Rugova, Mrasori e Kutllovci akuzojnë “akuzuesit”

04.06.2012 (komentet: 0)

Drejtues të Universitetit të Prishtinës, në një konferencë për media kanë arsyetuar marrjen e çmimit për cilësi nga Samiti i Cilësisë, duke thënë se nuk e kanë blerë çmimin, por kanë kryer obligimet e anëtarësimit në këtë asociacion. Kurse, sa i përket shpenzimeve, kanë thënë se mediat kanë shpifur, madje paralajmëruan se do t’i padisin në gjyq.


Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, tha se janë lauruar nga Samiti me çmimin më të lartë - medaljen e artë për cilësi dhe menaxhim - “në bazë të punës, në bazë të sondazheve që i ka bërë Samiti i Cilësisë, i cili është samit botëror”.

Ai shtoi se ky çmim është një sukses shumë i madh, pasi sipas tij, në momentin e ndarjes së mirënjohjes u largua delegacioni serb dhe i shteteve tjera “që nuk e kanë njohur e as nuk duan ta dëgjojnë emrin e Kosovës”.

Rektori Rugova po ashtu tha se ka pasur probleme me Serbinë me burgosje, rrahje e të tjera, por, siç tha ai, “këso lloj përgojimesh dhe përpjekjesh për të denigruar çdo gjë që është arritur në UP nga mediat, nuk e ka përjetuar”.

Ai shkoi edhe me larg duke kërcënuar mediat publikisht, duke thënë se në bazë të dokumentacionit që posedojnë, të gjithë ata të cilët kanë shpifur do të dalin para gjyqit, sikurse edhe vetë menaxhmenti i UP-së, nëse janë bërë keqpërdorimet.

Zëvendësrektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Naser Mrasori, e mbrojti asociacionin që ka ndarë çmimin, duke thënë se nuk është një organizatë fantome e as që shet mirënjohje, siç është shkruar, “por është një organizatë që ruan prestigjin e vet që 27 vite me radhë”.

“Këtu ka qenë një garë nga 178 vende. Në Samit kanë marr pjesë 117 vende, kurse janë nderuar 40 institucione. Ka pasur kompani prestigjioze, ka pasur institucione shumë prestigjioze, që nuk janë përzgjedhur nga ne, por nga 178 shtete”, ka thënë Mrasori, i cili po ashtu akuzoi mediat duke thënë se “kanë luajtur një rol destruktiv që nga dita e parë kur kanë ardhur”.

Zëvendësrektori për çështje financiare, Enver Kutllovci, tha se mjetet që janë derdhur në konton e asociacionit nuk kanë qenë për blerjen e çmimit, por se “Universiteti i Prishtinës është i anëtarësuar në asociacion dhe për çdo vit paguan nga 3900 euro”.

“Sikur ata që mendojnë se kanë fakte për keqpërdorime, ne mendojmë se kemi fakt për shpifje”, ka thënë ai, duke ftuar institucionin e Prokurorisë që të hetojë nëse ka apo nuk ka shkelje të tilla.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim”, Business Initiative Direction (Drejtimi për Nismat Biznesore), që organizon Samitin për Cilësi, është e njohur për mashtrimet që i ka bërë më herët. Rasti më i hapur është kur B.D.I. i ka dërguar mesazh të tillë një kompanie nga Botswana, për performancë të mirë biznesore në vitin 2010.

“Por, problemi ishte që kjo kompani nuk punonte që nga viti 2003”, thuhej nga SKV.

Ndryshe, “Koha Ditore” ka siguruar të premten një kupon shpenzimi që UP-ja ka bërë për këtë. Në kupon është evidencuar shuma prej 3900 eurosh që alokohet tek shitësi “Business Initiative Direction”. Alokimi ishte bërë më datën 25 maj.

“Autoritetet e Universitetit të Prishtinës nuk ishin mashtruar nga ‘Business Initiative Direction’ (B.I.D.), kur i ishin përgjigjur pozitivisht kësaj skeme për të marrë një “çmim”. Menaxhmenti e dinte se “çmimin” po e blinte”, shkruante gazeta të shtunën.

Sipas SKV-së që ka siguruar kuponin e shpenzimeve, shihet se u paguan 3900 euro për të marrë këtë “çmim”. Në këtë vlerë përfshiheshin fjetja, ushqimi, çmimi, një foto me çmimin dhe një DVD.

“Por, nuk mjaftonte vetëm kaq! Këta dy përfaqësues të UP-së (Rugova dhe Mrasori) morën edhe 7000 euro mëditje për udhëtimin e mashtrimit nga fondi publik i Universitetit të Prishtinës. Sipas ligjeve ne fuqi që përcaktojnë tarifat për meditje të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, del se për kaq ditë sa kanë qëndruar në SHBA dhe në Britani të Madhe atyre u takon mëditja prej 4644 eurosh. Pra, ne duam të dimë, ku janë edhe 2356 euro, apo me gjuhën e ne studentëve: 47 pagesa për semestër”, u tha dje në një konferencë për shtyp të SKV-së. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment