Prejardhja e emrit shqiptar

28.09.2014 (komentet: 0)

3e9310b2a226574e34523c3010a544de
Hipoteza se emri kombëtar shqiptar e ka prejardhjen nga simboli emblematik i shqiponjës duhet të vlerësohet drejt dhe jo të lihet në harresë dhe të anashkalohet. Në mbështetje të kësaj hipoteze janë rregullat gramatikore të fjalëformimit, shumë materiale të hereshme historike dhe etnografike si edhe psikologjia mbarëkombëtare.

Autor: Aristotel Mici
Para se të trajtojmë në mënyrë të hollësishme idenë lidhur me origjinën e emrit etnik shqiptar,le t`i hedhim një sy të shpejtë edhe emrit kombëtar më të moçëm arbër si dhe emrit të herëshëm të atdheut tonë Arbëri.
Gjithë albanologët janë të mendimit se emërtimi i moçëm i kombit të shqiptarëve arbën-esh osearbër-esh e ka prejardhjen prej emrit të fisitAlban-oi, që gjeografi aleksandrin i shekullit të dytë Pas Krishtit, Ptolemeu, e ka shkruar në hartën e tij si një fis ilir, që banonte diku në viset midis Durrësit dhe Matit. Pra, prej emritarbën, që rrjedh nga Alban-oi , me anë të prapashtesës “-esh”, është krijuar etnonimi arbënesh
(toskërisht me rotacizëm = arbëresh). Po prej emrit arbën ka dalë fjala e prejardhurArbënia (Arbëria) si emër vendi, toponim. Nga e njëjta rrënjë fjale vjen edhe fjala tjetër e prejadhur arbërisht, si ndajfolje mënyre. Kështu stërgjyshërit e shqiptarëve e quanin veten arbëresh, atdheun Arbëri dhe gjuhën me trajtën ndajfoljorearbënisht (arbërisht).
Ndërsa të huajte e kanë quajtur dhe vazhdojnë ta quajnë shqiptarin me trajta fjalësh sipas gjuhëve të tyre, po të mbështetur tek emri i vjetër etnik. Italisht, shqiptari quhet albanese, frëngjisht albanais, anglisht Albanian, greqisht arvanitis,sllavisht arbanas, turqisht arnaut, etj. Po ashtu edhe për emërtimin e vendbanimit të shqiptarëve nga të huajt është mbajtur si bazë rrënja e toponimit të vjetër. Kjo duket po të marrim si shëmbuj trajtat e disa gjuhëve të huaja si në italisht Albania, frëngjisht Albanie, anglisht Albania, greqisht Arvania, turqisht Arnautllik, serbishtAllbanija.
Po në shekujt e fundit, vetë ish banorët e Arbënisë (Arbërisë), arbëneshët / arbëreshët e kanë ndryshuar emrin e vjetër etnik duke përdorur një emër tjetër kombëtar, një etnonim të ri, shqiptar. Ndërkohë, ata kanë ndryshuar edhe emrin e vendbanimit, nga Arbëria, në një toponim tjetër, Shqipëria, kurse për gjuhën e tyre përdorin trajtën ndajfoljore: shqip
Emri i vjetër i vendbanimit të arbëreshëve, Arbënia ka qënë shumë i ngulitur në shekujt e Mesjetës, sidomos po të kujtojmë njësi të mëdha administrative si Dheu i Arbënit1, Principata e Arbërit e vitit 1190.2 Termi “Dheu i Arbërit” si toponim do të ishte sundues për gjatë shekulli të XV si edhe për shumë kohë më vonë. Le të sjellim për këtë rast në mendje një përshkrim të vogël të Gjergj Merulas i cili në një histori të shkurtër, gjashtë vjet pas vdekjes së Skënderbeut, më 1474, shkruan: ”Turku (…) vendosi të sulmonte atë pjesë të Maqedonisë, që gjendet buzë Adriatikut e që sot quhet Arbëri”3
Për vazhdimësinë e fjalës Arbëni/Arbëri, që tregon vendbanimin e të parëve tanë, flet edhe emërtimi i Këshillit të Peshkopëve “Concilio dei Vescovi,” që u mblodh me nxitjen e Papës, Klementi XI, në vitin 1703 dhe që quhet “Kuvendi i Arbënit”.Kështu, gjer në fillim të shekullit të XVIII emri i vjetër Arbëni është i dokumentuar në shkresa arkivale.
Ndërkaq, duke filluar nga koha e luftrave të Skënsderbeut kundër pushtuesve otomanë, në trevat e Arbërisë, nga gojët e të parëve tanë arbëreshë kish filluar të dëgjohej një emër i ri etnik, shqiptar, që do të zëvendësonte etnonimin e vjetër “arbëresh”. Po, sidoqoftë, sipas Prof. Çabejt, “ne shohim kudo se si emri i moçëm i popullit shkëlqen si një fosil ndën mbulesën e emrit të ri4”. Gjë që vihet re në emra vendesh si edhe në këngët folklorike.Edhe sot e kësaj dite, në Myzeqe nëpër dasma këndojnë:
Nusja jonë arbërore
Arbërore,
E bardhë si qumështore,
Arbërore.
Ndërsa në familjet vlonjate, kur marrin nusen nga fshatrat e Radhimës, Gumenicës, e deri në Kallarat e në Kuç, thonë: “e kemi nusen arbërore, ose arbëreshe”. Deri ca kohe me parë, ”Beratasi e quante banorin e Myzeqesë “arbëresh”…….që mund ta dallonte mirë shqiptarin e thjeshtë prej aromunit, pasi edhe ky banonte në këto vise.”5
Në trajtë fosile do ta gjejmë etnonimin e vjetër në emrin e fshatit Arbana afër Tiranës. Po ashtu e kanë mbajtur gjallë këtë emër të lashtë arbëneshët, që mërguan nga Gegëria e veriut rreth vitit 1700 dhe u vendosën në Zara të Dalmacisë, të cilët e quajnë veten edhe tani “arbënesh”.
Në shekullin e fundit edhe deri sot, emri i vjetër arbën ( arbër) është përdorur edhe përdoret më tepër në sensin nostalgjik, për heroizmin e së kaluarës, si për të nderuar lavdinë e gjyshërve të shekujve të shkuar. Është pikërisht ky adhurim për trimëritë e të parëve që sot shpesh herë prindër të ndryshëm i quajnë fëmijët e tyre me emra të lashtësisë arbërore, si Arbër, Arben, Jamarbër, kurse vajzat i quajnëArbëresha. Po kështu për këtë arsye emërtohen objekte me rëndësi ekonomike, ose sociale si Hotel Arbëria, vapori Arbëria, restorant Arbëria, paketa cigare Arbëria; po ashtu edhe poeti për krenarinë e së kaluarës historike shkruan: “…lidhet sot me besë arbënore”( At Gj. Fishta, poezi.)
*
* *
Porse kjo dukuri e ndryshimit te emrit të vjetër etnik nga arbëresh në shqiptar nuk ndodhi midis arbëreshëve që u laguan nga vendlindja prej tmerrit turk duke u strehuar në Greqi dhe në Itali. Merret vesh se arbëreshët e Italisë gjatë mërgimit të tyre mbartën me vete edhe emrin e vjetër të kombit, arbër si edhe fjalët e prejardhura prej tij, arbëresh, Arbëri, dhe arbërisht. Ata edhe sot në vend të fjalësshqiptar përdorin fjalën arbëresh, në vend të emrit Shqipëri (si atdhe) përdorin emrin e vjetër Arbëri, dhe në vend të trajtës ndajfoljore shqip kanë ndajfoljenarbërisht. Kjo gjë duket në gjuhën e tyre të përditshme, po edhe në veprat letrare. Në shkrimet e De Radës gjejmë togfjalëshit: “Fjamuri Arbërit”, “Dita e Arbërit”. Kurse Serembe në strofën e parë të një poezije shkruan fjalën Arbëri për toponiminShqipëri:
Arbëri që prapa detit na kujton,
Se ne të huaj po jemi te ky dhe.
Sa vjet shkuan dhe zemra s`e harron,
Se për turkun qendruam pa mëmëdhe.
Pra, as etnonimi i ri “shqiptar” dhe as toponimi “Shqipëri” nuk gjenden as në të folmen dhe as në shkrimet e arbëreshëve të Italisë. Kuptohet se këta emra u krijuan në trevat brenda Arbërisë pas largimit masiv të arbëresheve nga mëmëdheu i tyre. Kështu, emri Shqiptar dhe emri Shqipëri nuk kishin dalë ende deri në fund të shek. XV. Kjo është arsyeja që Fan Noli do ta titullonte veprën e tij historike për heroin e madh kombëtar, të botuar më 1949:
HISTORIA E SKËNDERBEUT Kryezot i Arbërisë . (1405 – 1468)
Pra është më se e qartë përse Noli ka përdorur fjalën Arbëri në vend të toponimit “Shqipëri”, dhe e shkruan nëntitullin: “Kryezotit të Arbërisë”. (vizimi ynë A.M.)
*
* *
Nga sa u parashtrua më sipër merret vesh që kombi shqiptar gjatë jetës së tij në shekuj ka pasur dy emra etnikë: i pari arbëresh, që fillon qysh nga koha e largët e stërgjyshërve dhe arriti deri në shekullin e XVIII, dhe i dyti shqiptar, që nis të shfaqet vonë rreth shekullit të XV, po që nga koha në kohë do ta zëvendësonte të parin brenda trevave të Arbërisë, pa emigruar dot tek arbërëshët e Italisë.
Por, ndërsa për origjinën e etnonimin të vjetër arbënesh (arbëresh) gjuhëtarët kanë një ide të njëjtë, që e ka prejadhjen nga emri i fisit ilir Alban-oi, për etnonimin e dytë, shqiptar, studiues të ndryshëm kanë mendime të ndryshme. Një hipotezë e përhapur është edhe ajo që kërkon ta gjejë origjinën e etnonimit shqiptar sipas rrënjës së emrit “shqiponjë”, ose trajtës së saj më të shkurtër “shqipe” që është dhe ka qënë një simbol shumë i vjëtër kombëtar, pra emblema më e lashtë qysh në peridhat më të herëshme. Sipas kësaj hipoteze ka një bashkëvajtje midis etnonimitshqiptar dhe simbolit kombëtar të shqiponjës. Dhe, kjo ide nuk shikohet vetëm nga rrënja e të dyja fjalëve, po kryesisht nga udha historike e popullit shqiptar dhe mbajtja e vazhdueshme e të njëjtit simbol ndër shekuj. Flamuri shqiptar me shqiponjën në mes ka historinë e tij të herëshme, që buron nga vete lashtësia e kombit. Jo rastësisht Eqrem Bej Vlora do të shkruante për atë në kujtime: “Historia e këtij flamuri tretet në mjergullën e kohës”6. Simboli i shqiponjës në fushën e kuqe të flamurit fillon në kohën e vjetër Para Krishtit, vazhdon në Mesjetë edhe mbrrin në kohët e reja moderne. Imazhi i shqiponjës së këtij flamuri nis me një legjendë antike, kurse gjurmët e tij enden që nga librat historikë e deri te dëshmitë materiale, që nga vargjet e poetëve e deri te këngët e trimave kryengritës.
Straboni,7 duke hetuar për kohën Pellazgo – Ilire, shkruante se ky popull në të vjetrat kohe ishte më i rrepti e më luftëtari e Shqiponja ishte pajtorja më e mirë për të. Atëherë që kur Zeusi nga pellazgo-ilirët nderohej si perëndi, faltoren e vetë e kishte në Dodonën e thesprotëve, pra në Çamëri. “Dhe kështu me kalimin shkallë shkallë të paganizmit në monotheizëm, shqiponja nga simbol fetar u kthye në simbol kombëtar. Aq shumë u përngjit ajo me njeriun vetë sa atij zuri t’ia mënjanonte tërë emërtimet e tjera, duke i lënë emrin e vetë përgjithësues “shqiptar” (biri i shqiponjës)”8. Natyrisht, ky është një rrëfim legjendar dhe, si i tillë, mund të jetë i diskutueshëm. Po mos të harrojmë se edhe emri i detit Egje mbështëtet mbi një rrëfim legjendar. Siç na mëson mithi i lashtë, mbreti Egje u mbyt në këtë det, tek pa i pikëlluar velat e zeza të anijes së birit të tij, Tezeut, duke e marrë të birin për të vdekur. Atëherë, sipas mithit të lashtë, emrin e mbretit Egje e mori deti. Edhe kontinenti plak i Evropës e ka marrë emrin nga një e dashur e Zeusit, me emrin Evropa, me të cilën ai pat rënë në dashuri.. Dihen nga të gjithë historianët këto emërtime mitiko – legjendare, po asnjë komentator nuk shprehet kundër, siç bën ndonjë autor shqiptar me simbolin e shqiponjës. .
Ka edhe ndonjë studiues që mendon se shqiponja, edhe pse është simbol, nuk ka qenë ndonjëherë “totem” e gjyshërve tanë në Dheun e Arbërit; dhe, duke mos qenë e tillë, ajo nuk është figurë bindëse për të përligjur idene e hipotezës se etnonimi shqiptar
e ka prejardhjen nga emri i shpendit të “shqiponjës” apo” shqipes”. Kur lexon një arsyetim të tillë, mendja të shkon vetiu te legjenda e “nënës ulkonjë” në Romën e lashtë, tek ajo ujkonja, e cila, sipas legjendës, ushqeu me qumështin e saj binjakët Romulin dhe Remon. Kjo ujkonjë nuk ka qenë “totem” për fisin Latin të Laciumit. Këtë e dinë latinistët, po megjithatë, ata nuk e hedhin poshtë legjendën e themelimit të Romës nga Romi. Për më tepër, figura e “nënës ujkonjë” demonstrohet me madhështi nësa e sa vepra arti, që nga mozaiku dhe pikturat e Leçes, ne jug të Italisë, e deri te skulpturat, altoreliefet e basoreliefet e Romës antike dhe asaj të sotme, pa përmendur rëklamat ë panumërta nëpër kutitë e qumshtit. Atëherë lind pyetja pse shqiptarët duhet të jenë kaq shpërfillës ndaj simbolit të tyre shekullor? Kështu të krijohet një lloj çudije, kur atë që na e pohon Straboni si shenjë krenarie, e mohojnë studiues shqiptarë sot.
 
Po me tepër se hamendja e një legjende, janë faktet e shumta historike dhe arsyet gjuhësore që të sjellin te hipoteza se simboli i shqiponjës duhet të jetë në themel të idesë për etnonimin e ri shqiptar.
Qysh në shekullin e dytë Pas Krishtit, biografi i antikitetit, Plutarku, në veprën “Jetë Paralele” tregon për Pirron e Epirit se kur ushtarët po e glorifikonin pas betejës së Heraklesë (280 PK) duke e quajtur atë “Shqiponjë”. Ai iu drejtua atyre dhe u thotë: “Nga ju unë jam shqiponjë; dhe si të mos jem i tillë, kur ju jeni flatrat e mia që me ngrini aq lart!”.9Nga ky episod fare qartë duket adhurimi i stërgjyshërve tanë për figurën e shpendit të shqiponjës, e cila gjatë shekujve do të kthehej në simbol emblematik, duke u bërë shënja më dalluese për të gjithë arbëreshët në Dheun e Arbërit. Këtë ide e mbështet edhe Pashko Vasa në artikullin ”Shqypnia dhe Shqyptarët”, të botuar më 1879, kur shkruan: “Që prej fjalëve që i thanë ushtarët Pirros, e prej fjalëve që iu përgjegj Pirroja, na ka mbetur neve emni shqiptarët, e dheut ynë i thonë Shqypni, e gjuhës yne i thonë shqype. Kjo fjalë gjendet e shkrueme ndër historira të grekëvet të moçëm, e Plutarku e dëfton hollë e hollë”.10
Po në mënyrë të veçantë Flamuri i arbërit me shqiponjë dy krenare në mes do të ndrinte në betejat e lavdishme të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, kundër turqve osmanllinj. Në këto beteja flamuri me shqiponjën do të ishte simboli i bashkimit të të gjithë bashkëluftarëve të kohës së Skënderbeut kundër pushtuesit barbar aziatik.
Nga të parët historianë këtë flamur na e tregon Anonimi i Tivarit, më 1480,(i cituar nga Biemmi), i cili shkruan :”Flamuri i Skënderbeut ishte një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”. Dëshmi të njëjtë për këtë flamur me shqiponjën në mes jep edhe biografi i Skënderbeut, Marin Barleti :“Skënderbeu mbante flamuj të kuq, të qendisur me shqiponja të zeza dykrenare, ky ishte flamuri i fisit të tij”.11Ky flamur ishte tipari dallues në të gjitha veprimtaritë luftarake të ushtrisë së Skënderbeut. Flamuri qe bërë pjesë e krenarisë së tyre ndër betejat heroike. Kudo që shkonte ushtria e Skënderbeut për të luftuar, flamurët nuk i ndante nga vetja. Në të njëjtën vepër Marin Barleti tregon se “trimat e Skënderbeut nën komandën e tij kur shkuan në Pulje, për të ndihmuar mbretin Ferdinandtë Napolit…mbanin flamurët e kuq me shqiponjën dy krenare në mes.” .
Po gjurmët e këtij flamuri me shqiponjën dy krenare shihen dy shekuj më përpara epokës Skënderbejane. Shenjat e flamurit me shqiponjë duhet t`i kërkojmë qysh me Principatën e Arbërit dhe Despotatin e Epirit. Aty nga fundi i shekullit XII, Progoni (1190-1199) do të sundonte dhe do të qeveriste principatën e Arbërit me gjithë atributet e një prijësi me vulën e flamurin e tij. Dhe më vonë, siç pohohet në “Historinë e Shqipërisë”, në vitin 1336, Principata e Arbërit qe forcuar aq shumë, sa Ludoviku, i biri i Karlit të Anzhuinëve, i njohu Andrea Muzakës titullin Despot i Arbërisë12. Tre dekada më pas, kur Andrea Muzaka II i mundi bullgarët tek Mali i Peristerit në vitin 1372, pozita e despotatit forcohet edhe më tepër. Në ndihmë të këtij mendimi na vjen Princi Gjon Muzaka, i cili, në Memorien e vetë të shkruar më 1510, tregon sesi “Perandori i Konstandinopolit u kënaq shumë që zoti Andrea Muzaka kishte pasur një fitore të tillë, me që kishte larguar nga muret e Adrianopolit armikun e tij të madh…I përmenduri Perandor urdhëroi që t`i jepnin atij stemën, d.m.th., shqiponjën me dy krerë….… i dha edhe një titull despotal… Në të cilin ishte përvijuar me gurë xhevahiri shqiponja qëthamë”13. Bëhet e qartë nga ky pohim se Muzakajt që pas mezit të shekullit të XIV mbanin titullin e despotit,që jepej nga perandori si edhe flamurin me simbolin e shqiponjës dykrenare.
Me këtë flamur me shqiponjë Andrea Muzaka, në krye të luftëtarëve të tij, do të shkonte në Betejën e Fushë Kosovës më 1389 kundër ushtrisë së Sulltan Murati të Parë. Në atë betejë të prgjakshme, ku, siç shkruan Evlija Celebiu14, “Sulltan Muradi shkoi 700,000 të pafe në teh të shpatës ( nënkupto martirët e rënë nga radhët e forcave të aleancës së princave të Ballkanit). Atje u vra edhe prijësi i sipërpërmendur i principatës së Muzakajve.
Lidhur me lashtësinë e flamurit shqiptar me shqiponjën dykrenare duhen përmendur edhe “Statutet e Shkodrës” të zbuluara kohët e fundit në bibliotekën e Muzeut Correr të Venecias. Këto “Statute” hedhin dritë edhe më shumë në lashtësinë e flamurit kombëtar shqiptar. Statutet e Shkodrës pasqyrojnë një lloj “kushtetute” për banorët e qytetit në shekullin e XIV. Sipas studiuesve ato janë hartuar para vitit 1446. Po ajo që është e rëndësishme të theksojme është fakti se në një faqe të ilustruar të këtyre statuteve gjendet i pikturuar simboli kombëtar: “Shqiponja me dy krerë”. Historiania e Mesjetës, Lucia Nadini, duke komentuar këtë faqe të ilustruar të “Statuteve”, shikon se në këtë pikturë pasqyrohet një stemë heraldike e bërë me kujdes:…një shqiponjë dykrenaree kurorzuar me ar në të dy krerët (…) “aquila bicipite, coronata d’ oro su entrambe le teste”). 15 Kjo studjuese, e nxitur nga zbulimi i këtyre dokumenteve shkruan: “Gjetja e “Statuteve të Shkodrës” rihap një faqe shumë të ndritshme, të harruar të ketij vendi, i njohur vetëm si vendi i Shqiponjave”16. Dhe më tej Prof. Nadini, duke analizuar simbolikën e kësaj embleme, shikon se në të, në mënyrë figurative pasqyrohet “shqiponja triumfale, simbol i një autonomie të fuqishme qytetare17”
Emblemën e Shqiponjës dykrenare në shekullin e XIV e gjejmë jo vetëm në jug të Arbërisë si tek Pricipata e Muzakajve, a po ne Veri si ishte rasti i Statuteve të Shkodrës, po edhe në Arbërinë e Mesme dhe Veri-Lindore si tek principata e Kastriotëve. Në librin “Historia e Shqipërisë”, kur trajtohet kryengritja e Gjon Kastriotit kundër fillimit të pushtimit turk, tregohet edhe stema e principatës së tij, me emblemën e shqiponjës me dy krerë, rreth viteve 1429-1430.
Është për t`u vënë re se ky flamur dhe emblema me shqiponjën dykrenare qenë bërë aq të njohur, jo vetëm midis ushtarëve të Skënderbeut dhe popullit në Arbërinë e asaj kohe, po edhe midis radhëve të turqve osmanllinj. Këtë jehonë të simbolit të shqiponjës në radhën pushtuesve turq na e sjellë në mendje Marin Barleti me veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës”, tek tregon se si Sulltan Mehmeti II, i shoqëruar nga kalorësit e vetë, kur ka parë pozicionet e qytetit të Shkodrës, paska thënë: “Oh ! se ç’ vend të shkëlqyer dhe të lartë paska zgjedhur shqiponja për vete dhe për folenë e zogjëvë te saj”.18.
Po ky flamur do t`i ngacmonte mendimin edhe baronit francez J.de Lavardin19, në vitin 1576, kur do të shkruante: “Në flamurët e tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënderbeu kishte një shqiponjë të zezë me dy krerë. Shqiponjën me dy krerë Skënderbeu do ta mbante te parzmorja, në kraharuar, si edhe në vulën shtetërore.”
Dhe tani do të ishte më me interes të dimë edhe për shtrirjen gjeografike të emblemës së Arbërisë për atë kohë. Dhe kjo kuptohet më mirë po të kemi parasysh lidhjet e krushqive midis familjeve princërore në shekujt e XIV dhe XV. Kështu përshëmbull tre nga vajzat e Gjon Kastriotit u martuan me bujarë nga familjet e njohura princërore, si tek Muzakajt, Aranitët e Topiajt (Hitoria e Shqipërisë- f.252). Po ashtu, siç tregon Gjon Muzaka në “Memoria”, një motër e Gjin Muzakës, Maria, qe martuar me Gjergj Aranitin. E para bijë e tij, Andronika, kur u rrit, u bë gruaja e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut. Kurse Gjon Muzaka e mori nusen e vetë nga dera e Dukagjinëve. I përmendëm këto krushqi për të përfytyruar sadopak lidhjet miqësore, si dhe hartën e aleancave midis familjeve feudale në Arbëri. Dhe në çdo dasëm midis tyre ka lëvizur flamuri me shqiponjën , që i printe krushqit tek kalëronin për çdo festë martese. Deri vonë ka qenë ky zakon. Madje në Kosovë udhëtimi i krushqëve me flamur kombëtrar, kur merrej nusja ishte i gjallë deri në fillim të këtij shekulli të ri. Kjo dukuri zakonore ka rëndësi të kuptohet për anën etnografike të çështjes: se si emblema e shqiponjës dykrenare është futur aq natyrshëm në psikologjinë kombëtare qysh nga thellësia e shekujve. Kështu duhet të pranojmë se shenja më dalluese e shqiptarëve pas gjuhës amëtare ishte dhe është flamuri me këtë emblemë. Pra lufta për flamurin dhe me këtë flamur në ballë, në gjoks dhe në zemër ishte lufta për idenditetin kombëtar.
Një dëshmi tjetër materiale që flet për lashtësinë dhe adhurimin e të parëve tanë për flamurin është edhe epitafi në varrin e Gjon Muzakës, që gjndet në Francavillatë Otrantos: “I plotfuqishmi Jezu, ty të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qyteti i Bizantit trashëgoi shqiponjën dykrenare qe e mbante në flamur, i dedikohet kurorë detyrimi në vitin e Krishtit 1510”20
I ngjajshëm me këtë fakt duhet përmendur si dëshmi me interes për simbolin kombëtar të Shqiponjës edhe varri i nipit të Skënderbeut, Gjergj Kastrioti II, që ndodhet në kishën e Shën Marisë së Napolit, ashtu si e përshkruan edhe Eqrem Bej Vlora: ”Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën Mërisë së Ëngjejve në Napoli është venë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepësh mbi të dy krerët”21
Këto dy episode të fundit tregojnë për lidhjen shpirtërore që kishin të parët tanë me simbolin e Shqiponjës. Ata e adhuronin atë në këtë jetë, po edhe deri në amshim. Ashtu ata duken sikur thonë se edhe të vdekur ata janë mbajtës të flamurit, janë mbajtës të shqipes, janë shqiptarë për jetë të jetëve.
Po ky flamur me shqiponjën në mes do të ishte simboli i bashkimit të stërgjyshërve tanë edhe për gjatë kohës së qendresës kundër pushtimit turko-osman siç shkruan dhe Pashko Vasa në veprën e tij për kohën e rënies së Shkodres: “Një pjesë e popullsisë, për të mos u nënshtruar gjithësesi, u ngrit e iku në dhe të huaj dhe kërkoi strehim në Itali; një pjësë tjetër mori malet, në majat e të cilave flamuri kombëtar vazhdonte të valvitej krenar dhe i nderuar.”22
Kjo lidhje shpirtërore e stërgjyshërve tanë me simbolin e shqiponjës i ka pas tërhequrn vëmendjen albanologut Maximilian Lambertz23. Prof. E. Çabej, duke trajtuar këtë problem, shkruan në librin e tij “Shqiptaret midis Perëndimit dhe Lindjes”: ”Oberhummer pranon së fundi mendimin e M.Lambertz-it, ky dijetar, thotë ia kishte spjeguar emrin mjaftë mirë prej shqiponjës, si emër i një totemi nga koha e Skënderbeut”24.
Po në atë faqe të veprës së tij Prof. Çabej shenon se ky mendim gjen mbështëtje te një vrojtim i Edith Durham-it25… “Shqiptarët quhen kështu pas shqiponjës. Në flamurin e Skënderbeut dhe te stema e Shtetit të ri Shqiptar ndodhet një shqipe.”Me këtë rast theksojmë se Prof. Çabej nuk shpreh mendimin e tij për këtë çështje, po ai as nuk e mhon këtë hipotezë siç po bëjnë sot disa autorë.
Në këtë tragë mundohet të ecë edhe studiusi francez, Robert d’ Angely, i cili, bazuar në gjellitjet e veta për etnonimin “shqiptar” pohon se fjala “shkibetar” nuk do të thotë tjetër gjë, veçse mbajtësi i shqipes( i shkabës)26. Dhe më pastaj ky autor vazhdon ta shtjellojë idenë e tij me mendimin se fjala “shqiptar u bë e njohur dhe e famëshme për shkak të qendresës së një ushtrie të vogël shqiptare, që ishte bartëse e shqiponjës, e shqipes të princit legjendar Gjergj Kastrioti”27.
Këtë ide lidhur me prejardhjen e etnonimit shqiptar ndjek edhe studiuesi dhe diplomati amerikan Xhorxh Fred Uilliams, i cili gjykon me një analizë të paanëshme emrin e popullit në trojet e ish Arbërisë: “Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri, dhe i popullit shqiptar, që do të thotë “toka dhe bijtë e shqipes”.28
Ndër shekujt e robërisë turke, shumë nga të dhënat dokumentare për flamurin kombëtar të Shqipërisë nuk kishin mbetur fare të izoluara. Në qarqet e dijetarëve dhe historianëve të Evropës, kur është folur e shkruar për luftën e Shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut, është përmendur kohë pas kohe me siguri edhe flamuri tij. Mjafton të kujtojmë rastin interesant të shkrimtarit amerikan Henri W.Longfellou, i cili më 1873, shkroi një poemë për heroin tonë kombëtar të titulluar “Scanderbeg”. Në mënyrë të vaçantë ai përshkruan momentin solemn, që ka të bëjë me ngritjen e flamurit me shqiponjën dykrenare, që në përkthimin e Fan Nolit lexohet aq bukur:
“Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysëm hënë,
Edhe populli shikon
Që në vend të tij valon
Flamuri i Skënderit n’ erë,
Skabë’ e zezë me dy krerë
Është me rëndësi të vemë re se si poeti amerikan prej mijëra kilometrsh larg arrin të gjejë subjektin e poemës për heroin kombëtar të shqiptarëve dhe të fokusojë poetikisht emblemën tradicionale “Shkabën e zezë me dy krerë”. Kështu, kur në kushtet e shekullit XIX një poet i Botës së Re, matanë Atlantikut, kalon oqeanin me fantazinë e tij, për të hulumtuar një të vërtetë historike, çfarë duhet të bëjnë “bijtë e shqipes” për emblemën e tyre? A është e lejueshme të mënjanohet e të hiqet prej listës së hulumtimeve hipoteza e prejardhjes së etnonimit “shqiptar “ nga simboli i shqiponjës dhe i flamurit kombëtar, që kanë qenë shenja e bashkimit në gjithë udhën historike plot me gjarje heroike dhe sublime.
Mbas Luftës së Dytë Botërore një tjetër autor, Julian Ameri,29 në librin e tij “Sons of the Eagle” (Bijtë e Shqipes), botuar më 1948, shkel në të njëjtën hulli për origjinën e emrit etnik shqiptar si të prejardhur prej shpendit të emblemës me shqiponjë. Për këtë çështje ai shkruan: “Shqiptarët, të cilët pohojnë se vijnë prej ilirëve të vjetër, e quajnë veten “shkipetarë”, fjalë, që po të përkthehet, ka kuptimin “bijtë e shqipes” .
Pak a shumë këtë ide shpreh për emrin etnik shqiptar edhe një autor amerikan, Robert Kaplan në librin “Balkan Ghosts” (Fantazmat e Ballkanit). Duke komentuar për shqiptarët dhe Shqipërinë, ai shkruan se “Atdheu i tyre quhet Shqipëria, që do të thotë “vendi i shqiponjës”.
Edhe David Wrigte, një autor tjeter amerikan bashkëkohës, në librin e vetë “Albania- Enchantment of the World” (Shqipëria – Magjepsja e Botës), ka po thuajse të njëjtin mendim: “The people who live in Albania call their country“Shqipëria”- the land of the Eagle”. (Njerëzit që jetojnë në “Albania” e quajnë vendin e tyre “Shqipëria”- vendi i Shqiponjës).
Nga sa u parashtrua duket qartë lidhja e përherëshme emocionale e stërgjyshërve të shqiptarëve me simbolin e shqiponjës. Është kjo arsyeja pse shumë studiues mbështësin hipotezën e prejardhjes së emrit etnik “shqiptar” nga simboli i shqipes. Shenojmë se sipas Barletit edhe Lavardinit emblema e shqiponjës nuk dukej vetëm në flamur, po ajo vihej edhe në ballë edhe në gjoks. Dhe kështu, këta luftëtarë të Arbërisë, që luftonin kundër pushtuesve otomanë të prirur nga emblema e tyre në flamur, në ballë e në zemër, u quajtën vetiu shqipe-mbajtës, shkurt, “shqiptar”, siçquhen harktarë, ata që mbajnë harkun, kryqtarë ata që mbanin kryqin, shigjetarë ata që përdornin shigjetën, pishëtarë ata që ndriçonin me pishën e ndezur flakë, kordhëtarë ata që mbanin kordhën, flamurtarë ata që mbajnë flamurin, pra ashtu janë shqiptarë ata që mbajnë shqipen.
Në këtë mënyrë kuptohet vetiu se etnonimi “shqiptar” del si një fjalë e prejadhur nga emri “Shqipe” duke marrë prapashtesën fjalëformuese ”—tar”. Ky emër i ri i popullit duhet të jetë përftuar për gjatë udhës së historisë, përmes luftës së vazhdueshme kundër pushtuesit otoman.
Shënojmë gjithashtu se emri “shqipe” me anë të prapashtesës “—ëri” formon natyrshem edhe toponimin “Shqipëri”, sikundër kanë qenë formuar edhe formohen emra vendesh dhe krahinash, me tema emërore. Konkretisht nga temat emërore Arbër,Gegë, Tosk, Çam, Lunxh kanë dalë emra të prejardhur vendesh si Arbëri, Gegëni (Gegëri), Toskëri, Labëri, Çamëri, Lunxhëri, për anologji atëherë dheShqipëri
Lidhur me prejardhjen e emrit të ri etnik shqiptar nga emir shqipe duhet të përmendim edhe rastin që kjo fjalë, pra emri shqipe tek autorët e vjetër të veriut shkruhet me zanoren “y” dhe jo me “i”, pra ajo del me trajtën “shqype”. Po ky shkëmbim, a po alternim i këtyre dy tingujve nuk duhet të bëjë arsye për të kundërshtuar idenë e prejardhjes së etnonimit të ri “shqiptar” nga emri “shqipe” , sepse kjo dukuri fonetike, pra kthimi i zanores ”i” në “y” dhe anasjelltas është një fenomen i gjallë. Edhe sot e kësaj dite, ende, në fjalë të ndryshme e në krahina të ndryshme mund ta vërejmë këtë gjë. Këtë fenomen e gjejmë jo vetëm në gjuhën e folur, po tek tuk edhe në gjuhën e shkruar. për shembull përemrin vetor të vetës së tretë “ai” në disa nëndialekte e gjejmë me trajtën “ay”; dhe e kundërta ndodh me përemrin dëftor “ky”, të cilin në Himarë, Labëri dhe Çamëri e dëgjojmë edhe “ki”. Disa fjalë, që në fjalorin drejtshkrimor shfaqen me tingullin “i” si kripë, gjilpërë në disa të folme veriore i dëgjojmë me zanoren “y” dhe shqiptohen “krype” dhe “gjylpanë” . Po kështu e shikojmë edhe te “Hylli i Dritës”, në titullin e artikullit të M. Sirdanit “Shqypnia dhe Shqyptarët”, në vend të “Shqipnia dhe shqiptarët”, kurse Pahko Vasa e titulloi poezinë e tij patriotike “O Moj Shqypni e Mjera Shqypni”. Trajtën me “y” do ta gjejmë edhe te poezia e At Gjergj Fishtës: “ Njashtu a`gjuha jonë shqyptare”. Kjo dukuri fonetike është e pranishme edhe te poezia e Ndre Mjedës: “Bylbyl i vorfën / Pse po gjimon?” ; “Rrepte si para s` ndrit Shqypnia……..Bashk` n` at vorr a Shqypnia”30. Dhe ndodh e kundërta në rastin e fjalës “kryq” edhe të fjalës “sy”, ku tingulli “y” bëhet “i”, siç dëgjohet në disa zona te jugut, ku këto fjalë dalin me trajtën “Kriq” për “kryq” dhe “si” për “sy”, ashtu si edhe numërori “dy” bëhet “di”. Në këtë mënyrë, siç u tha edhe më sipër, duket qartë se fenomeni fonetik i alternimit të tingullit zanor “i” në “y” dhe anasjelltas është një dukuri ende e paprfunduar në gojën e popullit edhe sot. Pra, gjithë këta shembuj vërtetojnë idenë se të shkruarit e emrit të shpendit me trajtën shqype nuk duhet të bëhet pengesë për të pranuar prejardhjen e etnonimit të ri shqiptar nga emri i shpendit shqipe.
Ndërkaq duhet të theksojmë se mbajtja dhe përdorimi i flamurit me shqipen në mes ishte shenja më dalluese midis gjithë krahinave të Arbërisë, gjë që shpjgon konkretisht përhapjen e etnonimit të ri shqiptar dhe të toponimit Shqipëri nga Jugu në Veri, nga Tivari dri në Prevezë, nga Shkodra në Prishtinë, nga Durrësi dhe Vlora deri në Manastir, në Dibër dhe në Shkup. Pra, gjuha amëtare dhe flamuri me shqipen në mes ishin dy faktorët e përhershëm që determinuan njesimin e kombit si edhe përftimin e emrit te ri etnik.
Kështu, nga gjithë sa parashtruam lidhur me hipotezën e prejardhjes së etnonimit të ri shqiptar nga fjala shqipe del se detajet dhe faktet historike, rregullat gjuhësore të fjalëformimit, etnografia dhe fryma e psikologjisë mbarëkombëtare flasin në të mirë të kësaj hipoteze.
*
* *
Por albanologët kanë edhe hipoteza të tjera lidhur me etnonimin e ri. Disa studiues të filologjisë shqiptare mbështësin idenë se emri i ri i kombit vjen nga trajta ndajfoljore “shqip”. Ndër kohë që Prof. Sh. Demiraj shpreh mendimin se“etimologjia e kësaj fjale (pra e fjalës “shqip”) mbetet për t`u diskutuar”.31Mbështetësit e kesaj hipoteze për emërtimin e ri të kombit mendojnë se ndajfolja “shqip”ka kuptim leksikor gati të njëjtë me trajtat ndajfoljore të mënyrës si “qartë, hapur, troç”. Pra, për konkretësi mund të japim shprehjen:
“Ma tha shqip” = (hapur, qartë, troç).
Po duke shqyrtuar këte ide të prejardhjes së etnonimit shqiptar nga ndajfolja
“shqip” nuk mbetesh i bindur për faktin e kontradiktave gjuhësore që ngërthen vetë kjo hipotezë.
Së pari, trajta ndajfoljore “shqip”, e cila zëvendëson ndajfoljen “arbërisht” nuk e merr dot prapashtesën fjalëformuese “-isht”. Me një fjalë, nuk themi dot “shqip-isht”, sikurse shkruhet edhe thuhet natyrëshëm: arbën –isht, gegënisht, gegërisht, toskërisht, labërisht, italisht, spanjisht, rumanisht, sërbisht.
Së dyti, si ndajfolje mënyre trajta “shqip” nuk ka si ta tërheq prapashtesën fjlëformuese “-tar”, që të formojë emrin e kombit. Asnjë ndajfolje mënyre nuk e ka këtë prirje, a po mundësi gramatikore. Fjala vjen, nuk mund të vemë pas ndajfoljes “mirë” këtë prapashtesë dhe të formojmë fjalën e paqenë “mirëtar”, a po me ndajfoljen “keq” të formojmë një fjale tjetër të paqënë “keqëtar”. Po as ndajfoljet e grupt të njëjtë nga ana e kuptimit leksikor si (hapur, troç, qartë) nuk e kanë këtë veti, as ato nuk mund të formojnë emra të paqenë si: “hapur-tar, troç-tar, qartë-tar. Athërë si ta shpjegojmë që ndajfolja “shqip”, edhe pse ndajfolje mënyre, e paska këtë përjashtim?
Kështu del e vështirë të pranosh me logjikë gramatikore fjalëformuese se ndajfolja “shqip” ka të drejtë të marë prapashtesën “-tar” dhe të formojë normalisht emrin etnik “shqiptar”.
Shenojmë me këtë rast se prapashtesa fjlëformuese “- tar” shkon rregullisht pas temave emërore për të krijuar emra veprimi, p.sh.: lajm-(ë)tar, guxim-tar, këngë-tar, udhë-tar, trëg-tar.
Një vëçanti tjetër e prapashtesës “- tar” është se ajo formon edhe emra veprimi mepersona që mbajnë një send ose një gjë dalluese si fjala vjen: hark, shqytë, pishë, kryq, flamur. Nga këto fjalë të parme, që marrin prapashtesën “-tar”, kanë dalë emrat e prejardhur siç janë:
hark-tar është një njëri që mban ose perdor harkun,
shqytar është njëriu që mban shqytën,
pishtar është personi që duke mbajtur pishën e ndezur,ndriçonte rrugën natën.
kryqtar është personi që mban kryqin si simbol
flamurtar është personi që mban flamurin; atëherë, si pas këtij lloj fjalëformimi,shqiptar duhet të jetë ai që mban shqipen si simbol kombëtar.
Kështu, për rrjedhojë të kësaj dukurie fjaleformuese me prapashtesën “- tar”, pastemave emrore, lejohemi të thëmi se etnonimin e ri “shqiptar” e gjejmë më të pranueshëm nga rregullat e fjalëformimit, duke u mbështëtur të emri “shqipe” dhe jo te trajta ndajfoljore “shqip”.
Së treti, një kontradiktë tjetër është edhe çështja se me ndajfoljen “shqip” nuk formojmë dot natyrëshëm toponimi “Shqipëri”, emërtimin e atdheut. Duke qenë ndajfolje mënyre, trajta “shqip” nuk merr dot normalisht prapashtesën ose (shtesën) “ -ëri” dhe të emërtojë atdheun me emrin e ri “Shqipëri” . Gramatikisht asnjë ndajfolje mënyre nuk e ka këtë mundësi. As trajtat ndajfoljore të njëjta nga ana e kuptimit leksikor me trajtën “shqip” si qartë, hapur , troç nuk e kanë këtë mundësi fjalëformuese; nuk mund të thuhet “hapur-ëri”, ”troç-ëri”. Po njëkohësisht, e ritheksojmë se kjo prapashtesë “-ëri” u shkon aq natyrëshëm temave emërore siarbër, toskë, gegë, lab, çam, lunxh për të krijuar emra vendesh si përshembull Arb-ëri, Tosk-ëri, Geg-ëri, Lab-ëri, Çam-ëri, Lunxh-ëri, po kështu, atehere, edhe nga tema emërore “shqipe”del natyrëshëm toponim Shqip-ëri .
Se katërti, trajta ndajfoljore “shqip” ka edhe një “mangësi” nga ana historike për të qenë fjala burimore për etnonimin “shqiptar”. Kjo fjalë nuk figuron në Fjalorin eFrang Bardhit të vitit 1635. Atëherë me të drejtë mund të pyetet: ”Si u bë e mundur që kjo fjalë nga e paqenë, më 1635, të na dalë, pas disa dekadash në krye të radhës, në “Kuvendin e Arbënit”, më 1703, dhe të quhet burimi fillestar për emërtimin e kombit dhe të Atdheut, duke krijuar dhe trajtën ndajfoljore të gjuhës amëtare? Në këtë rast, realisht, jemi para një paqartësije, ose objeksioni, që nga ana logjike, duhet diskutuar edhe shqyrtuar. Nuk është se mungon emiri i një luleje, a po emri i një lloj veshjeje, po problemi është se mungon fjala bazë, fjala më e rëndësishme për njehsimin e kombit, domethenë fjala e identitetit të tij. Pra, në fjalorin e F. Bardhit mungon trajta ndajfoljore “shqip”, ndër kohë që emrin e shpendit “shqipe”, ose “shqype” e gjejmë jo vetëm tek F. Bardhi, po tek të gjithë autorët e vjetër, qysh nga Buzuku më 1555. Dhe, sigurisht, në gojën e popullit ka ekzistuar shumë e shumë shekuj më parë.
Nga këto që kemi shtruar deri ketu, kuptohet qe mbështetësit e hipotezës seetnonimi shqiptar vjen nga ndajfolja “shqip”, përpiqen ta mbrojnë idenë e tyrejashtë rregullsive të fjalëformimit të gjuhës amtare, gjë që natyrisht e zvogëlon besueshmërinë ndaj kësaj hipoteze.
Siç është sqaruar më sipër fjala “shqip” nuk njihej në Arbëri para pushtimit osman. Ajo nisi të shfaqet disa dekada pas këtij okupacioni të egër. Me shkrim ajo duket për herë të parë në veprën “Meshari” të Buzukut, më 1555. Autori e ka shkruar atë vetëm një herë:
”…vjen me thashun shqip”. Po dhe ky rast mjafton që të dëshmojë se ajo fjalë, sa do rrallë, kish filluar të përdorej qysh para botimit të “Mesharit”. Kështu kuptohet se kishte nisur ndërrimi i emërtimit të gjuhës; dhe, ndajfolja arbërisht po zëvendësohej me ndajfoljen “shqip”. Vetiu na lindin pyetja: Si doli kjo fjalë? Dhe pse në këtë prag kohor? Mendojmë se kjo çështje shpjegohet natyrshëm , po qe se ndërrimin e emërtimit të gjuhës amëtare e lidhim me momentin përkatës historik.
Ky ndërrim po ndodhte krahas ndërrimit me dhunë të fesë së banorëve të Arbërisë, po ndodhte krahas ndryshimit të emrave të përveçëm të pagëzimit dhe të zëvendësimit të tyre me emra të fesë së pushtuesit. Për këtë gjë ndjehet aq i shqetësuar Gjon Buzuku tek Meshari kur thoshte: “ “ ai qi nukë jet fort enbë fet të Krishtit, por sa e vngjan kun pak të keq ashtu thotë: vete banem turk”. Të parët tanë, të tronditur në atë kohë nga tmerri i dhunës së jeniçerëve dhe nga taksat e administratës osmane, detyroheshin, të pranonin konvertimin e fesë, po duke ruajtur fshehur ritet edhe faljet ndaj shenjtorëve; po ashtu pranonin formalisht nga ana zyrtare të ndërronin emrat, po duke i mbajtur gjithashtu fshehur ato brenda fisit dhe familjes. Për analogji, në këtë kontekst historik, duke synuar të mëtojme sado pak lidhur me ndërrimin e emërtimit te gjuhës arbëreshe me trajtën shqip, lejohemi të hamendësojmë se stërgjyshërit tanë janë përpjekur të “fshihnin” në mënyrë alegorike edhe emërtimin e vjetër të gjuhës ”arberisht “ duke e zëvendesuar me simbolin e shqipes së flamurit.
Nga ana tjetër, themi se nuk duhet të jetë një përkim rastësor edhe tema e njejtë morfologjike midis emrit të simnbolit “shqipe” dhe të “gjuhës shqipe”, aq më tepër kur kjo fjalë e padëgjuar deri atëherë, zuri fill në dramën e përgjakur të hapësirave të Arbërisë. Ndërkohë, shprehim shqetësimin se barazia leksikore që po i japin me të drejtë ndajfoljes “shqip” me simotrat sinonimike “hapur, qartë, troç”, nuk arrin të zbulojë lindjen e kësaj fjale në momentin historik. Në këtë logjikë gjuhësore, atëherë, lejohemi të pyesim: “kur paskemi pasur gjith këto sinonime në fillim të shek.XVI, pse nuk u mor ndonjëra prej tyre, po u krijua kjo fjala e re “shqip”? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, gjithë supozimet të shpjenë te momenti historik, te lidhja figurative midis simbolit të shqipes dhe emërtimit te ri të gjuhës dhe etnonimit të ri shqiptar.
Gjithësesi, në mbyllje të diskutimit rreth kësaj hipoteze, shprehim mendimin se ndërrimi i emërtimit të gjuhës dhe i riemërimit të kombit, nuk duhet të ndahen nga qendresa kundër procesit asimilues, qe ushtronte pushtuesi ottoman.. Përpjekja e popullit të Arbërisë për të mbajtur fsheur ritet e fesë tradicionale krishntere, për të mbajtur fshehur emrat e perveçëm të pagëzimit, si edhe nderimi për gjuhën amëtare, duke e emërtuar atë me simbolin e shqipes kanë qenë forma të heshtura të asaj rezistence ne shekujt e sundimit ottoman.
*
* *
Tjetër ide ka studiuesi Osman Myderizi lidhur me origjinën e emrit etnik “shqiptar”. Sipas tij “ky emër mund të jetë përdorur nga myslymanët e parë që në shëkullin e XVI , po këta mbasi ishin të pakët, shumicës nuk iu imponuan dot32. Kjo hipotezë e Osmam Myderizi

Kthehu mbrapa

Shto koment