SHKOLLA E BONILËS NË JANINËN E ALI PASHË TEPELENËS

09.02.2016 (komentet: 0)

Mbi një institucion më pak të njohur deri më tani

 

Ali Pashë Tepelena 1740 – 1822 themelues dhe sundimtar autokrat i Pashallëkut të Janinës në periudhën 1787 – 1822, përveç kontributeve tjera, meriton të përmendet edhe për kontributin e tij në zhvillimin e veprimtarisë edukative, arsimore dhe shkollore për nënqiellin e periudhës në fjalë. Shikuar nga ky aspekt dhe për rrethanat e asaj kohe, Aliu na paraqitet madje si novator. Në këtë kuadër spikat edhe një institucion më pak i njohur deri më tani e që është e ashtuquajtura Shkolla e Bonilës.

 

Gëzim Bullaku

Bonila si vendbanim i vogel, paralagje e Janinës, shtrihej në një distancë prej rreth 2 kilometrave nga Janina. Lidhur me këtë, diplomati francez i asaj kohe Fransua Pukëvili shkruan: “Ajo është ndërtuar mbi një plan të rregullt dhe formon një kuadrat të përkryer: të tri anët e saj, lindja, jugu dhe perëndimi janë zënë nga shtëpitë ndërsa pjesa tjetër është tani një hapësirë e hapur,” thotë mes tjerash Pukëvili dhe vazhdon: “... Në pjesën perëndimore të Bonilës, është një portë; po ashtu edhe në anën lindore është një portë tjetër e cila të dërgon në kopshtet e pashait. Popullsia e Bonilës është kryesisht bullgare e të cilët qeverisen nga një aga i cili emërohet nga Ali Pashai. Këta njerëz së bashku me familjet u sollën këtu nga atdheu i tyre në kohën e ekspeditës së Aliut kundër Pasvan Oglusë. Në lindje të Bonilas ndodhen pallatet dhe kopshtet e bukura të Pashait. Aty afër ndodhet edhe shkolla e artilerisë e drejtuar nga Koloneli Sharbonel.”

Dihet se më 1 qershor të vitit 1798 Aliu përmes një letre që i dërgonte Napoleon Bonapartës, mes tjerash i kërkonte edhe katër oficerë ushtarak të cilët do ti shërbenin si instruktorët e parë të forcave të armatosura. Mirëpo, fillimi i veprimtarisë së Shkollës së Bonilës është i lidhur me të ashtuquajturën “afera e Madonna di Montenegros.” Madonna di Montenegro ishte një anije italiane nga qyteti i Livornos. Më 26 tetor të vitit 1798 ajo u nis nga porti i Aleksandrisë për në Europë. Në ekuipazhin e kësaj anijeje bënin pjesë një varg personalitetesh të shquara të artit dhe të shkencës si p.sh. François Pouqueville – diplomat dhe shkrimtar francez,  Julien Bessières – anëtar i Komisionit të Shkencave dhe Arteve të Egjiptit, Alexandre Gérard – anëtar i Komisionit, Joseph Charbonnel – ushtarak dhe kolonel i artilerisë,  Jean Poitevin – kolonel  i xhenios, Marko Guerini - inkuizitor i Maltës pastaj komisarët Fornier dhe Beauvis,oficerët e marinës,  Joie dhe Bouvier, si dhe njëfarë Mathieu. Më 26 nëntor të vitit 1798, afër brigjeve italiane të Kalabrisë,  anija në fjalë sulmohet dhe robërohet nga një anije e piratëve tripolitanë (libianë). Pas robërimit anija italiane së bashku me robërit dërgohet në portin e Navarinit, ku Joye dhe Fornier i dorëzohen zyrtarit otoman Kadri Pasha kurse të tjerët dërgohen në Butrint për tu shitur në tregun e skllevërve. I njoftuar me situatën në fjalë, Ali Pasha, së shpejti arriti në Butrint. Udhëheqësin e anijes pirate libiane e dërgoi në gjyq ku pas kësaj Aliu u detyrua të paguante për lirimin e Poitevinit, Charbonnelit, Bessieresit, Bouvierit dhe Guérinit.

Pashai e vendosi kolonelin Sharbonel në krye të shkollës së sapo hapur ushtarake në Bonila, afër Janinës ndërsa pjesën katër të tjerët i angazhoi në veprimtari dhe aktivitete tjera. Aliu i dha Sharbonelit  komandën e të gjithë asaj pjese të ushtrisë së tij, dhe e detyroi atë të vishet me një kostum shqiptar. Në të vërtetë, aq i kënaqur ishte Pashai me sjelljen dhe aftësitë e tij, sa që vetëm për hir të tij, i liroi të gjithë oficerët franceze nga një gjendje izolimi në të cilën ata kishin jetuar për gati një muaj. Sa për kolonelin Sharbonel, ai ka jetuar gati gjithmonë në Bonila, pallatin e Pashait, ose në atë Vezirit, e të cilin ai e shoqëroi edhe në disa ekspedita. Ky institucion, pra Shkolla e Bonilës, në disa burime dhe nga disa autor, ndryshe quhet shkollë e artilerisë.

Përveq shkollës ushtarake, në Bonila, Ali Pashë Tepelena, kishte ngritur edhe një fonderi artilerie për prodhimin e topave dhe bombardave. Këtë fonderi e drejtonte një italian, të cilit nuk i mungonin aftësit profesionale. Italiani edhe më pare kishte punuar në të njëjtin profesion në atdheun e tij, në qytetin e Toskanës. Në Bonilë ndodheshin edhe çifligjet dhe kopshtet më të bukura të Aliut ashtu si edhe një pallat. Dy herë në vit organizohej edhe panairi i tregtisë, e ku merrnin pjesë tregtarë kombësish të ndryshme.

Në një botim të vitit 1822, me titull “The Life of Ali Pacha, of Janina: Vizier of Epirus, Surnamed Aslan, or the Lion:From Various Authentic Documents” e që i përshkruhet shkrimtarit dhe studiuesit anglez Richard Alfred Davenport, mes tjerash thuhet se në Bonila, Aliu kishte ngritur, krahas shkollës (poligonit) të armëve të zjarrit edhe një shkollë tjetër ushtarake.

Për Shkollën e Bonilës i pari ka shkruar diplomati dhe shkrimtari francez i asaj kohe Fransua Pukëvili (François Pouqueville), në veprën “ Travels in the Morea, Albania, and Other Parts of the Ottoman Empire.” Më vonë, këtë institucion edukativ e arsimor e përmendin edhe udhëpërshkrues e studiues të shumtë. Mes tyre duhet cekur: historianin francez Alphonse de Bauchamp, në veprën “ Vie d'Ali Pacha, Visir de Janina, Surnommé Aslan, ou Le Lion,” poetesha franceze Adélaïde Gillette Dufrenoy, në veprën “ Beautés de l'histoire de la Grèce moderne, ou Récit des faits mémorables des Hellènes, depuis 1770 jusqu'à ce jour ...” biografi francez Louis Mayeul Chaudon, në veprën “ Dictionnaire historique, critique et bibliographique, contenant les vies des hommes illustres, célèbres ou fameux, de tous les pays et de tous les siècles, suivi d'un dictionnaire abrégé des mythologies, et d'un tableau chronologique des événements les plus remarquables qui ont eu ..., Volume 27,” gazetari francez Gabriel Remerand,  në veprën “Ali de Tébélen: Pacha de Janina (1744-1822),” historiani dhe shkrimtari francez Fréderic François Guillaume de Vaudoncourt, në veprën “Memoirs on the Ionian islands: considered in a commercial, political, and military, point of view: in which their advantages of position are described, as well as their relations with the Greek continent; including the life and character of Ali Pacha, the present ruler of Greece; together ...” pastaj shkrimtari anglez Richard Alfred Davenport, në veprën “ The life of Ali pasha of Tepelini,” inxhinieri ushtarak anglez koloneli George Thomas Landman, në veprën “A universal gazetteer; or, Geographical dictionary of the world,” bibliografi belg François Xavier de Feller, në veprën “ Geschiedkundig woordenboek, of Beknopte levensbeschrijvingen van mannen, die, van het begin der wereld tot op onzen tijd, zich door vernuft, begaafdheden, deugden, dwalingen of misdaden hebben beroemd of berucht gemaakt ...” shkrimtari anglez William Plomer, në veprën “ The diamond of Jannina; Ali Pasha, 1741-1822,” historiani turk Ilker Demir, në veprën ( tezë e masterit ) “ Tepedelenli Ali Pasha And The West: A History Of His Relations With France And Great Britain,” etj. Shkolla e Bonilës gjithashtu përmendet edhe në “ Neue Leipziger Literaturzeitung,” të vitit 1806, në “ The General Gazeter,”  të vitit 1820, si dhe në një varg burimesh të tjera. Nga studiuesit dhe shkrimtarët shqiptar,  këtë institucion edukativ e arsimor e kanë përmendur: Sabri Godo,  Ilir Ushtelenca, Pirro Tase, Irakli Koçollari, etj.

Lidhur me atë se sa ka zgjatur veprimtaria e këtij institucioni edukativ e arsimor me karakter te veçantë është veshtire të thuhet me saktësi por gjykuar sipas burimeve të lartpërmendura del se Shkolla e Bonilës përfshinë një hark kohor prej rreth dy dekadash 1798 – 1822.

Nuk ka të dhëna lidhur me atë se çka ndodhi me Shkollën e Bonilas pas eliminimit të Ali Pashë Tepelenës. Vetëm disa dekada më vonë, Sami Frashëri në veprën“Kamuls al – alam,” në vëllimin VI, botuar në Stamboll, në vitin 1898, do të shkruaj se “në periferi të Janinës është një kala, e cila ka mbetur që nga koha e Ali Pashë Tepelenës, rreth së cilës janë disa objekte ushtarake e të cilat përdoren për mësimin e ushtrisë.




Dokumente:

C:\Users\dell\Desktop\Bo.png

François-Charles-Hugues-Laurent Pouqueville: Voyage en Morée, à Constantinople, en Albanie et dans plusieurs autres parties de l'empire othoman, pendant les années 1798, 1799, 1800 et 1801...



C:\Users\dell\Desktop\Boni.jpg

Një paragraph nga vepra: The Life of Ali Pacha, of Janina: Vizier of Epirus, Surnamed Aslan, or the Lion, botuar nga Lupton Relfe, në Londër, më 1822, fq. 93.

 

C:\Users\dell\Desktop\UntitledBo.png

Një paragraf nga “ Neue Leipziger Literaturzeitung,” botuar në Leipzig më 1806

http://www.telegrafi.com/fo/2010/janina.jpg

Gazeta e qytetit të San Franciskos (SHBA), e datës 17 prill 1897.

/kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment