REMI: “ROJET E MJEGULLËS” JANË PROBLEMI I UP-SË

04.01.2015 (komentet: 0)

Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, thotë se brenda Universitetit të Prishtinës janë krijuar grupe të interesit të cilat e kanë vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e diplomës së këtij institucioni arsimor

 

Mustafa i ka dhënë fuqimisht mbështetje Rektorit të ri në vendosjen e rregullit në këtë institucion. Ai ka mirëpritur edhe vendimin për ndalimin e pagave për ministrat dhe zyrtarët e tjerë të shtetit, të cilët për shkak të detyrave zyrtare nuk do të jenë në gjendje t’i mbajnë ligjëratat e tyre me studentë.

Në një intervistë për Politiko.net, Rrustem Mustafa, thotë se ka mbështetur vendimin e Rektorit pasi konsideron se ai është një vendim i duhur.

“Unë vetëm e kam përkrahur Rektorin për vendimin që ka marrë për të vendosur rregull aq sa mundet në UP”, thotë Mustafa

Sipas tij, ka më shumë se dy dekada që problemet janë grumbulluar brenda universitetit.

“Pas luftës u thelluan problemet dhe UP ka humbur identitetin e dikurshëm që me të drejtë quhej burim i dijes dhe zhvillimit”.

“Brenda UP-së janë krijuar grupet e interesit dhe ato kanë sjellë deri aty situatën sa njerëzit seriozisht mendojnë se a vlen diploma e UP”.

“Unë i quaj këto grupe ‘roje të mjegullës’ ngase duke qenë të vetëdijshëm se nuk kanë performancë, dije dhe njohje kredibile kanë përfituar nga rasti dhe kanë zhvilluar shumë klanet me njerëz pa përgatitje të duhur shkencore dhe me diploma jo kredibile që kanë marrë në studime jashtë vendit, përmes mënyrave të shpejta dhe duke krijuar rrethin që të zgjatet sa më shumë mjegulla dhe të përfitojnë në të gjitha aspektet duke përfituar nga rasti dhe kanë dërguar njerëz në politikë, administratë, agjenci dhe në nivele të hierarkisë ma të lartë të shtetit”, deklaron Mustafa për Politiko.net.

Ai thotë se tash ka ardhur koha që UP të marrë model universitetet perëndimore që kanë kredibilitet të lartë në fushën e dijes.

“Ne kemi kuadro, besoj te mjaftueshme, për ta bërë këtë. Njoh shumë të rinj që kanë studiuar në universitetet me renome dhe ‘’rojat e mjegullës’ janë kujdesur të mos i lejojnë ata të kthehen. Pra, vendimi i Rektorit ka goditur pikërisht këta njerëz, profesorë, politikanë, ministra dhe zyrtarë të lartë shtetërorë“.

Mustafa thotë se kuadrot kombëtare dëshirojnë të kthehen nga perëndimi dhe të japin modelin e duhur për zhvillim sa më të mirë edukativo-arsimor dhe shkencor në vend.

UP kohëve të fundit po përballet edhe me problemin e pranimit të fëmijëve të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës. Si e sheh ish komandanti i UÇK-së zgjidhjen e këtij problemi?

“Absolutisht fëmijët e dëshmorëve dhe kategorive të tjera nuk kanë problem me rregullat dhe me universitetin. Ata kanë të drejtë të kenë lehtësimet e duhura në studime dhe t’i marrin ato. Besoj që shpejt Qeveria e vendit do të përgjigjet me qasje pozitive dhe edukative për kategoritë e caktuara dhe unë jam në dijeni se fëmijët e dëshmorëve kanë përparësitë e nevojshme dhe janë pranuar në studime duke respektuar procedurat në UP”, thotë Mustafa, që është edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Sipas tij, janë pikërisht ’rojet e mjegullës’ që kanë krijuar probleme, ne vend se te kërkojnë me ligj të zgjidhen përparësitë, këto grupe kanë zgjedhur rrugën e konfuzionit si marrëveshjet e ndryshme.

“Paramendoni, askund në botë me marrëveshje nuk studiohet, por me procedura. Këtu në UP në dekadën e fundit edhe grada shkencore kanë fituar me marrëveshje (shikojeni marrëveshjen e administratës së UP-së me institute) kanë prodhuar grada shkencore. Si do që të jetë më së lehti do ta kalojë UP me kategoritë e caktuara, dhe do ketë trajtimin e duhur, shpresoj”.

Mustafa kohëve të fundit ka qenë mjaft aktiv në angazhimin e tij rreth universitetit, i cili tash ka një udhëheqje të re. Cila do të ishte porosia e tij për kolegët e tij nga politika, ndaj të cilët edhe ai aludon se janë bërë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes së tij?

“Porosia ime do jetë shumë specifike për politikanët dhe të gjithë ata që janë zhytur deri aty ku nuk do duhej: ‘Rojet e Mjegullës’’ seriozisht duhet larg duart larg vendit te dijes”, thotë Mustafa.

“Unë jam i sigurt se tashme kemi hyrë në rrugën e pa kthim dhe do ia arrijmë që me kulturë dhe edukim të pandashëm dhe sistematik të bashkohemi me Kombet e Qytetëruara Europiane. Urojë që energjitë e kombit tonë të mblidhen dhe synimin në mënyrë të organizuar me kohë ta mbërrijmë“, thotë deputeti Rrustem Mustafa. /Politiko.net/ 

Kthehu mbrapa

Shto koment