Shkëmbim ditësh për zëvendësim të mësimit

25.02.2012 (komentet: 0)

Të gjitha shkollat e Kosovës do të kompensojnë orët e humbura mësimore gjatë dy javëve të shkuara, të cilat u shpallën pushim si pasojë e temperaturave të ulëta që mbizotëruan në Kosovë, e që u miratua për të gjitha shkollat nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës në nivel vendi.

Anita Kadriu 
Janë rreth dy javë të humbura mësimi për shkak të borës dhe ngricës. Nxënësit dhe mësimdhënësit, të cilët para dy javësh iu gëzuan këtij pushimi, do t’i kompensojnë të gjitha ditët e mësimit që u pezulluan.

MASHT ka vendosur për dy opsione sesi do të kompensohet mësimi. Drejtori i Departamentit për arsim parauniversitar në MASHT, Alush Istogu, ka thënë të martën për “Zërin” se kjo ministri ka hartuar një agjendë sesi do të kompensohet fondi i orëve mësimore të humbura në shkollat fillore dhe ato të mesme të vendit.

Ministria, sipas tij lidhur me këtë çështje ka ardhur në përfundim të dy mendimeve zyrtare që janë inkuadruar në kalendarin e vitit shkollor.

”Është paraparë që mësimi të kompensohet duke i zëvendësuar orët e humbura me ditë të pushimit pranveror (që janë katër ditë gjithsej) dhe të inkuadrohen edhe të shtunat për të plotësuar fondin komplet të orëve”.

Istogu si mundësi të dytë ka theksuar që këto orë të plotësohen duke u zgjatur semestri, përkatësisht të kompensohen në fund të muajit qershor. Për të vendosur rreth njërit opsion, ai ka thënë se do të merret edhe mendimi i drejtorëve komunalë të arsimit.

Sipas tij, ministria ka kontaktuar me drejtorët dhe pret që ata të vendosin se cilën periudhë e shohin më të arsyeshme të kompensohet fondi i orëve që nuk u realizua dy javët e fundit. Ndërsa drejtorët komunalë janë në pritje të një sinjali nga Ministria për t’ua kumtuar shkollave.

Drejtori për arsim në komunën e Kaçanikut, Azem Guri, ka theksuar se ky kompensim i orëve mësimore të humbura do të bëhet në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës.

“Sot do të mbaj edhe një mbledhje me drejtorë të shkollave dhe do të marrim edhe rekomandimin e tyre rreth plotësimit të planprogramit mësimor”, ka thënë ai duke konfirmuar dhe një takim që drejtorët komunalë të arsimit kanë zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë. Pushimi pranveror, sipas kalendarit shkollor fillon më 10 dhe mbaron më 13 prill.

Kthehu mbrapa

Shto koment