Promovohen edhe dy libra të Robert Elsie

05.02.2012 (komentet: 0)

Në kuadër të viti jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë në ambientet e Ministrisë së Jashtme në Shqipëri, u zhvillua një aktivitet për promovimin e dy librave të albanologut, përkthyesit dhe studiuesit kanadez Robert Elsie: Fjalori historik i Shqipërisë dhe Fjalori historik i Kosovës

 . 

Kryediplomati shqiptar Edmond Haxhinasto në fjalën e mbajtur me këtë rast u shpreh se, librat e  Elsie janë dy vlera që do të vendosen në piedestalin e rëndësishëm të veprave për historinë dhe për kulturën shqiptare, duke shtuar se vepra e Elsie është një gur themeli në afirmimin e kulturën shqipe si një nga kontributorët e rëndësishëm të civilizimit botëror.

“Unë dëshiroj që ky eveniment të shënojë dhe një herë një tipar shumë të rëndësishëm që vëmë re për kulturën dhe trashëgiminë tonë, atë që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve nga më të shquarit kontemporanë, dhe sigurisht ky kontribut i Profesor Elsie është i tillë, një gur themeli për ta vazhduar këtë rrugë, këtë traditë që tashmë është krijuar, duke afirmuar kulturën shqipe si një nga kontributorët e rëndësishme të civilizimit botëror. Thashë i huaj sepse, Profesor Elsie mban një pasaportë shqiptare, por i lindur është në Kanada. Pavarësisht kësaj, unë mendoj se ai është një shqiptar i mirë, një kontributor  i kulturës dhe i trashëgimisë tonë, u shpreh Haxhinasto, transmeton NOA.

Në përfundim të fjalës së ministrit, fjalën e mori vetë autori Elsie, i cili theksoi se librat e tij janë enciklopedi me fakte dhe dokumente të vërteta që duhet të dinë të huajt për shqiptarët.

Autori sqaroi ndër të tjera se synimi në këto libra për Shqipërinë dhe për Kosovën, anglisht dhe tani edhe shqip, është për t`i ofruar lexuesit të huaj të dhëna të sakta dhe informacion, ndër të tjera, për të korrigjuar shumë gabime dhe keqinterpretime që përsëriten në shtypin e huaj për shqiptarët.  

Kthehu mbrapa

Shto koment