Protestojnë për shoqet e mbuluara

22.02.2012 (komentet: 0)

Nxënëset me shami mund ta vazhdojnë mësimin

Nxënëset e shkollës së mesme “Frang Bardhi” në Mitrovicë, të cilat bartin shami në kokë, do të mund ta vazhdojnë procesin mësimor pa ndonjë problem, vetëm se atyre u duhet të bëjnë një ankesë në Ministrinë e Arsimit të Kosovës.

(Plotesim)



Kjo u bë e ditur, të enjten, pas një takimi të jashtëzakonshëm të udhëheqjes komunale në Mitrovicë, ku kanë marrë pjesë edhe juristë të ndryshëm për të komentuar ligjin dhe udhëzimin administrativ rreth kodit të sjelljes së nxënësve nëpër shkollat publike, raporton “Kosovapress”.

“Ne duhet të respektojmë në përpikëri ligjin dhe udhëzimin administrativ për shkollat publike”, ka thënë numri një në Mitrovicë, Avni Kastrati.

Sipas tij, ligji mbi arsimin nuk e precizon qartë mënyrën e veshjes së nxënësve nëpër shkolla, ndërsa udhëzimi administrativ që është lëshuar, lejon mundësi që me një ankesë nxënësit e larguar nga procesi mësimor të kthehen në shkollë.

Ai ka cituar juristët të cilët në takim kanë interpretuar udhëzimin administrativ.

“Neni 8 i udhëzimit administrativ të kodit të mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta, parasheh që nëse nxënësi pas përjashtimit nga shkolla - për shkak të mbajtjes së shamisë - ushtron ankesë në Ministrin e Arsimit të Kosovës në Prishtinë, mund të vazhdojë mësimin, derisa Ministria të bie një vendim të ri”, ka thënë Kastrati.

Nxënësit e ndërrimit të paradites të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë kanë protestuar edhe sot për një orë në shenjë solidarizimi me shoqet e tyre, të cilave u është ndaluar hyrja në shkollë për shkak të bartjes së shamisë. Ata më pas i janë kthyer mësimit. /Telegrafi/

 

---------------------

Rreth 60 nxënës të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, kanë bojkotuar të mërkurën mësimin, në shenjë proteste kundër largimit nga shkolla të shoqeve që mbajnë shami në kokë.

“Ligji për shaminë, për shkollat fillore dhe të mesme është aprovuar në Parlamentin e Kosovës dhe ai duhet të zbatohet”, ka thënë Ahmet Fazliu, drejtor i gjimnazit, raporton “Kosovapress”.

Ai tha se shkolla që ai drejton ka shtatë “nxënëse me shami”, dhe se të martën i ka ftuar në zyrë për t’ua kumtuar vendimin e Drejtorisë së Arsimit, sipas të cilit ato nuk do ta kenë mundësinë që ta vazhdojnë procesin mësimor në të ardhmen, “nëse vazhdojnë të vijnë me shami në kokë”.

Nxënësi Behar Salihu, tha se janë shtatë paralele që kanë dalë për të protestuar kundër ndalimit të ardhjes në shkollë të shoqeve. Ndërsa, nxënëset që mbajnë shami, Fatime Veliu dhe Raza Zena, thanë se mbajtja e shamisë është e drejtë e tyre personale.

“Nuk kuptojmë pse të përjashtohemi tani, kur kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të vitit”, thanë ato.

Drejtori thotë se e ka transmetuar vendimin e Drejtorisë së Arsimit.

“Ndërsa, u kam premtuar se një javë para përfundimit të procesit mësimor do t’i ftojmë ato që t’i nënshtrohen provimeve të lëndëve, për të marrë klasën dhe për të mos e humbur vitin”, shton Fazliu, i cili kërkoi nga nxënëset t’i kthehen mësimit.

Përndryshe, nëse për tre ditë mungojnë pa arsye, atëherë në bazë të ligjit nuk janë nxënës të rregullt të kësaj shkolle dhe mund ta humbin vitin. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment