Poeti Xhevat Latifi në Antologjinë Botërore

25.12.2012 (komentet: 0)

Viti 2012 ka qenë një vit i mbarë për krijuesin gjilanas Xhevat Latifi. Ai pas prezantimeve të suksesshme në Kanada, Zvicër dhe prezantimeve artistike në vend , poeti, sociologu dhe gazetari Xhevat Latifi, ditë më parë është përfshirë edhe në Antologjinë e “Emanations”- International Authors” me autor Carter Kapllan.


Krijuesi gjilanas Xhevat Latifi në Antologjinë “Emanations” të autorit Carter Kapllan, është prezantuar së bashku me  poeten kosovare  Rina Ilazi. Përfshirjen e tij në këtë antologji, Latifi e konsideron një sukses në ndërkombëtarizimin e vlerave krijuese shqiptare para botës.  

Poezitë e tij " AZILI IM OSE STREHA KU MBAJ NË SIRTAR ËNDRRAT E MIA”, MBI PULLAZ FLAMUR I VERDHË ME YJE” dhe “ARRESTI”, Janë  përkthyer nga Florent Abrashi. 

“Poezia është ambasador i prezantimit të vlerave kulturore dhe në këtë drejtim besoj që botimi i poezive të mia në antologjinë amerikane, krahas 30 poetëve tjerë të botës, është një sukses i mirë jo vetëm personal”, ka thënë Latifi, i cili ditë më parë, në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”,  është prezantuar me krijimet e tija letrare, prezantim ky që u vlerësua nga kritika lartë.

Kritika ka vlerësuar se poezia e këtij autori ka kohë që i ka tejkaluar kufijtë provincial, duke u botuar edhe në gjuhë të tjera si në atë angleze, gjermane, frenge e rumune.

Ndryshe, Latifi është autor i dy librave “Vdekja kushton shtrenjtë” dhe “Shi në flokun tënd”. Është fitues i shumë çmimeve për poezi në nivel vendor e ndërkombëtar. Me shkrime letrare, Latifi merret prej disa vitesh, nga kritika letrare  vlerësohet të jetë i veçantë me poezitë e tija.

Poezitë e tij janë të botuara edhe në vëllime të përbashkëta të poetëve dhe nëpër revista të ndryshme letrare si ”Sheshi” - Prishtinë, “Drita” - Tiranë, “Jeta e Re” - Prishtinë, "Gazeta e Athinës" si dhe revista të tjera të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Është  anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. 

Poezitë e Latifit janë përkthyer dhe botuar gjithashtu edhe në gjuhën rumune. Gjithashtu ka marrë pjesë edhe në Ekspozitën e përbashkët me Asociacionin e artistëve alternativ “Varg e Vi”, Gjilan 2010, dhe Perfomancën artistike “Ma thuaj një fjalë të mirë”, Prishtinë 2012.  Latifi është prezantuar edhe në “Ekspoperformancën” “Kosova thanks Canada”,  në Halifax, sikur se edhe në Bern të Zvicrës, në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. /2lonline/

Më poshtë po i japim dy prej poezive që janë botuar në Antologjinë  “Emanations- second sight”, - International Authors me autor Carter Kapllan.

AZILI IM OSE STREHA KU MBAJ NË SIRTAR ËNDRRAT E MIA

Nuk është shtëpi parmakësh me grilla bojë hiri
me lisa të mëdhenj që bëjnë hije me fllad veriu
Nuk është makinë komode me rimorkio pushimi në verë
ku deti lag shkëmbinjtë e shpresës
Nuk është kështjellë me myshk kohësh dhe vija thike në mur
As libër i harruar nuk është ku ka vjersha për ujin eliksir...
As është mulli i erës se fishkëllen kohën e një dite në vjeshtë
në kodrën e vrapimit tek bari lëkundet në dashuri
Nuk është hartë ku shënjohet me kryq vendi i kutisë me ari
as lufte për Elenën ku piratohet një grua..
Sall një strehe që pret shiun e verës dhe një sirtar
me dy sy jeshile...


MBI PULLAZ FLAMUR I VERDHË ME YJE

Tashti ti kthehesh vonë mbi pullaze antenat të kthyer në qiell
Janari i acartë flakërohet në diçka të verdhë
që gratë bëjnë yjet në shami me ojna blu
Nuk është e bardhë si qefin që burrat pështjellin kokat e thinjura..
Nuk është e kuqe si pelerina e shituar në Untergruppenbach
Me gjasë nuk ka të bëjë as me këngën “Moj e Bukura More”
As me ëndrrën e heroit të mbështjellë në kortezh
Një flamur i verdhë si ari me ngjyrë plumbi qëndron në pirg
Në fushën e mëllenjave ora e historisë i ngjan valsit vjenez
therjeve në Danub dhe letrave bizantine
gurë varesh që duken si kufij
Imzot edhe po u bashkuam nuk është Shqipëri e Madhe...

/2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment