Publiku sarajevas mirëpret filmin “Tri dritare dhe një varje”

20.08.2014 (komentet: 0)

 

Filmi kosovar “Tri dritare dhe një varje”, i regjisorit kosovar Isa Qosja është shfaqur mbrëmë premierë botërore në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë. Projekti kinematografik me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Isa Qosës, i cili për temë ka dhimbjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë, është mirëpritur nga publiku boshnjak, siç thuhet edhe për shkak të historisë së ngajshme mes dy popujve.

Filmi paraqet dhimbjen e një gruaje të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, që vendosë të thyejë heshtjen, por që e përcjellin më pas problemet me njerëzit të cilët e rrethojnë.

Pas premierës, Vjosa Berisha, drejtoreshë e festivalit PriFest dhe bashkëshortja e ish drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, qendër kjo që e ka mbështetur filmin, ka shkruar në rrjetin social Twitter-“Urime ekuipazhit të filmit ishte një sukses i madh duke gjykuar nga publiku ... “ ka shkruar Berisha në Twitter, pas shfaqjes së premierës së filmit.
Para premierës Berisha ka postuar një foto ku shihet kolona e gjatë e të interesuarve për ta parë prodhimin kinematografik kosovar.

Filmi “Tri dritare dhe një varje”, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Në këtë projekt luajnë aktorët Irena Cahani, Luan Jaha, Aurita Agushi dhe Leonora Mehmetaj.

Agjencia e lajmeve “Reuters” në një shkrim të publikuar ditë më parë ka vlerësuar se filmi kosovar “Tri dritare dhe një varje” është pretendent për ta fituar çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Sarajevë. Kjo agjenci e rëndit filmin kosovar në mesin e nëntë filmave që janë pretendentë për çmimin kryesor “Zemra e Sarajevës”.

Festivali i filmit që mbahet në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, i themeluar në kohën kur ky qytet ishte i rrethuar gjatë luftës nga viti 1992 deri më 1995, këtë vit shënon 20 vjetorin e tij.

Kthehu mbrapa

Shto koment