PRITA NË BISTRICË (IX)

11.10.2013 (komentet: 0)

Kush ishin ubashët Xhafer Lila dhe Vojsllav Taliqi-Voja dhe cili ishte plani i tyre për të futur në kurth Mustafë Kokën? Kush ishin atdhetarët: Skender Kosova, Hysni Ataqi dhe Qerim Uka. Mustafa dhe Syla marrin pjesë në një takim sekret në fshatin Zabel të Drenicës. Vazhdon lidhja e grupit me Galuj Beun në Shkup.

 

 

 

Mustafa Koka.220x327.jpg

Mustafë Koka

 

Jovan Bullajiq:

Rilindja, E hene , 17-VI-1965

Tubimi i spiujve të Shqipnisë

 

Sylë Arifi, si referent arsimi, udhtonte shpesh në Shkup, me motivacion se po shkon me ble material për shkolla ose diçka tjeter. Çdo hap i tij përcillej me vigjilencë.

Lidhja me Galuj Bejin forcohej. Syla shërbente si lidhje. Posta qarkullonte nëpërmjet tij në të dy drejtimet e njikosisht ky qonte atje edhe antarasinë.

Ndërsa Hasan Ribniku e konsideronte vedin si udhëheqës të madh, shërbimi informative i Shqipnisë tue e rrethue me njerzit e vet, e shfrytzonte si armë të veten në luftë kundër sistemit tonë dhe ate nuk e pengonte asgja, ajo që Hasani me kokën e vet primitive ishte i bindun se çdo gja po zhvillohet nëpërmjet tij dhe se ai asht në të vërtetë inspirues i të gjitha ngjarjeve.

Mësuesi në të vërtetë ishte udhëheqësi i vërtetë i këtij grupi, komunikonte me mjeshtri me Hasanin, tue lanë të bindun se po i nënshtrohet komandës dhe pushtetit të tij.

Nji ditë, mësuesi shkoi te referenti i arsimit dhe i spjegoi se asht e domosdoshme që t’udhtojnë me njiherë. Po at natë udhtuen me tren për Drenicë. Kur mbërrijtën në katundin Zabel, Mustafa e qoi në  shtëpinë e nji miku të vet. Vetëm mbas mbërritjes këtu, ai i spjegoi se këtu do të mbahet nji takim i randësishëm me njeriun që ka mbërrijtë prej Shqipnie.

 

                                     Kush asht Hysni Ataqi

Hysni Ataqi lindi në nji katund të Shqipnisë. Kur përfundoi lufta pati gradën e kapitenit partizan. Si i tillë u emnue në Sërbicë  komesar i  komandës së vendit. Ishte stabil e pedant dhe tregonte aftësi të jashtëzakonshme për organizim të mirë.

Kjo komandë vendi mbërrijti rezultate shum të mira në punë. Nji numër i madh ballistësh, që gjindeshin në mal, u dorzuen.

N’at kohë u ba mobilizimi i popullsisë për armatë.në kët komandë çdo gja rrodhi mirë deri në gjysmën e vjetit 1945, e mandej rreth këtyne çashtjeve filluen të lindin probleme.

Papritmas ballistët pushuen të dorzohen, të rijt bajshin rezistencë me rasën e mobilizimit, e disa edhe u aratisën në mal. Me nji fjalë, gjdo gja muer te mbrapshten. Nji gja ishte e qartë. Armiku nëpërmjet të dikujt, ndikonte negativisht ndër bujqit.

Në periodën e mavonshme, kur u suprimuen komandat e vendeve, Hysni Ataqi u emnue shef i seksionit në Sërbicë. Mirëpo, veprimtaria anmiqsore në kët anë jo vetëm që nuk pushoi, por u ba edhe shqetsuese.

Mbas nji kohe, Hysnija u zu në vepër, e mandej u burgos dhe u dënue për veprimtari anmiqsore. Mbas mbajtjes së burgimit u kthye në katund. Posa u shpall rezoluta e informbiros, ai iku në Shqipni. Prej atje u kthye mbrapa si diverzant i pergatitun i shërbimit informative te Shqipnisë.

Takimi midis këtyne dy spiujve të Shqipnisë, qe shum i shkurtë, e çdo qendrim i gjatë i rrezikshëm. Mjaftoi të shtërnguemit e dorës e mandej këta dy shkëmbyen letra dhe u ndanë shpejt e shpejt.

Syla qe vetëm dëshmitar memec i krejt kësaj, e mandej, bashkë me mësuesin u nis mbrapa për Ribnik. Mustafa kërkoi menjiherë prej Sylës që t’i organizojë takimin me Hasanin, sepse ishte fjala për nji gja urgjente.

 

                                   Direktiva me shkrim

Takimi u mbajt në rrethin ma të ngushtë dhe me nguti të madhe. Mësuesi kaloi menjiherë në paraqitjen e qashtjes.

Letra e marrun prej Shqipnie vinte prej Qerim Ukës. Ishte shum e shkurtë, por urdhnat shum precize dhe të përcaktueme. Ndërsa Mustafa lexonte letrën, dy tjerët  e ndëgjuen me vemendje .

Letra pati kët përmbajte:

-I dashtuni  Mustafë, duhet  ta bajsh atentat e të vrasish ndokend  prej oficerëve t’UDB-ës  në terenin tand, në mënyrë  që të hakmirremi për vdekjen e Skender Kosovës  i cili u vra nga ana e organeve të sigurimit. Për kët  njeri tonin duhet të vrasish dy oficerë t’UDB-ës. Mustafë,  unë po t’i përgjigjem letrës sate që më ke  dërgue, e kët detyrë mere shum seriozisht dhe zgjedhi oficerët  ma të mirë në terenin tand. Mbas kësaj, asht urdhnue që t’ikish në mal.

 

                                            Qerim Uka

Skender Kosova ka qenë oficer i shërbimit informativ të Shqipnisë, që si udhëheqës i nji treshi diverzant u likuidue në teritorin e Kosoves e Metohisë nga ana e organeve të sigurimit.

Mbas leximit të letrës, këty ne tre bandidëve nuk iu desht të mendojnë shum. Zgjedhja për ta qe e thjeshtë.

Ata zgjodhën dy oficerët  e rij t’UDB-ës- Xhafer Lilën dhe Vojisllav Taliqin-Vojën prej të cilëve banda frigohej ma së shumti.

Nderkaq, Syla muer si detyrë urgjente që të shkojë në Shkup për t’u takue me Galuj Bejin, e mësuesi Mustafa duhej të bante likuidimin e oficerëve të përmendun t’UDB-ës.

 

                                                 Ngushtimi i rrethit

Në ndërkohë UDB-a – muer të gjitha masat e mundshme  për të likuidue prej këtij tereni bandën e rrezikshme që çdo ditë bahej gjithnji e ma  shtazarake.

Organet e sigurimit disponojshin disa shënime se Hasan Ribniku gjindet në pyllin e Zhegranit  dhe se mësuesi Mustafa takohet me te  kohë  mbas kohe.

Kjo informatë duhej t’ishte patjeter e saktë, sepse puna e Mustafës u ishte e njohtun organeve të sigurimit qysh prej Prizrenit. Natyrisht, këte duhej me e vërtetue dhe argumentue. Ky ishte tereni i oficerit të ri t’UDB-ës, Voja Taliqit, mirëpo, mbasi ky ishte në kët shërbim ende mjaft i ri, me të shkoi në kryemjen e detyrës edhe Xhafer Lila.

 

                                                       Xhafer Lila

Xhafer Lila lindi me 1928 në Mitrovicë në nji familje të vorfun zejtarësh. Shkollën fillore dhe dy klasë gjimnaz i kreu në Mitrovicë. Në Prishtinë filloi të ndjeki klasën e tretë të gjimnazit, por mbasi shihej e shoqnohej me rininë perparimtare edhe disa antarë të LRKJ, u perjashtue prej këtij gjimnazi, e mandej vazhdoi shkollimin ne Pejë, ku kreu klasën e tretë dhe të katërt.

Në gjysmën e dytë të vjetit 1944 u pranue ne radhët e LRKJ. Menjiherë mbas kësaj kaloi n’aradhat e Ushtrisë nacionalçlirimtare. Punoi n’OZNA dhe dha kontribut te madh me rasën e likuidimit të banditëve e t’anmiqve të popullit në rrethinën e Gjakovës. Për punën e vet vetmohuese në vjetin 1945 u pranue antar i PKJ, e më 1946 u zgjodh në Gjakovë sekretar i Komitetit të rrethit të LRKJ, kurse në 1947 instruktor i komitetit krahinor të LRKJ. Ne vjetin 1948 u kthye përsëri n’UDB-a. Si puntor operativ punoi në Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Viti.

 

                                                        Vojsllav Taliqi-Voja

Vojisllav Taliqi lindi më 1928 në Shtimje afër Ferizajit. Ishte i pamartuem dhe rrjedhte prej nji familje të varfun katundare. Shkollen fillore e kreu në katundin e vet, e mbasi kreu klasën e kater të gjimnazit, prindet e derguen në shkollën fetare në Prizren, ku mbeti deri në kapitulimin e Jugosllavisë së vjeter. Gjatë luftës familja e Vojës anoi kah lëvizja nacional çlirimtare. Menjiherë mbas çlirimit u prnaue antar i LRKJ  e në vjetin 1945 antar i PKJ. Deri në vjetin 1950 punoi në komitetin e rrethit në Lipjan, e mandej kaloi me punë  n’UDB-a .Si puntor operativ, punoi në terenin e Vitisë, ku qëndroi deri më qershor 1951.

Shefi i UDB-ës në Viti, tu konsiderue se asht paraqit momenti i duhun për të ba diçka, e dergoi Xhaferin e Vojen në Ribnik me kët detyrë. Duhej me marrë në pyetje disa jatakë për të cilët dihej me siguri se bashkëpunojnë me bandën dhe nëpërmjet tyne me vërtetue e konstatue se a gjindet me të vërtetë n’at teren banda në krye me Hasan Ribnikun.

Njeriu që duhej t’u tregonte gjurmën ishte mësuesi Mustafa, me të cilin duhej me bisedue me shum kujdes. Nevojitet me nxjerrë prej tij krejt çka mund të nxirret, e në të njajtën kohë mos me i dhanë mundësi që të paktën për nji moment të kuptojë se dyshohet në te, e jo ma se dihet se ai bashkpunon me Hasanin dhe sa asht spiun i Shqipnisë.

Përgaditi: Ismet Azizi

 

(Vijon)

Kthehu mbrapa

Shto koment