Promovohet libri “Djersa e Gurit” i autorit Muhamet Halili

12.12.2015 (komentet: 0)

 

Vjeshta letrare  e Gjilanit po vazhdon tutje  rrugëtimin e saj dhe këtë të shtune është promovuar libri me tregim “Djersa e Gurit” i autorit Muhamet Halili, e për të cilin libër, studiuesi, kritiku dhe krijuesi Sarë Gjergji tha se nuk është një libër për t’i pasqyruar gjërat, por për t’i ndryshuar ato. Sipas tij, janë tregime të realizuara artistikisht, që prekin plagë të përditshmërisë duke përcjellë mesazhe të frytshme.

 

Ky libër që përbëhet prej 22 tregimeve, të ndara në tri cikle, sipas Gjergjit, paraqet tabllo nga realiteti dhe kushtet e jetës sonë. Ai tha se Halili paraqet një botë të vrazhdë e të egër e të pamoralshme, por që autori diti që nëpërmjet mjeshtërisë së rrëfimit ta fus lexuesin në të, duke shtruar çështjet natyrshëm dhe zëshëm duke grisur ndërgjegjen e lexuesit. Gjergji tha se nëpërmjet tabllove të gjalla, paraqitet drama e gruas dhe e familjes, me gjuhë poetike e të fuqishme paraqitet edhe jeta e njeriut tonë, detaje të jetës e të ambientit tonë, e libri ka edhe dimensione humaniste, pasi paraqet dashurinë për vendin e për njerëzit.

Naxhije Gashani recensente e librit ka thënë se heroi i tregimeve të Muhamet Halilit, është njeri i natyrshëm, i zhveshur atributesh, të cilat atë do e tëhuajësonin para lexuesit. Një tip i tillë heroi i ka përngjasimet e një njeriu aktual, një hero përditshmërie, i cili endet para syve tanë, këtij shekulli të çalë e të nëpërkëmbur miopësh.

“Në tregimet e Muhamet Halilit, lexuesi sheh realitetin aktual, rrugët e fatit të heronjve, janë rrugë të njohura, anise (ndonjëherë) pa emra, heronjtë do lëvizin brenda hapësirave shqiptare të ngarkuar me hallet aktuale, me dëshirat, ëndrrat e të gjitha këto të jetuara kufijve të traditave e dokeve tona zakonore (disa prej të cilave në rrugën e shprishjes së tyre). Mënyrë kjo, më e lehtë për t'u perceptuar dhe për ta gjetur edhe vetveten, si lexues. Mjeshtëria në ndërthurjen e temave, në portretizimin e personazheve, dhe ideja letrare e fshehur fabulës së tregimeve, është argumenti më real që shpërfaq para lexuesit një autor me një afinitet të stërholluar narrativ, i cili zbret qetas në fushën e prozës shqipe”, ka thënë ndër tjerash Gashani.

Hasan Bunjaku, recensent tjetër i librit tha se Muhamet Halili na vjen edhe me përmbledhjen e re “Djersa e gurit” ku autori shpërfaq një gamë të gjerë të çështjeve dhe problematikave, pak a shumë, të përditëshmërisë sonë, me të gjitha nuancimet polivalente të jetës në kohën dhe hapësirën aktuale, përplot katrahura e travaje, nëpër të cilat po kalon njeriu ynë sot e këtu.

 “Autori, pos në një rast, në fakt, i pasqyron gjërat e fenomenet dhe i portretizon personazhet sa më besnikërisht, por pa u futur më thellë në “investigimin” dhe eventualisht, ofrim direkt të zgjidhjeve të tyre, duke mbajtur kështu një qëndrim pak a shumë të vrojtuesit e sogjetarit duke i piketuar ato, gjë këtë që ua len vetë recipientëve, apo edhe atyre që “kanë veshë për tupan”. Duke e pasur për profesion gazetarinë, ai i ve në spikamë çdo gjë që i kap syri e lapsi, dhe, ndonëse ndonjëherë vjen deri në zgrip, nuk bie në honin e reportazhit, duke i ikur me mjeshtri ndikimit të këtij “deformimi profesional” thekson Hasani.

Sipas tij, autori Halili, përdorë një gjuhë pa shumë stilema, por kaq të afërt me lexuesin, duke mos u ikur leksemave, tog-fjalëve e frazeologjive thjesht vendore e gege, në shikim të parë, duke i lënë me qëllim kështu rrëfimet e papërmbyllura, për t’ia mundësuar e lejuar kështu imagjinatës së vetë lexuesit, të cilin ai nuk e do vetëm si shijues pasiv, por si subjekt aktiv, si personazh apo edhe si “autor” të vetë rrëfimeve në këtë vepër që i bën nderë autorit, editorit, lexuesit e edhe tregimit të shkurtë, si një zhanër akoma mjaft deficitar në letërsinë tonë.

Ndërsa, autori i librit Muhamet Halili ka vlerësuar angazhimin e të gjithëve që ky libër të sheh dritën e botimit, për të shtuar se krijimtaria e tij më tepër është rebelim, është vazhdim me mjete tjera i “betejave të tija” si gazetar, në këtë shoqëri tonën që  për çdo ditë e më tepër po e humb fillin. Është një lloj rebelimi  individual ndaj  zhvillimeve të përgjithshme shoqërore për të treguar se “luftohet’ për ndryshime, në të gjitha format, e edhe përmes fuqisë së fjalës së shkruar prozaike, duke iu bashkuar, por edhe kërkuar kështu zëra tjerë për  të fuqizuar këtë synim.

“Në çdo tregim  jam përpjekur të lë vend edhe për lexuesin, që ngjarjen  ta ndjejë  jo si diçka të largët, por diçka që e rrethon, në diçka që ka qenë, është apo do, që të jetë i përfshirë, dhe kjo natyrisht është bërë edhe përmes tematikës së përzgjedhur.  Shkruaj për t’u kënaqur, edhe pse ndoshta paradoksale mund të duket kjo, kur në prozën time ka edhe dhembje, ka edhe padrejtësi, ka edhe budallallëk, ka edhe pasqyrim të pafuqisë për ta mundur të stërkequrën, por megjithatë shpërfaqja dhe rikujtim i kësaj çështje, dhe ndarja me publikun, e arsyeton ndenjën time, dhe krejt çfarë pres apo dua pastaj prej lexuesit, është që të kënaqet edhe ai duke i lexuar, por njëkohësisht edhe të ngacmohet durimi i tij, që ndoshta edhe pavetëdijshëm po e mban “të burgosur’ duke ia standardizuar përditshmërinë e tij  jonormale, në një “normalitet””, ka thënë Halili.

Ai shtoi se proza e tij nuk është vetëm shkrim, por është edhe ekspozitë, shfaqje, është muzikë, është ushqim... “Përmes tregimeve të deritanishme  si në librin e parë “Fundi i heshtjes” , por edhe në të dytën, që e kemi këtu  “Djersa e Gurit”, vlerësoj se jam një lloj ”rebeli me arsye” për ta sfiduar edhe në  këtë formë, për aq sa mundet, mos funksionalitetin shoqërorë te ne, nevojën për ndryshime në çdo fushë dhe nevojën për mos me u pajtue me diçka që nuk bënë, nuk ecë, thjesht me diçka që nuk shkon”, ka thënë Halili.

Përndryshe vjeshta letrare e Gjilanit do të vazhdojë rrugëtimit  e saj tutje  të shtunën e ardhshme. 

Kthehu mbrapa

Shto koment