Promovohet libri Presheva, Bujanoci dhe Medvegja

07.05.2015 (komentet: 0)

 

 Është promovuar nga Instituti Albanologjik libri i shkrimeve të 40 autorëve me titull Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, që në vete përmbledhin shkrime me përmbajtje historike duke ofruar të dhëna nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e këtyre trevave.

 

Studiuesit e promovimit që është bërë sot në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë vlerësuar veprën dhe kanë dhënë kritikat e tyre profesionale, që me botime të tilla të vazhdohet edhe më tutje në promovimin e vlerave të Kosovës Lindore.

Me këtë rast koordinatori i zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Ibrahim Maliqi ka thënë se shqiptarëve të Kosovës Lindore po u trasohet mbështetje dhe promovim thelbësor që nga hapja e zyrës në Komunën e Gjilanit me mbështetje të fuqishme të kryetarit Lutfi Haziri, e më pas edhe me botimin e këtij libri në Universitetin “Kadri Zeka”.

“Falë nismës së Institutit Albanologjik si botuese e këtij libri dhe numrit kaq të madh të autorëve të cilët me kontributin e tyre bënë që kjo vepër u hap një dritë vezulluese për qytetarët e këtyre tri Komunave të Kosovës Lindore. Ky është një libër me vlera të veçanta kulturore, kombëtare, shoqërore e historike, si në aspektin shkencor, publicistik dhe përmbajtjesor, që vazhdon angazhimet për të drejtat e shqiptarëve të asaj treve”, tha Maliqi duke shtuar se pas hapjes së zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Komuna i ka dhënë mbështetje edhe shtypit të këtij libri.

Ai poashtu ka thënë se për më pak se tre muaj nga hapja e zyrës në Gjilan kemi pranuar mbi 500 kërkesa të ndryshme nga ato për investime e deri tek ato elementare që janë rregullimi i shtetësisë së Kosovës.

Ndërsa, prorektori i universitetit “Kadri Zeka”, Gwzim Tosumi, ka thënë se ky institucion akademik, ka krijuar kushte të veçanta lehtësuese për studentët që vijnë nga Kosova Lindore, në mënyrë që Gjilanin dhe universitetin ta ndjejnë si shtëpi të tyre.

E në anën tjetër drejtori i Institutit Albanologjik, prof. Dr. Hysen Matoshi, ka thënë se libri është i veçantë për shumë arsye, por edhe për shkak të trajtimit, tematikës dhe përmbajtjes  që ka në vete.

“Ky është libër shumë i veçantë për përmbajtjen që ngërthen në vete. Lexuesi këtu do të gjej të përmbledhur mjaft mirë kronologjinë historike, aspektin kulturorë, trashëgiminë, arsimin, shëndetësinë, aspektin social etj. e deri te koha e getoizimit të kësaj pjese dhe aspiratat politike për të ardhmen e këtyre trevave. Ky botim nis me kumtesën nga konferenca shkencore e një viti më parë të Dr. Mazllum Baraliut me trajtimin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, për të vazhduar më pas me Kudusi Lamen i cili trajton pozitën gjeostrategjike duke vazhduar me autorët tjerë në trajtimin e fushave të ndryshme që përmbledhin këto treva”, tha ndër të tjerash drejtori Matoshi.

Kurse, studiuesi prof. Dr. Bahtijar Kryeziu, ka thënë se kjo trevë është një degë e prerë nga trungu i natyrshëm dhe i vërtetë i një populli, që në këtë libër përmblidhen me fakte dhe të dhëna historike, në lëvizjet e deritanishme deri në mbetjen e Kosovës Lindore jashtë kufijve të Republikës së Kosovës.

“Kjo trevë është sikur një degë e prerë nga trungu i vërtet. Është një Çamëri e dytë. Plagët e hapura në trevat shqiptare asnjëherë nuk përfunduan deri më tani që nga veriu deri në jug. Shteti serb ka bërë nëpërkëmbjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore në të gjitha proceset. Por për fat të mirë ky libër skalit hapur dhe me të drejtë realitetin e kësaj pjese të shqiptarëve ndër vite”, tha profesor Kryesiu i cili ka shtuar se botime të tilla duhet të kemi sa më shumë të këtij dimensioni, ngase japin përmbledhje të fakteve kundrejt një të padrejte historike që ka ndodhur në këtë trevë.

Me fjalën e tij është paraqitur edhe Xhemaledin Salihu, i cili ka vlerësuar lartë këtë punim mjaft voluminoz dhe tërheqës për lexim./kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment