin 1955, shkolla e Valit frekuentohej nga 75 nxënës, ndërsa në vitin 2016, kjo shkollë nuk ekziston, është mbyllur. Ata pak fëmijë, që ende jetojnë në këtë fshat të bukur me tradita historie dhe kulture, e sfidojnë braktisjen dhe indiferencën e qeverisë aktuale, duke marrë mësimet nga prindërit arsimdashës. Këta femijë të braktisur nga politika aktuale, së paku mësojnë nga prindërit të shkruajnë dhe të lexojnë, që të mos mbeten analfabeta në jetën moderne të shekullit XXI.

val4

Ndërtesa e shkolles te Valit, e shkatërruar ne vitin 2016

Shkolla ndodhej në lagjen e Balajve, në këmbët e shpatit të malit të Mendrës, buzë rrugës, që në lakadredhje e përshkon anash tëre luginën e hiroshe, të shtrirë mes maleve, që lartësohen ashpër drejt qiellit, me kreshtat e përhimta, që çdo mëngjes puthen ëmbëlsisht nga rrezet e diellit. Dikur, shkolla ngrihej në qendër të kesaj lugine me bukuri gjysëmhyjnore e gjysëm profane, ku malesorët trima, puntorë, të mençur dhe arsimdashës, i kanë dhëne jetë kësaj mrekullie të natyrës.
Ndërtesa e shkolles ishte njëkatëshe, me një dhomë te madhe ku zhvillohej mesimi kolektiv për të katër klasat. Bankat ishin vendosur në tre rradhë dhe me nga tre nxënës në një bankë.
Para shkollës shtrihej një shesh i vogël, ku nxënesit rrjeshtoheshin, para fillimit të mësimit dhe ku argetoheshin në pushimin e madh. Zerat gazmore të fëmijëve, të shoqëruara nga cicërimat e laureshave, jehonin si melodia e një simfonie fëminore, në atë luginë hiroshe, të mbuluar me gjelbërim smerald. Ky gëzim feminor i jepte gjalleri jetës malesore, nga shkolla e vogël e Valit.
Për kompletimin e programit dhe të planeve mësimore për të katër klasat, mësues Emini zbatonte kriteret e mësimit të alternuar, klasa e parë dhe e treta së bashku e në vazhdim zhvillonte mësimet me klasen e dyte dhe te katert. Kjo metodë didaktike ishte tepër impenjative, sepse mësuesi duhej të alternnonte lëndët e ndryshme, për të katër klasat. Këtë aktivitet didaktik, Emini e programonte në ditar, të ndarë për sejcilën klasë.
Për këtë metodë mësimdhënie, Emini tregon: “Kur me klasën e parë zhvilloja mesimin e abetares, klasës së tretë i jepia detyrat e arithmetikës, kur nxënësit e klasës së parë kishin bukurshkrim, me klasën e tretë bëja kontrollin e dijeve, ndërsa kur klasa e parë zgjidhte detyrat e arithmetikës, me klasen e trete spjegoja temen e kendimit dhe te arithemtikes. Mësimet fillonin me dy klasa sëbashku, e 1° dhe e 3°, ndersa klasa e 2° dhe e 4°, vinin dy orë më pas dhe iknin dy orë me vonë”.

Para se të fillonte mësimin me klasën e 2° dhe të 4°, Emini i vinte nxënësit e klasës së 1° dhe të 3°, të studionin në mënyrë të pavarur në klasë, të lexonin dhe të bënin disa detyra me shkrim.

val5

Mars 1955: Mësues Emin Bala me një grup nxënësish të shkollës fillore të Valit.

Orët e mësimit të muzikës dhe të fiskulturës i zhvillonte së bashku me të katër klasat.

val6

Abetarja e vitit 1886, e hartuar nga Sami Frasheri, e përdorur nga nxënësit martaneshas, në shkollën e parë shqipe në vitin 1889.

Në oren e muzikes, tingujt e këngës thyenin qetësinë magjepse të kësaj lugine madhështore, ndërsa lojrat në orën e fiskulturës shoqëroheshin me britma gazmore.

val7

Abetarja e viteve 1950 – 1960

Loja e futbollit me top llastiku, ishte kulmi i argëtimit të djemeve. Shpesh topi i llastikut çpohej, madje dhe çahej, por djemt nuk dekurajoheshin, e mbushnin me lecka dhe kështu vazhdonin lojën.
Lojrat e vajzave ishin më pak zhurmuese, ishin më delikate. Një pjesë luanin me “rrasa”, të tjerat lojën e “kapjes së shamise” dhe më rrallë loja “lufta” me top leckash.
Pasi i përfundonte mësimet me klasën e parë dhe të tretë, mësues Emini vazhdonte dhe dy orë te tjera mësimi me klasën e dytë dhe të katërt, që si kuptohet largoheshin dy orë më vonë nga shkolla. Në ato vite, mjetet mësimore si librat, fletoret, lapsat, penat dhe boja e shkrimit, siguroheshin me vështirësi, madje për ato interesohej vetë mesues Emini, i cili shkonte dhe i merrte në Planin e Bardhe, ose në Klos dhe i transportonte me mushka deri në Val.
Për bojën e shkrimit, prindërit e fëmijëve bënin një zgjidhje praktike shumë efikase, tradicionalisht e pergatisnin bojën duke shtrydhur frutat e shtogut, që prodhonin një bojë ngjyrë violet të errët, që nuk fshihej dhe pasi shkruanin në fletore e thanin shkrimin duke hedhur pluhur hiri, ose pluhur shkumësi, që mbetej pasi shkruhej në dërrasën e zezë të klasës.
Mjetet ilustruese si, tabelat, hartat, tabelat e shumëzimit dhe mjetet e tjera didaktike ishin të pakta, madje të pa mjaftueshme për të ilustruar temat e mësimit, por këto mangësi mësuesi Emin Bala i plotësonte duke spjeguar dhe komentuar me pasion.
Këto kushte të vështira të asaj kohe, mësuesi Emin Bala i përballonte me përkushtim profesional, me korrektesë dhe pasionin për t’i arsimuar fëmijet, për t’iu dhënë dije, ashtu si edhe nxënësit nga ana e tyre, impenjoheshin të mësonin sa më mirë.
Fshati nuk kishte energji elektrike, si kuptohet nuk kishin as radio, gazetat dhe revistat vinin rrallë, andaj shkolla ishte jo vetëm qendra e arsimimit, por dhe e përhapjes të kulturës dhe të artit.
Veprimtaritë jashtshkollore ishin të pakonsiderueshme, kryesisht kufizoheshin me ndonjë lojë futbolli për djemtë dhe me eksursionin në Qytezë, që organizohej për të festuar ditën e verës.
Në muajin maj të vitit 1958, mësues Emini mori një letër nga Seksioni i Arsimit i rrethit të Matit, që e njoftonte, se do të zhvillohej olimpiada e grupeve teatrale të pesë shkollave të Lokalitetit, dhe fituesja në këtë aktivitet lokal, do të shkonte për konkurim në olimpiadën e shkollave të rrethit.
Ky njoftim – urdhër, e preokupoi Eminin, sepse ishte një veprimtari që zhvillohej për herë të parë me nxënësit e kësaj shkolle dhe për më tepër nuk kishte ekzistuar dhe nuk ekzistonte ndonjë grup teatral e duhej organizuar, por duhej dhe pjesa teatrale, që t’i pershtatej moshës së nxënësve të fillores. Botimet me pjesë teatrale të kësaj natyre dhe për fëmijët, ishin shumë të rralla.
Kështu me këto preokupime, Emini filloi të mendoi të gjente një rrugëzgjidhje dhe të gjente një pjesë teatrale për fëmijët e moshës të shkollës fillore.
Në ato vite, grupet teatrale në shkollat e fshatit, shfaqnin një dramatizim të shkurtër të romanit të Haki Stermillit “Sikur të isha djalë”, por kjo pjesë nuk i pershtatej fëmijeve te moshes te shkolles fillore. Kjo pjese teatrale ishte aktuale për rininë fshatare, pasi trajtonte një rrethanë preokupante në një shoqëri të paemancipuar, që ua imponote fatin vajzave, të cilat duhej t’i nënshtroheshin dhe t’i bindeshin ligjeve patriarkale, që mbysnin dëshirat e të rinjëve dhe shuanin ndjenjat e dashurisë. Kush ngrinte krye kundër ketyre “ligjeve kanunore”, e priste turpërimi dhe ndeshkimi i rrepte, psh në Martanesh, vajzës i prisnin flokët, poshtrimi me i rende qe i behej nje femre. Problemet, që trajtonte Haki Stermilli ishin aktuale dhe në banorët e trevës së Martaneshit, por ky argument nuk i përshtatej moshës të nxënësve të shkollave fillore.
Me këtë arsyetim, Emini e konsideroi te papershtateshme këtë pjesë teatrale, andaj filloi të mendoi për nje zgjidhje më të mirë, që t’i përshtatej dhe aktualitetit.
Në gjysmën e dytë të viteve ’50, në vendin tonë ishin intensifikuar urdhërat e Partisë për krijimin e kooperativave bujqësore, sidomos në zonat fushore dhe më pak në zonat malore.
Krijimi i kooperativave në fshat, propogandohej si aktivitet vullnetar, pra duhej që familjet fshatare të vendosnin “pa imponim” në se dëshironin të bashkoheshin në kooperative, por nga ana tjetër, dihej se kush nuk pranonte, apo kundërshtonte, kritikohej ashper nga Partia dhe rrezikonin te cilësoheshin kulakë.
Fushata e krijimit të kooperativave bujqësore ishte në qendër të politikës të PPSH, kësisoj ishte vënë në epiqender të propogandës, madje dhe estradat i trajtonin këto aspekte, kështu vinin në lojë qendrimet mëdyshje dhe kundërshtimet e fshatarëve, që nuk donin të bashkoheshin me të tjerët.
Disa muaj më parë, Emini kishte ndjekur një shfaqie të estradës të Tiranes, ku nëpërmjet satirës kritikohej ky aspekt, pikërisht dilema “të hyj, apo te mos hyje në kooperative”.
Në këtë skeç trajtohej rasti i një kryefamiljari, i cili nuk donte të hynte në kooperativë dhe kur drejtuesit e partisë e thirrën dhe i kërkuan arsyet përse nuk pranonte, ai iu pergjigj: “Unë dua, por nuk pranon gruaja dhe po pranova, ajo do të ndahet me mua dhe atëhere kush do te m’i mbaj pesë femijët, kooperativa?”
Kësisoj u provoi ta justifikoi qëndrimin e tij, por nuk kishte menduar, se shokët e partisë do ta thërrisnin gruan e tij dhe kur e pyetën ajo u tha: “Unë jam dakort, por burri nuk do e më ka thënë, se po te pranoj do të më ndaj”. Nje situate sa komike, aq dhe ironike per vendimet e kolektizimit. Këtë skeç të estradës, Emini vendosi ta shndërroi në një pjesë teatrale të shkurtër për fëmijët, andaj u ul dhe shkroi skenarin e minikomedisë me titull «Dua të hyj, po nuk ma mban». Natyrisht pjesën e estradës e zgjeroi dhe e pasuroi me episode të tjera nga jeta shoqërore e fshatit, p. sh trajtoi me shumë humor aspektet e komunikmit mes burrit dhe gruas. Si kuptohet, këto janë ndodhi të rreth 60 viteve të shkuara dhe në atë kohe, mardheniet patriarkale ne familje dhe në kolektivin fshatar, diktonin raporte të ngurta mes burrit dhe gruas. Kështu p.sh burri nuk e thërriste me ermër gruan, por “oj ti”, ose me emërin e vet të shndërruar në emër femërore, p.sh burri me emërin Kadri, kur ndodhej ne kolektiv dhe në famije e therriste gruan Kadrije, ndërsa kur ishin vetëm, i drejtohej me shumë delikatesë dhe me emblësi në emërin e saj të vertetë.
Keshtu Emini, shkroi skenarin e pjesës teatrale, duke kombinuar me humor dy aspekte të kohës, krijimin e kooperativave bujqësore dhe luftën për emancipimin shoqëror, të familjes dhe në veçanti të femrës malësore.
Pasi e përfundoi tekstin e kësaj minikomedie, Emini organizoi grupin teatral me nxënësit e klasës së katërt dhe me dy nga klasa e tretë. Grupi teatral zhvilloi provat ne shkolle, pas mbarimit te mësimeve. Kështu pra, mesuesi Emin Bala u be skenarist dhe regjizor i grupit teatral me nxënësit e shkollës fillore të Valit. Ky ishte dhe grupi i parë teatral në historinë e trevës të Martaneshit.
Aktorët e kësaj pjese teatrale ishin nxëneset dhe nxënësit:
Hanife Shyqyr Saliu
Mehmet Jonuz Saliu
Fatime Ibrahim Bala
Fatime Beqir Bala
Kasem Shaqir Bici
Jashar Dalip Bala
Selime Jonuz Rama
Peme Sali Saliu
Shpetime(??) etj.
Hanife Saliu dhe Jonuz Saliu, ishin dy aktorët kryesor të kësaj minikomedie.
Kur po afrohej dita e konkurimit, mësues Emini vendosi, që grupi i vogël teatral ta shfaqte këtë mikrokomedi në fshat. Kjo do të ishte si prova gjenerale.
I porositi të gjithë nxënësit, t’i ftonin prindërit të shihnin shfaqien e teatrit të shkollës. Një ditë të djele pasdite, në oborrin e shkollës, para një mase të madhe spektatorësh, grupi teatral interpretoi komedine«Dua të hyj, po nuk ma mban».
Interpretimi i çiltër dhe me impenjim admirues i aktorëve të vegjël, iu dhuroi emocione të bukura bashkënxënësve, prinderve dhe banorëve të pranishëm në shfaqie, por gjithashtu ndikoi, që aktorët të çliroheshin nga emocionet, nga ndrojtja dhe të ishin të lirshëm në  realizimin e roleve të tyre.
Kjo ishte shfaqia e parë teatrale, në historine e këtij fshati të thellë malor.
Artistët e vegjël interpretuan shumë bukur, natyrshëm duke krijuar entusiazëm, humor dhe gjallëri mes nxënësve, por dhe banorët e mirëpritën dhe e inkurajuan këtë nisëm të bukur arti dhe kulture.
Në veçanti, mësuesi Emin Bala nuk e përmbante gëzimin, ishte i pushtuar nga entusiazmi, sepse me këtë shfaqie teatrale, realizoi një metode edukimi të re, duke bërë art në shkollë.
Prindërit mallëngjeheshin kur shihnin sa bukur i interpretonin rolet fëmijët e tyre, të cilët atë ditë shprehen dhe një aftësi tjetër, që ata vetë nuk e kishin njohur, i panë fëmijët në rolin e artistave.
Në ditët e sotme, këto lloje aktivitetesh artistike me nxënësit vlerësohen shumë dhe inkurajohen të përgjithësohen. Në sistemin e shkollave angleze quhet “Teatri në edukim”, i praktikuar si metodë pedagogjike, që bashkon filozofinë e edukimit me kulturën.
Fëmijët, prindërit dhe banorët, që ndoqën shfaqien teatrale të shkollës së Valit, nuk ishin thjeshtë spektatorë, por bashkëpjesmarrës dhe bashkëkrijues të një rrëfenje reale, e cila dhe se me karakter humoristik, në fakt nxiste refelektim, respekt, kulturë, ashtu si shprehte dhe rëndësinë e shkollimit.
Në veren e vitit 1958, mesuesi Emin Bala e pasuroi programin e mësimeve me një element të ri, me teatrin, një aktivitet jashtshkollor, jasht programeve të shkollës tradicionale, duke kontribuar në krijimin e klasave pa mure dhe zgjerimin e njohurive dhe të kulturës që ofron shkolla.
Kjo shfaqie teatrale i ndihmoi nxënësit të forcojnë aftësitë e komunikimit, zhvillimin e aftësive të bashkëpunimit mes tyre dhe të lidhjes të mësuesit me nxënësit. Gjithashtu, si aktivitet kulturoro-pedagogjik dhe me temat delikate që trajtoi, kjo shfaqie teatrale ndikoi në emancipimin dhe rritjen e kulturës të shoqërisë malësore.
Rreth historisë të këtij grupi teatral mësuesi Emin Bala tregon: “Nuk e kisha njohur këtë botë të pasur të nxënësve të shkollës time! Shfaqia teatrale më dha mundësinë të shoh te nxënësit aftësi, që nuk i kisha vënë re më parë dhe kjo, ngase teatri, si metodë pune krijoi një tjetër paradigmë në klasat, u krijoi nxënësve kushtet për t’u shprehur, sidomos atyre, që nuk ishin shumë të zellshëm në përvetësimin mekanik të mësimeve apo dijeve, që duhej edhe t’i riprodhonin”.
Kjo dëshmi përforcon mendimet se metoda pedagogjike “Edukimi nëpërmjet kulturës”, është krijuar dhe zhvilluar si një mjet, që hap horizonte të reja në edukim dhe i ndihëmon nxënësit, duke nxitur fantazinë dhe mendimin krijues, kështu bashkojnë logjikën me ndjenjat e tyre, por edhe për mësuesit është një pervojë e vlefshëme, për të pasuruar metodat e edukimit.
Këto janë dimensionet e gjëra shoqërore, që ofron kultura e marrun nga shkolla.
Pas kësaj shfaqie të suksesshme, mësues Emini u bind se grupi teatral ishte gati të prezantohej në olimpiadën e shkollave të lokalitetit, por asnjera nga shkollat e Martaneshit, madje as ajo unike, nuk mundën të organizojne grupe teatrale, kësisoj konkurimi lokal dështoi.
Në këto rrethana, seksionet e arsimit dhe të kulturës të rrethit të Matit, vendosen që  grupi teatral i shkollës të fshatit Val, të kualifikohej dhe të konkuronte direkt në olimpiadën shkollave të rrethit.
Ky lajm e preokupoi mësues Eminin, si për udhëtimin e nxënësve për në Burrel, por më tepër për shpenzimet e udhetimit, fjetjes dhe ngrënies, se askush nuk do t’i rimborsonte. Këto shqetësime ua prezantoi prindërve të këtyre nxënësve, të cilëve u foli dhe për rëndësinë e këtij aktiviteti.
Të gjithë prindërit njëzëri pranuan t’i lejojnë fëmijët e tyre të shkonin në këtë aktivitet të rëndësi-shëm kulturor dhe megjithë se ishin familje të varfëra dhe me veshtiresi financiare, vendosën t’i përballojnë vetë shpenzimet për udhetimin dhe qëndrimin për dy net hotel në qytetin e Burrelit.
Një ditë të djele, herët në mëngjes pa lindur dielli, mësues Emini dhe artistët e vegjël, u nisën në këmbë, në dhëtimin e gjatë për në Burrel. Ishin të gëzuar, se do të konkuronin në olimpiade, por dhe sepse do të shikonin për herë të parë qytetin e Burrelit. Kaluan nëpër luginën e hijëshme të Valit, u ngjitën pjerrtas shkalles te Korbit dhe pasi kaluan Qafën e Gurit, zbritën brinjës së pjerrtë e të veshtirë të Blishtes. Kur arritën buzë lumit, u ulën pranë krojit, për të ngrënë ushqimet, që ua kishin përgatitur nënat e kujdesshme. Të gjithë kishin bukë misri me gjizë dhe nga një vezë të zier.
