PRITA NË BISTRICË (XIII)

16.10.2013 (komentet: 0)

UDB-ës i dështon edhe prita që kishte organizuar te shitorja e fshatit Remnik dhe nga e cila pritë udbashët kishin besim të madh se do ta eliminonin grupin e Hasanit. Me anë të spiunëve dhe informatorëve UDB-a merr vesh për planin që kishte mësuesi Mustafa që grupi të dilte në Shqipëri nga ku do të vazhdonin aktivitet.

 

Mustafa Koka.220x327.jpg

Mustafë Koka

 

Jovan Bullajiq:

Rilindja, E merkure , 21-VI-1965

 

                                                                  XIII

 Qe me të vërtetë shum bindëse ajo kur Syla, me frigë në sy, tue u frigue prej hakmarrjes së Hasan Ribnikut, zbuloi ma ne fund shtëpinë, në të cilën duhej të takohej banda.

Ishte fjala për shtëpinë e shitsit që punonte ne shitoren e kooperativës. Syla dridhej me tanë trupin ndërsa i afrohej shtëpisë, i përcjellun prej dy oficerëve t`UDB-ës dhe tre milicëve.

Thuese për nji moment u luhat. Mbas kësaj, ai iu drejtue njanit prej oficerëve:
-Pritni ju këtu, që unë të shikoj mos ndoshta kanë mbërrijtë, e mandej kthehen per ju.

Kaloi bukur nji kohë derisa u kthye dhe u kumtoi se Hasani me njerzit e vet ende nuk ka mbërrijtë dhe se mund të nisen.

Prita u vendos mbrenda në shtëpi. Sylë Arifi gjindej bashkë me ta. Tri ditë e tri netë prita priti me syqeltësi Hasan Ribnikun dhe bandën e tij, e atëherë kuptuen se përsëri do t`i ketë informue dikush dhe ndryshuen planin.

Prita u kthye pa krye punë. Të gjitha ndjekjet, që vazhduen pa ndërpre, gjurmuen kot, sepse banda thuese kishte hy nën tokë.

Anmikut të perbetuem, Sylë Arifit, i erdhi edhe kësaj here per dore me i mashtrue organet e sigurimit dhe me mjeshtrinë e vet me shpëtue eprorin e vet prej vdekjes së sigurt.

Tanë kohën që zgjati ndjekja dhe prita në shtëpinë e shitsit, Hasan Ribniku dhe banditët e tij gjindeshin në tavanin e po kësaj shtëpie me pushkë te gatshme për të shti ne çdo moment.

Kështu ngjau që prita, pa dijtë kurgja, të qëndroj tri ditë e tri netë nën nji pullaz me banditët, tue i mbrojtë prej ndjekësve tjerë.

Për fat të keq, edhe ky akcion kundër bandës, që ishte organizue e pergatitë shum mirë, mer fund pa sukses. Dosja e Hasan Ribnikut dhe ndihmësve të tij nuk mundi të mbyllet.

Tue mos pasë argumente se Sylë Arifi ka marrë edhe vetë pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e dy oficerëve, e tue konsiderue se për burgimin e tij ka gjithmonë kohë, organet e sigurimit e liruen edhe kësaj here prej burgut, e ai premtoi se nëqoftëse merr vesh ndonji gja do ti lajmrojë menjiherë.

Kuptohet se këte nuk ia besoi askush, por prej atëherë qdo hap i tij u përcuell me syqeltësi.

 

                                                                Lindja e planit të ri

Tue lëxue raportin e fundit Ismeti fshani me lehtësim. Disa gjana i ishin tash ma të qarta. Tash mundte me i hy shum ma leht detyrës. Shetiti pak poshtë e nalt nëpër dhomë. Raportet, megjithëse të shkrume pa mjeshtri, përmbajshin shënime të hollësishme për njerzit që ishin pjestarë të bandës. Shum jatakë asqë merrshin me mend se për veprimtarinë e tyne dihet çdo gja.

Pa dashtë mbërrijti te shtrati dhe u shtri. Kjo nuk mund të zgjasi shum, mendoi krejt kësaj nji ditë do t`i vijë fundi.

Disa parandjenja të quditshme i thojshin se do t`ia mbërrijë me mundë Hasan Ribnikun dhe bandën e tij kriminale.

Tue mendue kështu e zuni gjumi.

 

                                                          Lamshi fillon të zgjidhet

E zgjoi telefoni. Ismeti këceu në kambë dhe qoi ndëgjojsen. Ishte Mirku.

-Po, po vijmë menjiherë -tha Ismeti në telefon, e mandej e lëshoi me të shpejtë ndëgjojsen. U vesh me të shpejtë dhe vrapoi shkallëve teposhtë.

Mirku lajmoi se bashkë me nji bashkëpuntor gjindet në banesën e Ismetit, sepse ishte e rrezikshme që ta shohi ndokush kët bashkëpuntor se si po hyn në ndërtesën e Sekretariatit të Punëve të Mbrendshme. I tha se lajmet janë shum të randësishme dhe se Ismeti duhet të shkojë menjiherë.

U ngut. Parandiente lajm të gëzueshëm. E ndiente vedin të lehtë e të shkathët. Hynë në dhomën e vet ngapak i mbushn me frym.

-Si jeni,- tha dhe u përshëndet përzemërsisht me Mirkun, e mandej i zgjati dorën katundarit, që ishte que në kambë për t`u përshëndetur me te.

-Ky asht Basriu,- e prezentoi Mirku.

Biseda filloi menjiherë, sepse Ismeti nuk kishte durim. Pritte, pa dijtë edhe vetë pse, se Basriu i ka sjellë ndonji lajm të randësishëm.

-Fol,-i tha Ismeti. - A asht ndonji gja e randësishme?

-Nuk kam çka të flas shum- tha Basriu. - Para disa ditësh erdhi te unë nji bujk i rrethit të Suharekës dhe më luti që t`i gjej nji urdhërrëfyes që do të përcjellte te nji njeri në Shqipni. Më tha se për këte do të më  paguej mirë.

-Si quhet ai bujk? - pyeti Ismeti.

-E dij se quhet Musë, e për mbiemën nuk jam i sigurt.

-Vazhdo, - i tha Ismeti.

-Kur e pyeta kush asht njeri, të cilin duhet përcjellë në Shqipni, m`u përgjigj se asht mësuesi Mustafa, që ka vra dy oficerë t` UDB-ës.

-Le ta marri dreqi!...këceu Mirku prej karrigës së vet.. A je i sigurt çka po flet?...

Mirku, ashtu si gjithmonë nuk mundte me frenue temperamentin e vet. Rrahu supet e Basriut dhe i zgjati paqetën e cigareve.

Ismeti mezi e frenoi vedin. Kjo ishte, ma në fund, gjurmë e vërtetë. I vinte t`ia fillojë kangës, të përqafojë Basriun, i cili kët lajm nuk e konsideronte kushedi sa të randësishëm. I la Mirkut që të gëzohet me za mbrapa tij.

-Ma përshkruej bujkun që ka ardhë te ti. Krejt çka din për te mund të jetë e dobishme.

Basriu dinte vetëm katundin prej të cilit ishte Musa.

Asht nja 50 vjeçar. Ka mustaqe të mëdha. Gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër asht marrë me kontrabandë. Mendoj se do të mundemi me e njohtë lehtë.

Të faleminderit - i tha Ismeti tue u que dhe u përshëndet me te. - Shiko mos të të shohi ndokush kur të dalish prej këtu. Lajmohu përsëri, nëqoftëse merr vesh ndonji gja.

Mirku ia shtrëngoi dorën fuqishëm, e mandej Basriu u largue me ngutsi.

-Le ta marri dreqi,- bërtiti përsëri Mirku, kur u largue Basriu. - Kam përshtypjen se kësaj radhe nuk do të mundet me na u përvjedh.

-Do të përpiqemi që kësaj radhe të na i lajë borxhet për të gjitha përpjekjet e deritashme të pasukseshme, - tha Ismeti pak i mrrolun.

-Çka duhet të ndërrmarin tash? - pyeti Mirku. - Së pari duhet me konstatue se kush asht Musa. Tash për tash kjo asht detyra jote, e unë do t`i përgatis tjerat.

-Shabani gjindet ende në Ribnik dhe po kontrollon shtëpinë e Hasanit. Deri më tash nuk kemi pasë sukses. Hasani nuk asht dukë. Kemi likuidue qenin, por i riu u paraqit mbas disa ditësh. Dyshoj se Hasani do ta ketë marrë kët qen te ndonji mik i veti. Kanë kërkue sigurisht qen që e njeh Hasan Ribnikun.

-Tërhiqeni pritën. Mendoj se në kët moment ajo asht e kotë. Do të fillojmë aksionin prej nji ane krejtësisht tjetër. Mendoj se kësaj here do t`i befasojmë. E tash, vrapo, kjo asht urgjente, - tha Ismeti.

Mirku shau diçka në hesap të bandës, e mandej u zhduk me të shpejtë, tue dalë prej dere.

Ismeti ndezi cigaren. Rreth buzëve i sillej nji buzëqeshje enigmatike. Në kokën e oficerit të ri lindshin konturat e para të planit për likuidimin e bandës ma të rrezikshme kriminale në kët anë.

 

                                      Mesuesi deshiron të kalojë në Shqipni

Në mesin e banditëve mbretëronte gjallni e madhe. Çdo gja u vinte për dore. Ishin krenarë për sukseset e veta. Patën disa përleshje me ushtrinë, por prej të gjitha betejave duelën të pa damtuem. Hasani flitte shpesh për trimnitë e veta, tue u përpjekë që para njerëzve të vet të paraqitet sa ma i tmerrshëm, ma i madh dhe ma i guximshëm.

I vetmi njeri që në tanë kët disponim e ndiente vedin keq ishte mësuesi Mustafa. Ai e bindte Hasanin se momentalisht çdo qëndrim i matejshëm këtu asht i kotë. Mendonte se me çdo kusht duhet me kalue në Shqipni. Atje do të lidhen me rezistencën e organizueme kundër Jugosllavisë, e tash me çdo kusht duhet të largohen.

Kthehu mbrapa

Shto koment