Shfaqet “Cubi i Kukurrecit”

22.01.2012 (komentet: 0)

Në natën e tretë të Festivalit “Talia e Flakës 2012”, që po mbahet në Gjilan, nga Teatri Kombëtar i Kosovës është dhënë komedia “Cubi i Kukurrecit”. Tekstin e kësaj shfaqje e ka shkruar dramaturgu Rushit Ramabaja, e vuri në skenë regjisorja Iliriana Arifi, me aktorët: Bislim Muqaj, Shpëtim Kastrati, Florentina Ademi, Ismet Azemi, Muhamet Arifi, Hysnije Muqaj, Veton Osmani, Artan Geca, Basri Lushtaku e Ramandan Mala.

Komedia “Cubi i Kukurrecit” është ndërtuar me motive të traditës popullore shqiptare, duke shfaqur jetën e njerëzve në një ambient arkaik rural. Shfaqja  kishte një dinamikë të mirë  duke mos pasur për asnjë moment ndonjë zbrazëti e që bëri që publiku të reagonte veçmas në konfliktet e karaktereve.

Përndryshe, në shfaqje pati elemente ironie, satire dhe humori popullor, që vurën në spikamë fenomenin e grabitjes dhe rrëfimin rreth zotit të dashurisë, që në fakt ishte një truk i djalit për ta fituar pëlqimin e vajzës. Por, aty ishin edhe familjarët dhe problemet që shkaktoheshin nga ata, për qiftin, por se në fund triumfon dashuria.

Në debatin pas shfaqjes, regjisorja e kësaj komedie, Iliriana Arifi tha se beson që mesazhi i shfaqjes është perceptuar nga publiku i pranishëm, Sipas saj, në shfaqje u vu në pah dashuria mes dy të rinjve e cila dashuri, përkundër pengesave në rrugë, është ajo që triumfon. 

Kritiku Ukshin Zajmi tha se komedia ishte realitet i një kohe të dikurshme, rrëfim i tregimit të moçëm, që regjisorja e solli pak më ndryshe se sa që flitet në popull. Ai tha se loja e aktorëve ishte në nivel, ata luajtën në mënyrë tejet natyrale, në bazë të asaj çfarë ka ndodh apo ka mundur të ndodh. Zajmi tha se shfaqja pati ritëm gjatë gjithë kohës, ndërsa edhe skenografinë e vlerësoi si të qëlluar.

Dramaturgu Nebi Islami, i cili po i drejton debatet pas shfaqjes, tha se kryesorja është dhënë përmes lojës, e zënë në zgripcin e tekstit. Aktorët tha se ishin të shkëlqyeshëm që luajtën me korrektësi, pati konflikt të karaktereve, raport të shkëlqyer të aktorëve, ritëm... dhe publiku ka reaguar ndaj këtyre situatave.

Islami tha se në përgjithësi shfaqja ishte e këndshme dhe e pranueshme.

Përndryshe, Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2012”, vazhdon të dielën në ora 19.00, kur në Teatrin e Qytetit të Gjilanit do të jepet, shfaqja: “Kur loti ngrinë në qepallë”, nga Teatri “Istref Begolli” – Pejë. Sipas motiveve të Ismail Kadare, Jusuf Gërvalla.Regjia: Jahi Jahiu. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment