Rinia është pasuria më e madhe e Kosovës

25.10.2013 (komentet: 0)

 - Kandidatët për kryetarë komune në Gjilan kanë thënë se rinia së vend meritor në programet e tyre qeverisëse, në një debat të organizuar nga Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QKBN). 

Faton Bislimi, kandidat  për kryetar i Koalicionit për Gjilanin, ka thënë se ai ka paraparë një program për zhvillimin profesional të rinisë, meqenëse brenga më e madhe e tyre është mungesa e përvojës së punës pas kryerjes së universitetit. Ne do të stidepondojmë sektorin privat, për punësimin e të rinjve për së paku një vit, për të gjeneruar kështu edhe vende pune, ka thënë Bislimi. 

Ismajl Kurteshi, kandidat  për kryetar i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ ka thënë se ne do të sigurojmë përkrahje financiare për shkollim dhe rikualifikim të të rinjve, linjë të veçantë buxhetore për të rinjtë, krijimin e një qendre rinore dhe hapësirave tjera për të rinj.
Labinotë Demi, kandidate për kryetare e Partisë së Drejtësisë, ka thënë se të rinjtë janë prioritet për subjektin e saj, duke premtuar se bashkërisht do të identifikojnë dhe trajtojnë problemet e tyre. Një shqetësim yni është edhe pengesa e femrave të mbuluara për të vijuar shkollimin. 

Qemajl Mustafa, kandidat për kryetar komune  i PDK-së, ka thënë se ai dhe subjekti i tij e kanë bërë me adresë rininë e Gjilanit qysh në vitin 2008. Rinia është prioritet yni i lartë edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës, ndërsa këtyre ditëve do të vihen themelet e shtëpisë së rinisë, ka thënë ai.

Sejdulla Kadriu, kandidat i Lëvizjes “Vatra” ka thënë se rinia është fjala kryesore në programin e tij. Specifika jonë është se angazhohemi për regjionalizimin e Gjilanit dhe për të sjellë investime në Gjilan, në mënyrë që të rinjtë të mos e braktisin vendin e tyre. 

Ndërkaq, Yll Isufi, kandidat i pavarur, ka thënë se edhe ai është njëri nga ata të rinj që e ka votuar Qemajl Mustafën për kryetar komune, por tani është kundërkandidat i tij. Prioritet imi do të jetë praktika shkollore prej moshës 9-10 vjeçe, në mënyrë që një i ri të ketë përvojën e duhur kur ta mbarojë shkollimin.

Në këtë debat, munguan kandidati për kryetar i LDK-së Lutfi Haziri dhe kandidati për kryetar i AAK-së Rexhep Kadriu, ndonëse organizatori tha se ishin të ftuar edhe ata.

Përndryshe, më pas kandidatët e pranishëm iu kanë përgjigjur interesimit të të pranishmëve  për çështjet që ata parashtronin e që kishin të bënin me sferën e rinisë. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment