PRITA NË BISTRICË (XIX)

23.10.2013 (komentet: 0)

UDB-a finalizonte planin e pritës. U angazhuan të gjitha njësitë e Korpusit të Mbrojtjes Popullore dhe Milicisë së këtij teritori. Musa pritej të zbriste në Prizren për tu takuar me oficerët e UDB-ës, dy prej të cilëve ishin Ragipi dhe Shabani, që së bashku me shefin e tyre, kishin ardhur në Prizren nga Prishtina. Mirko, kolegu dhe shoku i ngushtë i Shabanit, nuk do të merrte pjesë në aksion pasi që nuk dinte të fliste mirë shqip.

Mustafa Koka.220x327.jpg

Mustafë Koka

 

Jovan Bullajiq:

Rilindja, E diele, 27-VI-1965

 

                                                      XIX

 

 

Dita filloi t`ë agojë ngadalë dhe Hasani vendosi që të ndalen e presin natën. U tërhoqën në nji pyll mbi katundin Sllakovc. Dita ishte e ftohtë. Hasani caktoi ku duhet të kalojë ditën secili.

Hasani me Musën u ulën mbi nji breg të vogël, kurse tjerët i vendosi në nji lug, keshtu që ndonji kalimtar vështirë do të mundtte me i pa. Papritmas u ndëgjue nji za. Për nji moment të gjithë u shtrinë në barin e naltë. Thuese askush nuk merrte frymë.

- Ky asht komandanti i stacionit të Milicisë, - pëshpëriti Hasani tue marrë frymë randë.

- Si e din se asht ai? - pyeti Musa.

- E njoh ka kohë, - u përgjegj.

Çdo muskul iu elektrizue, si bisha kur pergatitet të kërcejë. Zani humbi shpejt, ashtu si edhe u paraqit shpejt e papritmas. Hasani u que ngadalë dhe kur pa se kishte kalue rreziku, mblodhi disa krande të thata për të ndezë zjarrin. Tue pa se çka mendonte me ba, Musa tentoi me ia tërheqë vërejtjen.

- Mos ndez zjarr - mundet me pa ndokush tymin.

- Kur e ndezi unë, nuk mund të shihet asgja - tha Hasani me nënçmim.

Mbas kësaj gërmoi një gropë në dhe, vuni në te krandet e thata, e mandej i mbuloi me kore të drunit të lejthijave. Zjarri i ndezun kështu, në të vërtetë nuk ishte i rrezikshëm, sepse tymi i tij ishte minimal.

Hasani e Musa, tue nxe duert, bisedojshin për kalimin e arrshëm përtej kufinit. Hasani përmendte vazhdimisht dy prijsit, që duhet t`i kalojshin përtej kufinit.

- A janë të sigurt ata njerëz tu?...Mos po luhaten dhe na qojnë në dyert e organeve.

Dukej qartë se Hasani frigohej. Posa la terenin, që ishte i njohtun, filloi me qenë i pasigurt. Sa më shum që i afroheshin kufinit, aq ma i huej i dukej çdo gur.

- Duhet të kesh besim. Ata janë miq të mij të mirë ,- e siguronte Musa.

- Kam, në ty kam, besim - tha Hasani shpejt, i preokupuem nga dyshimi prej të cilit nuk mund të lirohej.

- Dhe duhet të kesh. Unë kam familje e dëshiroj të kthehem gjallë, e në qoftëse shkaktohet ndonji gja, kështu pa armë, unë do t`i laj duert i pari.

Dita kaloi në pushim. Hasani ishte shum i kujdesshem. I dukej se nuk do të kalojë kurr dita. Tash për tash ushqim kishte mjaft. Rezervat e ushqimit duhej të qëndrojshin deri në kalimin e kufinit. Gjatë tanë ditës tre meshkujt u ndërruen në roje. Kur u kthye Hasani, kah muzgu, prej roje dhe u ul afër Musës për të nxe duert, nuk mundi me durue pa fillue me e pyetë përsëri për ata dy prijësit.

Musa ishte i kënaqun. Ndiente se Hasanin po e kap paniku në terenin e panjohtun.

- Çka po frigohesh kaq shum, nuk je grue - i tha Musa në mënyrë shum të lirë.

- Në qoftë se asht kështu, atëhërë kthehuni menjiherë mbrapa. Mos shkoni ma tutje, në qoftë se dyshoni në mue dhe njerzit i mij.

Musa bahej se po e fyejnë që po dyshojnë në qëllimin e mirë të njerëzve të tij.

- Nuk frigohem unë për vedi - tha me krenari Hasani, të cilin e goditi vërejtja e Musës. - Kam dijtë me dalë unë prej vështirsive shum ma të mëdha, e do të dij edhe tash. Frigohem për këto gra që i kemi me vedi.

Musa bahej në bisedë gjithnji e ma i lirë, sepse e ndiente se banditët janë në duart e tij.

- Pse ma keni dhanë kët pushkë të zbrazët?...Çka me ba me te?

Hasani u gjet për nji moment në situatë të vështirë, tue mos dijtë qka të përgjigjet.. E ndiente se duhej me i besue këtij njeriu.

- Nuk kemi municion për te - u përgjegj shkurt e mandej me nervozitet urdhnoi që të nisen.

Errsina ishte mjaft e dendun, prandej kolona u nis e pa pengueshme në rrugën e vet të gjatë.

 

 

                                         Përgatitjet për pritje

 

Në zyrën e Ismetit  mbretnonte gjallni e madhe. Shefi kishte mbërrijtë përsëri prej Prishtine. Edhe kësaj here erdhi me te nji oficer i UDB-ës. Hartuen planin në detale. Banditëve të njohtun duhej me iu përgatitë pritjen që e meritojshin. U vunë në lëvizje të gjitha njisitë e Korpusit të mbrojtjes popullore dhe milicisë së këtij teritori. Tanë rrethina ishte e bllokueme. Çdo gja qe planifikue mirë dhe duhej që banditët të bijnë vetë në kurthën e përgatitun me mjeshtri.

Pritej se at paradite Musa do të zbriste në Prizren për t`u marrë vesh me prijsit. Prijsit ishin përgatitë. Njani prej tyne ishte Ragipi, oficeri i UDB-ës, që erdhi me shefin prej Prishtine, e tjetri Shabani.

Mirku e shikonte me lakmi Shabanin. I vinte keq që nuk mundte me shkue edhe ai me te. Ishin shokë të pandashëm. Sa e sa herë iu gjindën ata njani-tjetrit në vështirsi. Mirëpo, kësaj here kjo ishte e pamundshme. Mirku, i cili nuk e dinte mirë shqipen, nuk ishte i përshtatshëm për kët detyrë.

Ismeti u spjegoi të dy oficerëve detalisht planin e pritës dhe çka duhët të bajshin. Shefi ishte shum i kënaqun me planin e Ismetit, që qe mendue me mjeshtri të plotë. Ismeti digjej prej mosdurimit. Dëshironte me plot zjarr që ky akcion të përfundonte me sukses.

Me gjithse parandiente se çdo gja do të kalonte si duhet, prap se prap nuk mundte me u lirue prej njifarë frige se mos do të ngjante ndonji gja e paparapame.

Ishin të padurueshëm, sepse Musa u vonue.

Kthehu mbrapa

Shto koment