Protestojnë studentët e ndërtimtarisë

14.11.2012 (komentet: 0)

Qindra student të Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës, që nga orët e mëngjesit,kanë filluar një protestë paqësore, ku po kërkojnë largimin e pedagogut Hamdi Sylejmani,me arsyetimin se nuk plotëson kriteret dhe ka dëmton cilësinë në mësimdhënie. Ata bllokuan derën e këtij fakulteti, ku u ndërprenë ligjëratat.

 

 

Kryetar i këshillit studentor të Fakultetit të ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Bajram Shala ka deklaruar se kjo protestë paqësore po ndodhë për shkak të neglizhencës dhe mos përfilljes së kërkesës së tyre nga ana e rektoratit dhe dekanatit të fakultetit, lidhur me shkeljet të cilat i bënë profesori Hamdi Sylejmani.

Sipas tij,ky profesor ka sjellje jashtëzakonisht të këqija dhe bënë shkelje të mëdha të statusit të Universitetit të Prishtinës.

“Ne kërkesën tonë e kemi dorëzuar dekanat të fakultetit si dhe në rektorat të Universitetit të Prishtinës të bashkangjitur me listën prej 256 nënshkrimeve të studentëve të cilët janë të pakënaqur dhe kërkojnë largimin sa më parë të tij nga fakulteti, mirëpo kjo kërkesë e jona është neglizhuar dhe nuk është marrë parasysh, dhe si rezultat i kësaj na kanë shtyrë që të vijmë sot këtu dhe të protestojmë para fakultetit dhe të kërkojmë të drejtën tonë, të realizohet sa më shpejt kërkesa jonë”, ka thënë ai.

Kurse, Arbresha Kastrati studente e ndërtimtarisë, thotë se studentët me anë të kësaj proteste po kërkojnë shkarkimin e inxhinierit Sylejmani, i cili është ligjërues i rregullt i lëndës “Bazat e betonit të armuar” dhe “Bazat e elementit të armuar”.

“Arsyetimi është se inxhinieri Hamdi Sylejmani është i pakualifikuar për të qenë profesor, pasi nuk i plotëson kushtet të cilat janë të caktuara me statutin e Universitetit të Prishtinës. Asistentja e lëndës, “koncesionet e betonit”, Vlora Shatri, është e kualifikuar me nivelin master, që tregon se ka gradë më të lartë se profesori Sylejmani, i cili është i kualifikuar vetëm si inxhinier. Kjo paraqet shkelje të nenit 176 të statutit të Universitetit të Prishtinës”, ka thënë ajo.

Duke treguar që protestës iu kanë bashkangjitur edhe student të tjerë, ajo shtoi se do të protestojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre.

“Profesori Hamdi Sylejmani mban tre kollufiume gjatë një semestri, ato kanë mbi njëzet pyetje dhe detyra, shumica e detyrave janë me gabime, edhe pse ekzistojnë alternativat e zgjedhjeve me a, b, c, dhe d, mirëpo përgjigja e saktë nuk gjendet në asnjërën nga këto katër mundësi. Në rast se rrethohet ndonjëra përgjigje, përderisa aty mungon e sakta, atëherë llogariten pikë negative. Pasi studentët të kenë dështuar të kalojën provimin, profesori i lartpërmendur i detyron t’i përcjellin ligjëratat përsëri në vitin tjetër ”, ka thënë Kastrati.

Ndryshe, sipas nenit 176 të statutit të Universitetit të Prishtinës për titullin e profesorit të rregullt të njësisë akademike, kandidati duhet të ketë gradën e doktorit të shkencës ose ekuivalent me të.

Të tregojë nivel të lartë dhe kompetencë akademike, përvojën shkencore për lëndën që dëshmohet me një numër të rëndësishëm të monografive, teksteve mësimore dhe publikimeve të shqyrtuara në revista ndërkombëtare, shkencore ose artistike me më së paku pesë punime kryesore të publikuara dhe të shqyrtuara në revista shkencore ose artistike ndërkombëtare dhe të jetë pjesëmarrje aktive në konferenca ndërkombëtare. 

Kthehu mbrapa

Shto koment