Shfaqja “Trangullat” e Teatrit Dodona, thyen mitet, nxjerr në pah keqpërdoruesit e UÇK-së

27.01.2015 (komentet: 0)

 

Talia e Flakës e cila mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2015”, ka vazhduar mbrëmë me shfaqjen “Trangullat” të teatrit Dodona, ku para publikut të cilin mezi e zinte brenda hapësira e Teatrit të Gjilanit, është prezantuar në mënyrën më të mirë periudha para dhe pas luftës së vitit ’99. Aty ishte ideali dhe iluzioni, realiteti dhe ëndrra, pjesa kombëtare dhe ajo e përfitimit të faqezinjve në emër të patriotizmit, kështu doli vlerësimi i përgjithshëm.

 

Shfaqja e shtyllës së dramës “Trangullat” me autor Jahi Jahiun dhe regjisor Agim Selimin është shfaqur në mënyrën më të mirë artistike me dominimin e personazhit bashkëpunëtor të regjimit serb dhe vëllait të tij i cili ka lënë diasporën për të kontribuar për atdheun e që pas luftës kur pa që vëllai i tij bashkëpunëtor nisi të përfitonte në emër të UÇK-së e detyroi atë të largohet për të mos u kthyer më kurrë në Kosovë.

Bashkëpunëtori i cili arriti të hap biznes në kuadër të lidhjeve me biznesmen serb për të siguruar mallra të cilat ato më vonë do ti shiste shqiptarëve në kohë krize me çmime të larta, kishte në zyrë sekretaresh dhe komercionalist dhe vëllain nga diaspora të cilit i mori shumë para duke e mashtruar atë, për kinse një krijim të pasurisë dhe ngritjen e tij deri në “patron” të firmës. Me tu kthyer nga kampet e refugjatëve, veshi uniformën e UÇK-së dhe menjëherë nisi bashkëpunimin me miqtë e tij të vjetër serb, përsëri me qëllim të pasurisë në kurriz të popullit, kjo e zhgënjeu dhe e detyroi vëllaun e tij që ai të marr biletën për të mos u kthyer më kurrë në Kosovë, sepse gjithçka e pa se si ndodhi. Që vëllai i tij, bashkëpunëtori serb u bë më patriot se djemtë dhe vajzat që luftuan njëmend.

Ndërsa kritikët e Shfaqjes Nehat Islami, Josif Papagjoni dhe Arian Krasniqi, kanë vlerësuar lartë realizimin e kësaj shfaqje e cila bashkëpunoi mjaftë mirë edhe me publikun, i cili e duartrokiti pothuajse gjatë gjithë shfaqjes.

Nehat Islami, dramaturg dhe kritik i njohur, tha se publiku sonte ka parë një sintesë sublime shumë efektive të dramës, regjisurës dhe aktrimit.

“Ishte një lojë shumë e mirë e trupës që na jep një pasqyrë të idealit dhe iluzionit, të realitetit dhe ëndrrës, një paraqitje e natyrshme dhe shumë e lirë e autorëve, duke përshkruar mjaftë mirë ngjarjen që nga Patroni me karaktere kombëtare, të Qëndrimit si bashkëpunëtor të Serbisë dhe keqpërdorues të luftës, Dashuris si një sekretaresh e cila megjithëse përfiton nga bashkatdhetari ynë përsëri e ndihmon atë në kohën kur ai zhgënjehet, e deri tek aktori që luante rolin e Mjerimit në cilësinë e komercionalistit të firmës”, tha ai duke spikatur nevojën e madhe për më shumë drama shqiptare.

Josif Papagjoni, kritik, kritik ka vlerësuar këtë si një shfaqje reale dhe mirë të përgatitur duke kërkuar që të punohet edhe më shumë me skenën.

“Satira, metafora dhe identiteti janë përdorur me kujdes. Elementet e përdorura janë të lidhura shumë mirë me realitetin duke e precizuar rolin e UÇK-së e cila u shfrytëzua nga disa maskarenj”, tha ai ndër të tjerash.

Ndërsa Arian Krasniqi, dramaturg, tha se është trajtuar një temë e ndjeshme, serioze dhe me një përgatitje profesionale.

“Tema është e trajtuar lirshëm dhe me përkushtim. Në hyrje kemi ballafaqimin e personave me qëllime dhe qëndrime të kundërta që i ka kombinuar mirë autori. Kjo është më tepër një komedi e karaktereve. Zyra ishte rregulluar ashtu që i përshtatej mirë kohës, nuk ka dekore dhe rregullim modern”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Ndryshe, sonte në natën e fundit të dramës shqipe do të ndjekim shfaqjen “Vërtitu Kokë e prerë”, të cilën e sjell për publikun gjilanas Teatri Poetik Labëria – Shqipëri, të autorit Petrit Ruka me regji të Naun Shundit./kokaj.net/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment