Shfaqjet e Jeton Nezirajt në Volkstheater të Vjenës

03.02.2012 (komentet: 0)

Në qendër të serisë së dhjetë të manifestimit "Die Besten aus dem Osten" (Më të mirët nga lindja), më 24 dhe 25 shkurt është Kosova

 

Në Teatrin Popullor (Volktheater) të Vjenës, nga fundi i këtij muaji mbahet seria e shfaqjeve dhe leximeve letrare me titullin "Die Besten aus dem Osten" (Më të mirët nga lindja).

Në qendër të serisë së dhjetë të manifestimit, më 24 dhe 25 shkurt është Kosova. Në fakt, dramaturgu i njohur kosovar Jeton Neziraj me trupën e tij teatrore Qendra Mulktimedia do të japë premierën e shfaqjes "Yue Medlin Yue" në gjuhën shqipe, me përkthim në gjermanishte.

Kjo tragjikomedi e Nezirajt është një shfaqje muzikore e teatrit të absurdit. Ajo ka në fokus fatin e një familjeje rome, e cila përpiqet të mbijetojë në kushtet e kaosit kosovar të pasluftës, shkruan në portalin e Volkstheater të Vjenës.

Po kështu, në Volktheater do të jepet edhe leximi skenik i dramës "Luftë në kohë dashurie" të Jeton Nezirajt, me regji të Katrin Hiller.

Në mbrëmjet e 24 dhe 25 shkurtit, krahas shfaqjeve për mysafirët do të ketë edhe specialitete nga kuzhina kosovare.

Ndërkohë, më 24 shkurt, shkrimtari dhe gazetari shqiptar nga Kosova, Beqë Cufaj do të mbajë një ligjëratë lidhur me skenën politike dhe kulturore të Kosovës. E më 25 shkurt ai do të lexojë nga romani i dytë, ende i pabotuar i tij "Roman Project&Party".

Poezitë e Ervina Halilit, të recituara nga vetë autorja dhe nga Denis Petkovic, do të prezantojnë edhe faqen poetike të republikës më të re evropiane.

Jeton Neziraj, deri në vitin 2011 ka qenë drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës bën pjesë në mesin e protagonistëve më aktivë artistikë të republikës së Kosovës, i cili përpiqet në vazhdimësi për ngritjen e urave me shtetin fqinj, Serbinë. Për paraqitjen tij të guximshme kundër ndikimit të shtetit në institucionet kulturore, Neziraj ka marrë çmimin "Accelerating the debate" të INPO-s.

Aktivitetet zhvillohen në bashkëveprim në mes të KulturKontakt Austria, Ministrisë Federale për punë evropiane dhe ndërkombëtare si dhe të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri dhe Traduki.

Kthehu mbrapa

Shto koment