Qenar Qeshma- kroi që rrjedh akoma histori !

30.01.2015 (komentet: 0)

Qenar Qeshma- kroi  që rrjedh akoma histori !

Qenar Qeshma- kroi  që rrjedh akoma histori !



Toponimi Qenar Qeshma është ngritur mbi vendin kur gjendet rrjedha e ujit,  kroi ujit  të ëmbël, vetëm dy kilometra nga qendra e qytetit në afërsi të rrugës që lidhë Gjilanin me Preshevën, me saktësisht,  kah varrezat e qytetit në udhëkryqin e rrugës Skifter Arifi  që pritet nga rruga Ali Pashe Tepelena dhe Zejnullah Halili.


E gjendur bri rrugës së vjetër në periferi të Gjilanit, Qenar Qeshma, ka shënuar, gërshetuar, përplasur ndërruar emërtimin varësisht nga regjimet dhe ndikimet kulturore si  Qeshmja e Lekës. Qeshmja e Skajit, Qeshmja e Qenarit, Qeshmja e pajës, Qenar Qeshmja, Qeshmja e Radës për tu kthyer sërish dhe mbetur si  toponim Qenar Qeshmja.  

Toponimi i kohës së sundimit të Perandorisë Osmane, lidhet me emërtimin Qenar për tu derivuar nga ky emër edhe variacione të tjerë që përdoreshin për të emërtuar këtë qeshme- krua !

Dr. Mustafa Bajrami, teolog, njohës i turqishtes,  tregon etimologjia e emrit Qenar, nga turqishtja mund të përkufizohet si lisi apo pisha. Kemi një aludim të një Lisi, të  një pishe. “Lisi i Qeshmës  ose Qeshma e Lisit. Një lis apo pishe e madhe, ngase mendohet të ketë qenë vend i pishave “, thotë Mustafa.

Se toponimi Qenar Qeshma, ka etimologji të fjalës Qenar, nga ndikimi i të folmes turke pohohet edhe nga Dr Shefqet Mehmet, një njeri i pasionuar me studimin e historisë së Gjilanit.  Mehmet, thotë se njëri nga kuptimet e fjalës Qenar, ka të bëjë me Lisin, Lis  i madh pranë qeshmes, por edhe kuptimin e qeshmes në skaj.

“Qenar Qeshma apo  kroi i skajshëm”, si emërtim të jetë përdorur në kohën e Perandorisë Osmane, e pohon edhe historiani i mirënjohur Aliriza Selmani. “Kemi të bëjmë me qeshme-krua në skaj të qytetit”, sqaron Aliriza!  Selmani, si banorë i vjetër mbanë mend Gjilanin e vjetër dhe kroin që nuk kishte asnjë një shtëpi për rreth.

Është interesante edhe emërtimi Qeshma e pajës! Pra diku në mes të shekullit XIX e më pas kur Gjilanit ishte një qytezë  Qenar Qeshma,  kishte kuptimin e kroit që gjendej në skaj të qytetit apo qeshma ku gratë e kasabasë së dikurshme të Gjilanit lanin pajën e nusërisë, shmangur nga banorët dhe nga sytë e lakmitarët e rrugës! 

Gojëdhënat që kanë lënë pleqët e vjetër të kësaj ane lidhur me Qenar Qeshmën eliminojnë lidhjen e saj me etimologji turke por e lidhin atë me fjalën Qenari që ka të bëjë me përgatitjen e fijeve të leshit për endur ne vekë!

Pra vendi i qenarit, kroi i qenarit, vendi ku endet qenari, fije qenari, fijet kryesore të qilimit, janit, shpallakut apo gjësendeve të tjerat të cilat mund të thurën në vek. Në fjalorin e Gjuhës Shqipe, qenar-i ka kuptimin e rripit, qenari i pëlhurës! Kemi të bëjmë  me një vend ku qilimpunueset përgatitnin fijet e leshit apo të pambukut për endur më pas pëlhura, qilima etj.

