Përcaktohet kalendari i "Flakës së Janarit 2014"

03.01.2014 (komentet: 0)

Bordi i manifestimit “Flaka e Janarit 2014” ka mbajtur të premten takimin e parë, nën drejtimin e kryetarit Lutfi Haziri, ku ka përcaktuar kalendarin e aktiviteteve të këtij manifestimi mbarëkombëtar, që mbahet në Gjilan, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit.



Lutfi Haziri, kryetar i Komunës dhe udhëheqës i Bordit të manifestimit, ka thënë se funksionaliteti i “Flaka e Janarit” do të ruhet, meqë ky manifestim ka krijuar një traditë në Gjilan dhe tashmë është bërë pjesë e identitet kulturor të këtij qyteti, por ka kërkuar reduktim të shpenzimeve në krahasim me vitet e kaluara, sidomos te përfituesit sekondarë.

Përndryshe, “Flaka e Janarit 2014” do të hapet më 11 janar, me homazhet tradicionale te Varrezat dhe Lapidarët e Dëshmorëve si dhe me pritjen e familjeve të dëshmorëve nga kryetari i Komunës, për të vazhduar më 12 janar me akademinë tematike kushtuar 30-vjetorit të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, që është edhe pikë qendrore përkushtuese e manifestimit të sivjetmë.

“Flaka...” vazhdon më 17 janar me Ekspozitën e artit pamor “Peneli i Flakës”. Në të njëjtën ditë mbahet edhe programi për fëmijë “Xixat e Flakës”. Festivali i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës” mbahet prej 20-24 janar, me pjesëmarrje të teatrove shqiptare nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.

“Flaka e Janarit 2014” përmbyllet me 31 janar, me pjesët e artit letrar “Pena e Flakës” dhe Orën e madhe letrare, ku shpallen edhe fituesit e konkursit letrar, si dhe me programin muzikor “Fest Flaka”.

Pikëpamjet e tyre në çështjet organizative i kanë paraqitur edhe Sabit Rrustemi, përgjegjës i artit letrar, Luan Shahiqi, përgjegjës i artit pamor, