Seminari, emblema e Prishtinës

13.08.2012 (komentet: 0)

Është hera e 31-të që albanologjia shqiptare i bashkon forcat drejt një shkëmbimi kulturor. Akademikë, albanologë e studiues të gjuhësisë e letërsisë shqiptare janë bërë bashkë ditën e parë të javës, për ta hapur zyrtarisht Seminarin e 31-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Bardh Rugova, drejtor i seminarit, në fjalën hyrëse tregoi se seminari mbetet institucion dhe projekt i njëjtë si në ditën e themelimit të tij në vitin 1974.

 

“Tridhjetë herë të tjera një drejtor Seminari ka dalë në një tribunë si kjo për të hapur punimet e Seminarit. I nxora nga arkivi ato fjalime, i lexova një e nga një, vetëm për të kuptuar se një fjalim i tridhjetenjëtë nuk mund të ketë ndonjë risi të madhe, pos të përmbledhë ato që janë thënë a nënkuptuar tridhjetë herë të tjera rresht” tha Rugova. Osman Gashi, Dekan i Fakultetit Filologjik, në hapje të Seminarit tregoi se ky fakultet, menaxhmenti i tij, profesorët e bashkëpunëtorët tanimë ngjarjen më kulminante kulturore e ndjejnë si pjesë të pandashme të veprimtarive të tyre, të angazhimeve përgjatë tërë një viti akademik.

“Në esencën e tij, Seminari është pasqyra më e qartë dhe më kuptimplote e zhvillimeve kulturore, shkencore, letrare e gjuhësore brenda një viti akademik, jo vetëm në Fakultetin e Filologjisë por në tërë Universitetin e Prishtinës dhe më gjerë. Seminari i sivjetshëm do të zhvillohet përgjithësisht në shenjë të njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Do të jetë ku një kontribut yni modest në shënimin e këtij përvjetori shumë të rëndësishëm për historinë e zhvillet e sotme të kombit shqiptar” pohoi Gashi. Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë e quajti seminarin si një njohje që të huajt kanë me eposin dhe bagazhin kulturor kosovar.

“Seminarin e bëjmë gjithmonë shtruar, qetas dhe pa probleme. Dihet se ai pësoi rënie në vitet e 90-ta, për arsye të ditura, por prapë kjo ngjarje kulturore është ambasadori më kuptimplotë dhe institucioni që mbajti gjallë traditën dhe kulturën shqiptare ndër vite” pohoi Buja. Në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës foli profesor Pajazit Nushi.

“Seminari është një institucion integrues i potencialit shkencor, madje edhe me përmasa kombëtare. Mos të harrojmë se ka personalitete shqiptare që janë burgosur e akuzuar për këtë seminar, ka edhe të zhdukur si Ukshin Hoti, fjalët e të cili shpesh janë përzgjedhur për nder të Seminarit. Kjo është ngjarje e madhe për kulturën kosovare, andaj duhet të dimë ta respektojmë” shtoi Nushi.

Seminari i 31-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të zgjasë deri me 25 gusht, dhe përgjatë kësaj kohe do të ketë ligjërata nga emrat si Agim Vinca, Ali Jashari, Jahja Drançolli, Naser Ferri, Zanita Halimi e shumë të tjerë.

Kthehu mbrapa

Shto koment