Pranimi i diplomave universitare

24.02.2012 (komentet: 0)

Sot (e premte) fillon zbatimi i marrëveshjes për njohjen e diplomave universitare të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja- thuhet në një njoftim të Zyrës së BE-së/EUSR-së.

BE-ja ka rekrutuar një palë të tretë, përkatësisht “Stichting SPARK”, për ta kryer verifikimin në terren të diplomave universitare. Pasi të jetë verifikuar rregullsia e diplomave të lëshuara, diploma do t’i përcillet Shoqatës së Universiteteve Evropiane, ku një komision i përbërë nga ekspertë akademikë do ta bëjë certifikimin për pajtueshmëri me praktikat e mira evropiane të vendosura në kuadër të procesit të Bolonjës.

"Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për njohjen e diplomave universitare të arritur gjatë dialogut ka rëndësi të madhe për të gjithë ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e tyre ose të punësohen. Kjo marrëveshje do të hapë mundësi të reja kryesisht për të rinjtë dhe përbën një hap tjetër drejt përafrimit të këtij rajoni me pjesën tjetër të Evropës”, ka deklaruar lehtësuesi i BE-së, Robert Cooper.

Marrëveshja e arritur në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja të mbajtura më 21-22 nëntor 2011 ka përcaktuar që diplomat që i lëshojnë universitetet e të dyja palëve do të certifikohen nga Shoqata e Universiteteve Evropiane për qëllime të përdorimit nga pala tjetër për shkollim të mëtejmë dhe/ose punësim në administratën publike.

Për të aplikuar për certifikim do të duhet të përmbushen disa kushte, siç janë dorëzimi i një diplome, planprogramit studimor dhe certifikatës/transkriptit të notave të përkthyera në anglisht nga përkthyes i certifikuar. Për të lehtësuar aplikimin dhe/ose ndihmuar aplikuesit, SPARK ka hapur një zyrë për “Pranimin e Diplomave Universitare” në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kthehu mbrapa

Shto koment