Selanik; fëmijët shqiptarë marrin në duar Abetaren

10.11.2013 (komentet: 0)

Një ditë shumë e bukur sot në Selanik. Fëmijët e shkollës shqipe morrën në duart e tyre librat e Abetareve dhe Gjuhës Shqipe, dhuruar për ta, nga qytetarë dhe subjekte të ndryshme.

 

 

Fushata që u zhvillua javën e kaluar në rrjetin social Facebook, për grumbullimin e librave të Abetares dhe të Gjuhës Shqipe për fëmijët shqiptarë të shkollave shqipe në Selanik dhe Janica, u finalizua me sukses. 300 libra mbërritën në shkollën e Selanikut dhe mësueset ua shpërndanë ato vogëlushëve dhe nxënësve më të rritur.

Të emocionuar dhe të gëzuar, nxënësit në mënyrën e tyre origjinale falenderuan bashkëmoshatarët e tyre dhe gjithë ata qytetarë që iu përgjigjën thirrjes “Dhuroni një Abetare që fëmijët tanë në vend të huaj të mos e harrojnë gjuhën e nënës!".

Ndihmuan këtë fushatë qytetarë shqiptarë në Shqipëri, por edhe nga SHBA dhe Kanada duke dhënë kontributin e tyre. Kjo ngjarje e bukur bëri të mundur që në Selanik dhe Janica të vijojë pa probleme edhe një tjetër vit mësimor për përvetësimin sa më të mirë të gjuhës shqipe, në mënyrë që edhe pse të lindur dhe rritur në Greqi, fëmijët ta njohin mirë gjuhën e nënës, historinë dhe kulturën e vendit të tyre.

Kthehu mbrapa

Shto koment