Provimi i maturës shtyhet për një javë

10.05.2014 (komentet: 0)

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare më 8 qershor do të shtyjë për një javë, mbajtjen e Provimit Shtetëror të Maturës.

 

Provimi i maturës shtyhet për një javë

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, njëherit edhe kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, konfirmoi për Radio Kosovën, se datat do të ndryshojnë, për arsye se Qendrat e Testimit, që janë shkollat, do të shfrytëzohen edhe për Qendra të Votimit.

Ndërkohë, ai bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e provimit shtetëror të maturës, ku pritet t’i nënshtrohen rreth 43 mijë maturantë.

Në planet dinamike të Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës ishte paraparë që dita e parë e mbajtjes së testit të maturës, të jetë 7 qershori, kurse dita e dytë 21 qershori.

Por, me shpalljen e zgjedhjeve që do të mbahen më 8 qershor, këto data do të shtyhen për një javë.

Zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, tha për Radio Kosovën se shumë shpejt do të merret vendimi për zhvendosjen e datave, duke bërë të ditur se testi do të mbahet më 14 dhe 28 qershor.

“Do t’i zhvendosim të gjitha datat e parapara për provimin e maturës për një javë, që do të thotë që dita e parë në vend të 7 qershorit do të jetë më 14 qershor, e dyta më 28 qershor dhe data e publikimit të rezultateve do të shtyhet për një javë”, tha Mustafa.

Zëvendësministri Mustafa, bëri të ditur se Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës, ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Testit, pavarësisht faktit se këtë vit do të ketë dyfishim të numrit të maturantëve, të cilët do t’i nënshtrohen provimit.

Matura këtë vit nuk do të ketë ndryshime, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur t’i bëjë ndryshimet në Ligjin për Maturën. Këtë vit pritet që Testit të Maturës t’i nënshtrohen rreth 43 mijë maturantë, që është grumbullim i dy gjeneratave, pasi është hequr klasa e 13-të. Ndërkohë, kushti për të kaluar provimin e maturës është 50 për qind nga numri total i pikëve.

Kthehu mbrapa

Shto koment