Promovohet në Ambasadë libri “Çështja shqiptare në diplomacinë britanike, 1877 – 1880” i autorit Daut Dauti

22.03.2013 (komentet: 0)

Me datë 18 mars 2013, Shoqata Anglo-Shqiptare prezantoi në mjediset e Ambasadës së Shqipërisë në Londër librin e autorit shqiptar nga Kosova, z. Daut Dauti me titull: “Çështja shqiptare në diplomacinë britanike, 1877 – 1880”.

Prezantimi i librit te autorit Daut Dauti

 

Ky libër është i bazuar në dokumentet e arkivave të Foreign Office-it, Parlamentit Britanik, institucioneve të tjera si dhe në korrespondencën e përfaqësive diplomatike e konsullore mbi ngjarjet e rëndësishme të fundit të shekullit të XIX që ndodhën në trojet shqiptare.

Presidenti i Nderit i Shoqatës Anglo-Shqiptare, Prof. Noel Malcolm, i njohu të pranishmit me karrierën e gjatë të z. Dauti, si gazetar, publicist, studiues, në Kosovë dhe në Britani. Prof. Malcolm foli për rëndësinë e kontributit kërkimor të autorit, i cili ka hedhur dritë mbi dokumenta historike që zbulojnë këndvështrime të panjohura të politikës së jashtme të Britanisë së Madhe ndaj Ballkanit.

Autori iu tregoi të pranishmëve zanafillën e hulumtimeve të tij për këtë periudhë historike, e cila filloi me interesin e tij për të studiuar themelimin dhe aktivitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe se si ky interes u trasformua në një pune disa vjeçare në arkivat britanike deri në botimin e librit.

Gazetarë, studies, historian, shqiptarë e të huaj, bashkëbiseduan me autorin dhe shkëmbyen mendime për çështjet e paraqitura në libër e për historinë e krijimit të shtetit shqiptar. Paraqitja e këtij libri është një vijim i punës që kjo shoqatë po bën në bashkëpunim me Ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Britaninë e Madhe.

www.albanianembassy.co.uk

Kthehu mbrapa

Shto koment