Por toponimi për Qenar Qeshmën,  mendohet të jetë edhe më i thellë  ajo që lidhet para themelimit të Gjilanit, para vitit 1700  mendohet se qeshma është quajtur Kroi i Lekës.  Kjo tezë është e përafërt me atë që Velekinca mund te ketë qenë vendbanim i tokave të Princit shqiptar Lekë Dukagjini.  Duke qenë se rruga për te tokat e Lekë Dukagjinit me rrugën për Novobërd  ka kaluar afër këtij kroin,  mendohet se ky krua të jetë quajtur edhe Kroi i Lekës.

Si do që të jetë, pas rrëzimit të Perandorisë Osmane kjo pjesë të Shqipërisë etnike  okupohet nga serbët. Çifligu për rreth Qenar Qeshmës  u uzurpua nga kolonët serb.  Rade Maksimoviq, një serb me origjinë nga fshatrat e Gjilanit, uzurpon këto toka dhe do të ndërtojë shtëpinë ku do të qëndroj deri pas Luftës së Dytë Botërore! 

Rada,  i implikuar në krimet para dhe gjatë luftës, si pjesëtar i formacioneve çetnike  do ikë pas Luftës, por pas do të lë toponimin Qeshmja e Radës, që do të dominoj këtë pjesë deri në vitet e 70,  kur nisë të banohej me shqiptarë.  

Pra vendi në të dalë të qytetit që dikur që përdorej për të nxjerrë gurë dhe për të marrë dheun për ndërtimin e knatava,  dhe gjësendeve të tjera nga dheu, fillon të banohej nga shqiptarët në vitet e 60 të shek XX.  Ndonëse pa ndonjë plan urbanistik  kjo lagje do të shumohet si kërpudhat pas shiut me shtëpitë e ndërtuar nga banorët e Karadakut dhe Gollakut.

Objekti më i vjetër vlerësohet të jetë shtëpia me gurë të kaltër e Osman Kokës, e ndërtuar në vitet 60-ta,  ndërkohe që do të vendosen edhe familjet e para Dabisheci, Milazimi, Latifi, Doda, Jerliu, Zymberi, Bajraliu, Demi, Shkodra, Zeka, Matoshi, Starabaja, Buzuku etj

Qeshma  përdorej nga banorët  për ujë të pijes dhe ishte vend i freskisë për qytetarët që ecnin rrugës së Presheves, dhe ata që  përdornin pazarin kafshëve të shtunave. 

Poeti Xhevat Latifi, njëri nga banorët e parë të lindur në këtë lagje Qeshmën e krahason me “Kroin e fshatit tonë” të Lasgush Poradecit. Është interesante se “Kroi i fshatit tonë”, në  Pogradec, ka po thuaj të njëjtë pamje me Qenar Qeshmën”,  thotë ai.  

Ndonëse e lënë shumë pas dore, qeshma rrjedhë ujë po thuaj gjatë vitit në përjashtim të muajve të thatë të verës! Rindërtimin i fundit i është bëre diku në vitet 80-ta, por tashti ajo duket si gërmadhë. Dy gypa uji presin dorën rikthimin e dinjitetit të mbrojtje së trashëgimisë kulturore! 

Menjëherë pas luftës së vitit 1999, me emërtimin zyrtar  lagjja u emërtua Arbëri, por toponimi Qenar Qeshmja, mbeti toponim që identifikohen banorët e vjetër.  Po thuaj ngjitur tashmë është hapur një vend ku pihet kafe me një emër të natyrshëm “Te Qeshmja”, thotë pronari Naser Jerliu!  

Pra Qenar Qeshma, është kroi që mban në kujtesë Gjilanin dikur, si vend i shumë qeshmeve, me ujë të kulluar, me freski dhe fllad dashurie... /xlpress.tv/ 

Kthehu mbrapa

Shto koment