Pas një pushimi të shkurtër, vazhduan rrugën e pasi e kaluan Planin e Bardhë, u ngjitën në Qafën e Madhe, ku pritën të hypnin në makinat, që transportonin kromin e Bulqizës për në  Durrës.
Së bashku nuk mund të udhëtonin, pasi në kabinat e Škodave mund te hypnin vetëm tre persona, andaj Emini i ndau në grupe. Fillimisht u nisën djemt, të cilit i porositi të prisnin së bashku në hyrje të qytetit dhe me pas ai me vajzat.
Pasi arrijti grupi i vajzave, të gjithë së bashku u nisën për në qendër të qytetit, ku ndodhej hotel.
Në krye të grupit ecte mesues Emini, pas tij djemt dhe në vazhdim vajzat me veshjet e bukura me fustanella të bardha, me jelek me gajtana dhe varse elegante. Ishin vënë në kolonë njeri pas tjetrit, ecnin si ne fshat, pra meshkujt para dhe vajzat pas. Burrelasit qeshin me te madhe, kur i shihnin të vendosur në kolonë njeri pas tjetrit me djemtë para dhe vajzat pas.
Kur e kuptoi arsyen e ilaritet, Emini i i vendosi vajzat ne krye dhe pas tyre vazhdoi vetë me djemtë. Ishte hera e parë, që këta malësorë vocrrakë shkonin në qytet, andaj veshtronin me kureshtje rreth e rrotull e sidomos ishin të befasuar kur shihnin rrugët e shtruara bukur me kalldrëm gurësh lumi, pasi ne vendlindje ishin mësuar të ecnin në rrugë të ngushta dhe në shtigje të ashpra malore.
Vajzat qeshnin me njera tjetren, kur shihnin moshataret e tyre, vajzat dhe gratë e veshura me fustane dhe funde allafranga. Para se të dilnin në kryqezimin e qendrës, u ndodhën para librarisë dhe të gjithë në grup u ndalën dhe shihnin me kureshtje morinë e madhe të librave në rafte dhe me nje ton keqardhje e pyetën mësues Eminin: “Pse nuk kemi dhe ne kaq shumë libra?”
Me këto biseda e kuriozitete, arrijtën në hotel. Pasi u sistemuan nëpër dhoma, shkuan në restorant të hanin drekën, por ishin të vonuar, kishte tepruar vetem pilaf dhe kos. Pasi drekuan, dolën në shetitje nëpër qytet e në vazhdim bënë disa vizita në familjet martaneshase, që banonin ne Burrel.
Ditën e hënë në mengjes, në sallën e Shtëpisë së Kulturës, që ndodhej para lulishtes së bukur të qytetit, u zhvillua ceremonia e hapjes të olimpiades të teatrove të shkollave të rrethit të Matit.
Pas fjalimeve dhe pershendetjeve filloi konkurimi, sipas rradhës, që kishte përcaktuar juria.
Salla ishte e mbushur plot me spektatorë, qytetarë të Burrelit, si dhe me grupet konkuruese, madje kishte dhe nga ata që rrinin në këmbë në pjesët anësore të sallës. Grupi i artistave valatosa mbeti në fund të sallës, në pritje të rradhes të konkurimit. Kështu filluan shfaqiet teatrale të shkollave të fshatit dhe të qytetit te Burrelit.
Publiku i mirëpriste dhe i duartrokiste shfaqet e nxënësve, kësisoj i inkurajonin dhe u krijonin një atmosferë gëzimi artistave të vegjël.
Se fundi erdhi rradha grupit të Valit, qe konkuruan me grupin e shkollave te Klosit.

Djemt dhe vajzat valatose, me veshjet karakteristike të trevës, dolën në skenë me pak ndrojtje, por shpejt u integruan ne rolet. Shfaqia vazhdoi rrjedhshëm, me saktësi në interpretimet e roleve, te dialogeve dhe me lirëshmëri admiruese, madje shpesh herë në publiku shperthente me të qeshura nga batutat e bukura plot humor të aktoreve të vegjël.
Mësues Emini rrinte prapa perdes, në anë të skenës dhe ndiqte me vemendje interpretimet e këtyre aktorëve të vegjël, që ishin impenjuar në realimin sa më bukur të roleve në këtë minikomedi.
Sapo mbaroi shfaqia, publiku shpertheu në duartrokitje të vazhdueshme, çka tregonte se e vleresun interpretimin e nxënësve të shkollës së Valit. Pas shfaqies, kryetari i jurise kërkoi mësues Eminit listën e emërave të aktorëve sipas rolit që interpretuan.
Pasdite u shpallën rezultatet e olimpiades te grupeve teatrale te shkollave te rrethit te Matit.
Kryetari i jurisë, pas një diskutimi vleresues për këtë aktivitet të bukur shpalli fituesit.
Vendi i tretë shkolla e Klosit, vendi i dytë shkolla 7 vjeçare e Burrelit dhe vendin e parë dhe fituesi e flamurit të olimpiadës te teatrove të shkollave të rrethit të Matit, shpalli grupin teatral të shkollës fillore të fshatit Val, me komedinë «Dua të hyj, po nuk ma mban».
Ishte vlerësim i merituar, që u mirprit dhe u duartrokit nga publiku dhe nga nxënësit e shkollave të tjera. Gëzim dhe entusiazëm i madh, për valatosat e vegjël dhe mësuesin Emin Bala.
Në vazhdim juria shpalli Hanife Shyqyr Saliu, interpretuesen më e mirë në olimpiadën teatrale dhe i dhuruan një shishe parfumi 1 litërshe. Aktorëve e tjere te grupit të Valit, iu dhanë dhurata simbolike, ndërsa mësuesi Emin Bala mori fletë nderi. Ishte një sukses i madh dhe i paparashikuar.
Pasi përfundoi ceremonia e ndarjes të çmimeve dhe po dilnin nga salla, Hanife Saliu po tentonte të hiqte tapën e shishes të parfumit, por shishja i rrëshqiti nga duart, ra në dysheme e u thye dhe salla u mbush me aromën e fortë të parfumit.
Ndërsa Hanifia qante për këtë aksident, ata që kishin mbetur ende në sallë, filluan të qeshin e të ngjyenin këmbët me parfumin kundërmues, që u përhap në dysheme. Ky aksident ishte finalia e trishtueshme e komedisë, që interpretuan nxënësit e shkollës fillore të fshatit Val.
Të nesërmen, mësues Emini, së bashku me nxënësit e grupit teatral, u kthyen triumfues në fshat. Me kerkesen e banoreve te Valit, grupi teatral dha dhe disa shfaqie të tjera.
Veprimtaria amatoriale e grupit teatral të vitit 1958, ndikoi që ky grup nxënësish, në vitet e më vonëshme, të integrohen aktivisht në shumë veprimtari artistike lokale dhe kombëtare, madje të nderohen dhe me çmime.

val8

Mësuesi Emin BALA, me nxënës të shkollës fillore të Valit në vitin 1958

Në përfundim të vitit arsimor 1958, Emin Bala shkoi të kryente shërbimin ushtarak  në marinë dhe në vendin e tij u emërua mësuesi Dan Biçaku.
Në vitet në vazhdim, në shkollën e Valit shërbyen disa mësues si: Abdi H Gjoni, Ibrahim Çela, Nuri Peshku, Ali Balla, Qemal Demiri, Jonuz Lika, Hamdi Meta, Bajram Deda, Shefqet Prespa, Kujtim Kryeziu, Haqif Llleshi, Asllan Polla, Ahmet Koliqi, Ismail Mira, Harif Tafa, Avdi Tusha, Abdyl Kaja, Daut Shurdhi, Hamit Spahiu, Sali Xira, Qemal Bala, Pellumb Memaci, Hyqmete Mjeshtri, Agim Mjeshtri, Esat Lasku etj., ndërsa në vitin 2016 shkolla nuk ekziston.

Kthehu mbrapa

Shto koment