PRITA NË BISTRICË (XVIII)

22.10.2013 (komentet: 0)

Pas përgatitjeve të fundit, grupi niset për Shqipëri nën udhëheqjen e Musës të cilit Hasani nuk i besonte. Të gjithë ishin të armatosur me pushkë dhe bomba. Gratë, të veshura si burrat, kishin revole. Hasani ndërmori masa që ta kontrollonte rrugës Musën.

Mustafa Koka.220x327.jpg

Mustafë Koka

 

Jovan Bullajiq:

Rilindja, E shtune, 26-VI-1965

 

                                                                                 XVIII

 

Përgatitjet e fundit

 

Kaluen ditën tue u sjellë nëpër shtëpi e tue bisedue me antarët e familjes e kur ra terri i parë u nisën për në vendin e takimit. Nguteshin, sepse ishin marrë vesh të mbërrijnë para se të dali Hana.

 

Në vendin e caktuem Hasani pritte vetëm. Dinakrija e tij ishte e madhe. Kujdesej për çdo gja. Kësaj here deshti të vërtetojë se a po vijnë vetëm, apo të shoqnuem prej ushtris e milicisë. Mbas përshëndetjes, Hasani pyeti Hamzën:

 

-          A ka ardhë edhe ndokush tjeter te ti në shtëpi dhe mos ju ka pa kush kur jeni nisë këndej?

-          Mos u mërzit, jemi kujdesë për këtë.

-          E mos të ka pa ndokush ty, kur ke ardhë në shtëpinë e Hamzës ? – insistoi Hasani, tue iu drejtue Musës.

-          Kam mbërrijtë natën dhe jam ruejtë, - u përgjegj Musa shkurt.

 

Vetëm mbas kësaj, Hasani i qoi te të tjerët. Asht e pabesueshme se sa ishte i kujdesshëm. I qoi gati katër kilometra larg derisa mbërrijtën pranë nji kasolle.

Në kasollë i pritshin mësuesi Mustafë e Agushi me gratë e veta  dhe dy të rij tjerë, që Musa nuk i njihte. Supozonte se ishin t’afërm të grave. Kur u ulën të gjithë para kasollës për të pushue, Hamza iu lut Hasanit për ni shërbim.

 

-          Kam në Shqipni nji t’afërm, prandej kisha me t’u lutë që kur të mbërrijsh atje ta kërkojsh.

 

Hasani kërceu. Nga dyshimi, nga pak i sigurtë, i kishte humbë nervat.

 

-          Unë  nuk po shkoj në Shqipni. Vetëm do t’i përcjelli deri në kufi, e mandej do të kthehem.

 

Hasani thuese frigohej. Dëshironte që bashkpuntorët e vet t’i mbajë sa ma shum në frigë, sepse kishte frigë se mos nëqoftëse kuptojnë se ai po ikë në Shqipni, do ta bajnë ndonji gja që nuk duhet. Sidoqoftë, mendonte se asht ma e mirë që njerzit të mbeten të bindun se ai nuk po ikë.

 

Përshëndetja qe e shkurtë dhe kur Hamza me dy të rij u largue, Hasani bani planin për nisje. Ai e Musa do t’ecin përpara, e në largësi të vogël mbas tyne mësuesi dhe Agushi me gra.

Hasani pat ndryshue shum. Dyshonte, bërtiste, ishte i pasigurt . Musa tmerohej por u bani ballë me guxim shikimeve të dyshimta të Hasanit.

 

Të gjithë ishin t’armatosun. Hasani kishte pushkë dhe automat gjerman, dy bomba dore, revolen dy rrathë me fyshekë të pushkës, fyshekli dhe dyrbi. Ishte i veshum me pantollona të zeza, bluzë oficerësh, mantil të shkurtë dhe opinga.

 

Agush Et-hemi kishte pushkë, revole dhe mjaftë municion në rrathë e fyshekli. Ishte i veshun me rrobe ushtarake, e qorapat e katundit i dukeshin mbi pantollona dhe opinga. Rreth fytit kishte mbështjellë nji shall të madh me lara.

 

Mësuesi kishte pushkë gjermane dhe nji revole që e pat marrë kur vrau Xhaferin e Vojën. Ishte i veshun n’uniformë milici.

 

Grat ishin të veshuna me pantollona ngjyrë blu me këmisha të bardha nën xhemperat e lesht. Secila prej tyne kishte nga nji revole.

 

-Mirë, mundemi me u nisë – tha Hasani dhe u que.

Kjo qe shenjë edhe për tjerët se duhet të shkojnë mbas tyne.

-Unë do të prij, i tha rrept Musës, por duhet të jesh vazhdimisht afër meje. As para e as mbrapa meje, por krah për krahu.

 

Muer në dorë nji bombë, e Musës i dha pushkën prej së cilës nxuer fyshekët. I spjegoi se kjo ishta pushka e nji rojtari të pyllit, që e patën vra.

 

Hasani mendonte në të gjitha. Mendonte se si nëqoftëse hasin në pritë, kur të shohin se Musa nuk ka kurrgja në dorë nuk do ta vrasin. N’at rasë ai do t’ishte caku kryesor. Për kët arsye insistoi që Musa ta bajë pushkën megjithëse ishte e zbarzët.

 

Kur i vërtetoi edhe njiherë të gjitha, Hasani urdhnoi që të nisen. Nëpër natën e errtë, tue depërtue nëpër pyllin e parrugë, grupi i kriminelëve të randë ecte me shpejtësi kah kufini i Shqipnisë. Musa përjetonte kriza dhe qenë të nevojshme përpjekje mbinjerzore për të mundë me frenue vendin dhe vendosë ekuilibrin. Hasani e befasonte çdo moment me pyetje të ndryshme, prandej i duhej me qenë i kujdesshëm.

 

-          Ec vetëm pranë meje. As përpara, as mbrapa, - përsëritte vazhdimisht Hasani, kur se sytë e tij kontrollojshin me shpejtësi terenin nga të gjitha anët si sytë e ndonji bishe.

 

Ecshin ngadalë, sepse Hasani kontrollonte terenin hap mbas hapi. Rruga ishte e gjatë, e pasigurtë.

 

 

Pushimi

 

Ecën tanë natën. Gratë mezi lëviznin. Para agimit. Hasani u ndal. Priti që t’afrohen edhe të tjerët.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment