Pupovci: Departamenti i Matematikës është mbyllur padrejtësisht

25.07.2014 (komentet: 0)

​Pupovci: Departamenti i Matematikës është mbyllur padrejtësishtDukagjin Pupovci thotë se mosregjistrimi i studentëve në këtë drejtim i shkakton dëm arsimit të Kosovës, sepse, sipas tij, është programi i vetëm që shkollon njerëz që do të bëhen mësimdhënës të ardhshëm të matematikës. Po ashtu, ai mendon se mbyllja e këtij departamenti i shkakton dëm një gjenerate të të rinjve të talentuar që duan ta studiojnë këtë disiplinë, ndërsa tani nuk mund ta bëjnë këtë

 

 

Profesori i matematikës dhe drejtori i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci, ka thënë se mbyllja e departamentit të Matematikës është bërë padrejtësisht. Sipas tij ky Departament e ka merituar akreditimin dhe si i tillë është dashur të vazhdojë punën.

 

Profesor Pupovci thotë për Express se duhen të përjashtohen të gjitha procedurat për akreditim dhe ky departament në shtator të hapë konkursin për studentë.

 

Ai thotë se në këtë proces është dashur të ndërhyjë edhe Fakulteti dhe Rektorati.

 

“Nuk e di si ka shkuar e gjithë procedura e aplikimit, por mendoj se nuk është dashur të vijë puna që aplikacioni i Departamentit të Matematikës të mos shqyrtohet. Edhe nësë Departamenti është vonuar, siç po thonë, është dashur të ndërhyjë Fakulteti dhe Rektorati që aplikacioni të dërgohet me kohë në Agjenci”, ka thënë Pupovci për Express.

 

Ai thotë se mosregjistrimi i studentëve në këtë drejtim i shkakton dëm arsimit të Kosovës, sepse, sipas tij, është programi i vetëm që shkollon njerëz që do të bëhen mësimdhënës të ardhshëm të matematikës. Po ashtu, siç thotë Pupovci, i shkakton dëm një gjenerate të të rinjve të talentuar që duan ta studiojnë këtë disiplinë, ndërsa tani nuk mund ta bëjnë këtë. Prandaj, ai thotë se këtu duhet një zgjidhje e shpejtë, sepse kjo është në interesin e përgjithshëm.

 

“Nuk i di të gjitha rrethanat se pse aplikimi për akreditim nuk është shqyrtuar, por, duke e njohur për së afërmi Departamentin e Matematikës, jam i bindur se do të akreditohej pa asnjë problem, sepse programi është i mirë, ndërsa kuadri i kualifikuar. Përveç kësaj, është programi i vetëm i këtij lloji në Kosovë, me traditë mbi gjysmëshekullore”, ka thënë Pupovci, duke treguar se për këtë arsye, duhet të përshpejtohen procedurat për akreditim, në mënyrë që ky proces të kryhet në afat sa më të shkurtër dhe sipas tij në shtator, të shpallet konkursi për studentë të rinj.

 

Pupovci ka treguar se Departamenti i Matematikës ofron tri programe studimore.

 

Dy prej tyre, siç thotë ai, kanë regjistruar studentë, ndërsa njëri jo, për shkak të mosakreditimit.

 

Megjithatë, Pupovci thotë se programi që nuk është akredituar është pikërisht ai programi tradicional i Matematikës, prandaj edhe reagimi ka qenë i kuptueshëm.

/GAZETAEXPRESS/

Kthehu mbrapa

Shto koment