Promovohet libri “Kosova në krizën Jugosllave”

21.01.2012 (komentet: 0)

Është promovuar libri “Kosova në krizën Jugosllave”, i autorit Prof.Dr. Ramë Buja

Libri ndahet në shtatë kapituj, me përmbajtje të veçantë faktografike dhe akademike dhe trajton procesin e shtetfotmimit tonë të mbështetur në kapacitetet njerëzore.

Autori i librit, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, pasi ka falënderuar të pranishmit, ka theksuar rëndësinë e ngjarjeve të cilat janë trajtuar në libër, duke thënë se ato përbëjnë një libër e më shumë.

Autori Buja tha se nuk pretendon të shteroj faktet dhe argumentet të cilat janë thënë, porse dëshiron që të përmbledh brenda një libri ecurinë e procesit të pavarësimit të Kosovës.

“Secila prej ngjarjeve që janë përfshirë në libër përbën një libër e më shumë, por pa qenë pretendues i skajshëm për të shteruar ato që janë thënë, kam dashur që në një libër brenda kopertinash të përmbledh diçka që na ka gëzuar të gjithëve skajshmërisht. Nuk kam pretenduar që të shterroj, por kam thënë atë që kam menduar se duhet thënë dhe atë që kam gjetur nëpër arkivat, dokumentacionin që kam konsultuar”, është shprehur autori Buja.

Njëri nga historianët e diplomacisë, Ibrahim Gashi, tha se libri i cili po promovohet është një përpjekje serioze, për të sjellë para lexuesit, të përmbledhur trajektoren historike nëpër të cilën kaloi Kosova, nga fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë Federative, deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Libri “Kosova në krizën Jugosllave”, është ribotim i përpunuar dhe plotësuar. Kapitulli i parë flet për vitet e fundit të Jugosllavisë, aspektet politike, juridike dhe ekonomike. Kapitujt dy deri në gjashtë janë titulluar, ndërkombëtarizimi i krizës dhe shkatërrimi i Jugosllavisë, përfshirë Konferencën e Hagës, Konferencën e Londrës, Konferencën e Dejtonit dhe Konferencën e Rambujesë , ndërsa kapitulli i gjashtë është përmbledhje e zhvillimeve në Kosovën Lindore, ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Unionin Serbi- Mali i Zi. Kapitulli i shtatë përmban aktin e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe bërjen e shtetit të shtetit më të ri në botë, Republikën së Kosovës./INA/ 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment