Projekti i kompleksit të shkollave të mesme merr vizën nga këshilli i ekspertëve

19.03.2012 (komentet: 0)

Këshilli i Ekspertëve ka miratuar të hënën propozimin për zgjidhjen urbanistike të kompleksit të shkollave të mesme, me disa vërejtje, të cilat i kanë dhënë anëtarët e kësaj trupe komunale, pasi që janë njohur me projektin, që e kanë prezantuar Bahrije Mahmuti, drejtoreshë dhe Fadil Sherifi, shef i sektorit të Planifikimit në Urbanizëm.

Sabri Tahiri, kryesues i Këshillit të Ekspertëve, ka thënë se ambienti shkollor është shumë domethënës për nxënësit, sepse i jep formë edhe mendjes së fëmijëve, prandaj duhet të jetë i rregulluar si duhet.

Sipas këtij projekti, kompleksi shkollor do të rrethohet në gjithë perimetrin e tij dhe do të ketë dy porta për komunikim, njëra në pjesën jugore dhe tjetra, në anën veriore. Brenda kësaj hapësire, ku ndodhen shkollat e mesme, konvikti i nxënësve dhe studentëve si dhe Fakulteti i Edukimit, do të ndërtohen katër terrene të hapura sportive dhe katër poligone volejbolli, si dhe një poligon sportiv i tipit të mbyllur.

Në kuadër të kompleksit do të ketë edhe një restorant, ekskluzivisht për furnizim të nxënësve dhe personelit shkollor me ushqim dhe pije, pasi që nxënësve nuk do t`u lejohet më dalja  jashtë kompleksit. Është planifikuar po ashtu ndërtimi i katër bufeve shkollore, brenda të cilave do të ketë një kënd të posaçëm për shitjen e materialit shkollor.

Shikuar nga këndvështrimi shoqëror - social, përfitues të drejtpërdrejtë nga projekti janë nxënësit, sepse atyre u krijohen kushte më të favorshme për rritje të cilësisë së mësimit, për relaksim dhe siguri brenda hapësirave shkollore si dhe shfrytëzimin më të mirë dhe më racional të kohës së lirë gjatë procesit mësimor. 

Planifikimi i vendosjes së rrethojave për gjatë tërë perimetrit të kompleksit të shkollave të mesme është bërë nga Drejtoria e Arsimit dhe është kërkuar me qëllim të rritjes së sigurisë dhe menaxhimit më të mirë të shkollave të mesme. Po ashtu, do të pamundësohet hyrja e personave të jashtëm në hapësirat e kompleksit shkollor, sikurse do të zvogëlohet zhurma dhe tollovitë pranë kompleksit shkollor.

Kompleksi i shkollave të mesme shtrihet në pjesën perëndimore të zonës së qytetit dhe përfshinë një sipërfaqe prej 4.902 hektarë. Numri i përgjithshëm i nxënësve në kompleksin e shkollave të mesme është 7.500 si dhe një personel prej 325 vetash. Projekti kap një kosto financiare prej mbi 832 mijë euro.

Realizimi i projektit jo vetëm që do krijojë infrastrukturë më të mirë rrugore, kushte dhe ambient më të mirë për mësim, relaksim, aktivitet sportiv dhe punues, për nxënës dhe personelin e shkollave, por gjithashtu do të evitojë në masë të konsiderueshme daljen e nxënësve jashtë kompleksit shkollor gjatë pushimeve ditore.

Sipas sqarimeve plotësuese që dhanë zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizimit, brenda kompleksit shkollor nuk do të ketë më rrugë për kalimin e qytetarëve, përshirë edhe shtëpitë pranë gjimnazit, derisa pritet zhvendosja e Ekonomisë së Pyjeve dhe e Qendrës së Gruas dhe Fëmijëve “Liria” në lokacione të tjera.

Kthehu mbrapa

Shto koment