Përgjegjësit e arsimit rekomandojnë ndryshime

25.10.2014 (komentet: 0)

Arsimorët kërkojnë përmirësimin e kritereve për regjistrim të fëmijëve në klasë të parë, ndryshimin e formës së tashme të ekskursioneve si dhe ndalimin e kafiterive afër shkollave

 Komiteti i Arsimit në Gjilan, përveç problemit të shkollës së Bujqësisë, ku ka rekomanduar disa zgjidhje konkrete për të rritur numrin e nxënësve në klasat e dhjeta, në takimin e fundit të tij, është marrë edhe disa çështje tjera të rëndësishme të fushës së arsimit.

 

Sa i përket kritereve për regjistrimin e nxënësve në klasë të parë, Komiteti ka vendosur që të hapet një diskutim në lidhje me këtë çështje dhe pastaj të dërgohen edhe propozime konkrete nga anëtarët e kësaj trupe të arsimit, Drejtoria e Arsimit dhe faktorët tjerë relevantë të kësaj fushe, me qëllim që të hartohen kritere profesionale, jo diskriminuese dhe në interes të nxënësve, ka thënë Arben Mehmeti, kryesues i KA.

Në ndërkohë, në një mbledhje të radhës, të veçantë, Komiteti i Arsimit do të rekomandojë për Kuvend Komunal aprovimin e këtyre kritereve,  që janë me rëndësi për fushën e arsimit e posaçërisht për nxënësit të cilët për herë të parë ulen në bankat shkollore.

Mehmeti ka thënë se Komiteti sugjeroi që në këtë aspekt të merren përvoja të ndryshme nga shtetet e zhvilluara e që e kanë rregulluar këtë fushë në formën më të mirë.

Ndër vendimet tjera shumë të rëndësishme të KA, është edhe rekomandimi që ka të bëjë me organizimin e ekskursioneve  të nxënësve të shkollave të mesme.

Ishte mendim i përgjithshëm i anëtarëve të Komitetit të Arsimit që forma aktuale e organizimit të ekskursioneve, është jo e mirë dhe  e dëmshme  për nxënësit. Në kuadër të këtij shqetësimi, është rekomanduar që Kuvendi Komunal të marrë vendimin për ndërprerjen e organizimit të ekskursioneve deri në hartimin e disa kritereve tjera, për të rregulluar ndryshe këtë formë të aktiviteteve jashtëshkollore, ka thënë Mehmeti.

Në ndërkohë, Komiteti i Arsimit, Drejtoria e Arsimit, Këshilli i Prindërve dhe faktorë të tjerë relevant do t`i propozojnë Kuvendit kriteret për aprovim, që do të jenë me fuqi ligjore në organizimin e këtyre aktiviteteve.

Në çështje tjetër me shumë rëndësi, me të cilën u mor Komiteti i Arsimit, ishte edhe problemi i kafiterive në kompleksin e shkollave të mesme, që po dëmtojnë procesin mësimor.

Në funksion të ndërmarrjes së veprimeve që mbrojnë interesin e nxënësve, KA rekomandoi që Kuvendi Komunal të shqyrtojë mundësinë e zhvendosjes së këtyre lokaleve afariste (kafiterive) jashtë kompleksit të shkollave dhe po ashtu të shqyrtohet mundësia e kufizimit të orarit të punës së tyre gjatë kohës sa zhvillohet procesi mësimor.

Po ashtu u kërkua që Kuvendi i Kosovës të amendamentojë ligjin mbi arsimin dhe në kuadër të këtij amendamenti të parashihet, respektivisht t`iu ndalohet kafiterive veprimtaria në një afërsi të caktuar me shkollat, që të paktën duhet të jetë 500 metra.

Po ashtu Komiteti i Arsimit i rekomandoi Kuvendit Komunal dhe Kryetarit të Komunës që të shikojnë mundësinë që në vitin 2015 të mbështesin financiarisht dy studentë të kësaj komune, njëri në Turqi dhe tjetra në Kanada.

Kthehu mbrapa

Shto koment