Shkaqet e analfabetizmit

15.07.2016 (komentet: 0)

(HIVZI ISLAMI, STUDIME DEMOGRAFIKE, 100 VJET TË ZHVILLIMIT DEMOGRAFIK TË KOSOVËS)

 

Është fakt se shkalla e analfabetizmit në Kosovë dhe te shqiptarët është mjaft e lartë, veçanërisht në rajonet rurale dhe te popullata femërore në të gjitha tipat e vendbanimeve. Shkaqet themelore që kanë ndikuar në krijimin dhe ruajtjen deri në ditët tona të analfabetizmit mund të përmblidhen në disa, të cilët, në ndikimin e tyre, shpeshherë ishin reciprokisht të lidhur e të kushtëzuar. Këto shkaqe, sipas analizave tona, janë:

 

Së pari, përqindja e lartë e popullsisë analfabete në Kosovë dhe te popullata shqiptare është rezultat i gjendjes shumë të pavolitshme të trashëguar në fushën e arsimit e të kulturës, siç janë mungesa e plotë e shkollave fillore në gjuhën shqipe dhe diskriminimi kombëtar, social dhe kulturor i shqiptarëve për një kohë shumë të gjatë, që dëshmon niveli i analfabetizmit i brezave të të dy gjinive të moshës mbi 65 vjet.

Së dyti, ndonëse përpjekjet kryesore të zgjerimit të shkrim-leximit iu lanë sistemit të obligueshëm shkollor, të zbatuar pas Luftës II Botërore, megjithatë një numër i madh i të rinjve, të lindur pas kësaj lufte, mbeti analfabetë, që do të thotë se shkolla fillore si vatër kryesore e fitimit dhe e zgjerimit të shkrim-leximit dhe të dijes, veçanërisht në fshat, nuk e përmbushi detyrën e saj shumë të rëndësishme shoqëroro-arsimore që iu destinua. Një ndër arsyet e mospërmbushjes së këtij funksioni qëndron në faktin se në gjithë periudhën e pasluftës rrjeti i shkollave fillore nuk i mbulonte të gjitha vendbanimet (fshatrat), prandaj edhe mospërfshirja e fëmijëve ishte shumë e madhe, sidomos deri nga fundi i viteve të 60-ta (p.sh. në vitin shkollor 1970/71 ishin të përfshirë vetëm 86% të fëmijëve të moshës 7-14 vjet, ndërsa më vonë edhe pse kjo gjendje u përmirësua, përfshirja nuk ishte e plotë). Në anën tjetër, dispersiteti dhe shkapërderdhja e vendbanimeve fshatare është një ndër faktorët e rëndësishëm që kanë kushtëzuar që të gjitha fshatrat të mos kenë shkolla fillore deri vonë, e disa sish edhe sot. Por vështirësitë në përfshirjen e të gjithë fëmijëve të moshës shkollore, sidomos të gjinisë femërore, janë të lidhura edhe me faktin se edhe numri ekzistues i shkollave territorialisht nuk është as sot i distribuuar si duhet. Prandaj edhe largësia prej shtëpisë deri në shkollë ishte e madhe, ku fëmijët duhej ta bënin udhëtimin në këmbë nëpër terrene jo të përshtatshme kodrinore-malore. Sipas ligjit të atëhershëm të arsimit dhe edukimit elementar të Kosovës (1973), nxënësit e moshës 7-11 vjet liroheshin nga shkollimi i obligueshëm fillor nëse shkolla ishte larg më tepër se 4 km, si dhe nxënësit e moshës 11-15 vjet nëse kjo largësi ishte më tepër se 6 km. Në fakt, ky ligj u linte në kompetencë kuvendeve komunale që, për fëmijët e moshave të përmendura dhe për distancat e zëna në gojë të kujdeseshin lidhur me organizimin e transportit, të vendosjes dhe të hapjes së paraleleve të ndara.13 Mirëpo, dihej mirë se kujdesi i këtyre kuvendeve ishte nën çdo nivel, gjë që ndikoi në formimin e analfabetëve të rinj.

Së treti, efikasiteti i dobët i shkollimit, i cili pa dyshim varej nga rrethanat e përmendura, gjithashtu është shkak i mospërfshirjes së mjaftueshme të fëmijëve të moshës së shkollimit të obligueshëm, e me këtë edhe të krijimit të analfabetëve të rinj, veçanërisht te ata fëmijë, të cilët, pa i kryer klasat e ciklit të ulët, i linin bankat e shkollës fillore, ndërsa ligji mbi shkollën fillore, pa marrë parasysh se a e kanë përmbushur fëmijët obligimin e shkollimit tetëvjeçar, lejonte që nxënësit ta braktisnin shkollimin pasi t'i mbushnin 15 vjet. Deri në vitet e shtatëdhjeta shkapërderdhja e nxënësve ishte aq e madhe sa që në vitin shkollor 1964/65 në Kosovë ishin regjistruar në klasën e parë të shkollës fillore 34.884 nxënës (18.548 meshkuj dhe 16.236 femra), ndërsa në vitin shkollor 1971/72 shkollën e plotë të obligueshme fillore e kishin kryer vetëm 16.316 ose 47,0% të nxënësve (10.346 meshkuj dhe 5.970 femra); çdo i nënti ose i dhjeti banor i Kosovës i moshës 10-19 vjet nuk kishte fituar as arsim më elementar shkollor, ndërsa në fshat madje çdo i shtati apo i teti banor i kësaj moshe. Qoftë me mospërfshirje të plotë, qoftë me braktisjen e shkollës fillore pas disa viteve të kaluara në të, në vitin 1981 janë rekrutuar 9.569 analfabetë të moshës 10-19 vjeçare, prej të cilëve 6.118 në fshat. Sipas regjistrimit të vitit 1981, 15.789 fëmijë të moshës 7-11 vjet dhe 4.728 fëmijë të moshës 12-15 vjet nuk e vijonin shkollimin e obligueshëm fillor. Ndonëse sa i përket përfshirjes së fëmijëve në shkollim, pas rrënimit të subjektivitetit politik të Kosovës dhe vënies së gjendjes okupuese, nuk kemi të dhëna, tendenca e mospërfshirjes apo e braktisjes së shkollës fillore ka vazhduar me intensitet edhe më të madh dhe është rritur numri absolut dhe

relativ i analfabetëve, veçanërisht nga radhët e femrave.

 

Strukturat e popullsisë dhe ndryshimet në përbërjen e ekonomive familjare

Së katërti, analfabetizmi i prindërve dhe konzervativizmi dhe fanatizmi i

tyre fetar, veçanërisht në territorin ruralo-agrar, siç dihet, përpara paraqitnin

pengesë të madhe në zgjerimin e pikëpamjeve të reja mbi botën edhe jetën,

prandaj edhe në zgjerimin e shkrim-leximit dhe të dijës te fëmijët e tyre.

Dominonin qëndrime dhe sjellje të veçanta ndaj femrës dhe rolit të saj, që deri

vonë pati për pasojë pengimin e fëmijëve të gjinisë femërore që të vijojnë

shkollimin dhe në këtë mënyrë të mbesin analfabetë dhe të paarsimuar tërë

jetën. Rezistenca në këtë drejtim ka pasur deri vonë në mjediset fshatare,

ndërsa aty-këtu mund të hetohen edhe sot. Fakti se në Kosovë më 1981 mbi

7.553 fëmijë të gjinisë femërore (78,9%), prej të cilëve në fshat 4.945 (65,4%)

nga grup-mosha 10-19 vjet nuk dinin shkrim-lexim, tregon se deri në vitet e

80-ta të shekullit të kaluar ishte e pranishme prapambeturia dhe psikologjia e

rrënjosur me shekuj se pozita dhe funksioni i femrës janë të lidhura me suazat

familjare të jetës dhe riprodhimin biologjik.

Së pesti, dominimi i derivonshëm i ekonomisë natyrale agrare dhe i

autarkisë demografike, kur e gjithë jeta ishte e lidhur për ekonomi shtëpiake,

për pronë tokësore dhe bashkësi rurale, kushtëzoi nevojën për angazhim

ekstensiv të fëmijëve në punët bujqësore. Ky tip i ekonomizimit ndikoi që

fëmijët të mos ndjekin shkollimin apo ta ndërpritnin shkollimin e filluar vetëm

pas disa klasave të kryera dhe në këtë mënyrë të mbetnin analfabetë për një

kohë të gjatë, madje edhe tërë jetën. Por, me ndryshimet sociokulturore dhe

ekonomike pas viteve të 70-ta të shekullit XX dhe me ndryshimin e qëndrimit

të popullatës rurale ndaj shkollës, si arsimi fillor, ashtu edhe arsimi i

përgjithshëm dhe profesional gjerësisht është përqafuar si bazë për

transformimin rrënjësor të mënyrës së jetesës në fshat dhe hapjen e

perspektivave të reja për zhvillimin e përgjithshëm.

Së gjashti, ndonëse nuk kemi të dhëna të hollësishme për lëvizjen e

analfabetizmit pas vitit 1981, megjithatë të gjitha vlerësimet dhe analizat flasin

për krijimin e analfabetëve të rinj dhe rritjen e numrit të personave pa

përgatitje shkollore. Gjendja jo e kënaqshme në sferën e arsimit elementar këto

20 vjetët e fundit është padyshim rezultat, së pari i pengesave të ndryshme të

regjimit serb, e pastaj, pas vitit 1990, edhe i agresionit të haptë serbomadh në

të gjitha nivelet e arsimit shqiptar, ku mospërfshirja dhe shkapërderdhja e

nxënësve arriti shkallën maksimale, e me këtë edhe mundësinë e rekrutimit të

analfabetëve të rinj. Sipas të dhënave të Entit Pedagogjik të Kosovës në vitin

shkollor 1995/96 mospërfshirja e fëmijëve të moshës 7 deri 14 vjeç në

shkollën fillore sillet rreth 27% (në klasat e ulëta rreth 24% dhe në klasat e

larta rreth 30%). Shkalla e shkapërderdhjes së nxënësve në arsimin fillor është

aq e madhe sa, sipas të dhënave të këtij Enti, në këtë vit shkollor, në klasën e

tetë kanë arritur vetëm rreth 64% të nxënësve që ishin regjistruar në klasën e

parë. Vlerësohet se një numër i madh i fëmijëve, qoftë të papërfshirë në arsim

elementar, qoftë duke e braktisur shkollimin e filluar, do të mbetet analfabetë

ose së paku gjysmanalfabetë për tërë jetën.

Si përfundim mund të theksohet se me analfabetizmin, si fakt të

pamohueshëm të pazhvillueshmërisë dhe prapambeturisë, Kosova dhe

shqiptarët hynë edhe në shekullin XXI dhe, si duket, do të ballafaqohen me të

edhe një kohë relativisht të gjatë. Roli i shkollës fillore edhe më tutje do të

mbetet kryesori në sigurimin e bazave të shkrim-leximit dhe në pengimin e

krijimit të analfabetëve të rinj. Mirëpo, në likuidimin e analfabetizmit te të

gjitha grup-moshat duhet të inkuadrohen patjetër edhe institucionet e tjera

shoqërore, kulturore dhe politike. Por njëkohësisht duhet pasur të qartë se kjo e

keqe e madhe shoqërore nuk eliminohet aq lehtë dhe shpejt. Aktiviteti në

drejtim të zhdukjes së analfabetizmit dhe të ngritjes kulturo-arsimore të

popullsisë duhet të jetë profesionalisht mirë i organizuar, sistematik dhe

afatgjatë. Kosovën e re dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi i presin në të

ardhmen detyra të mëdha dhe me përgjegjësi edhe në këtë drejtim.

Kthehu mbrapa

Shto koment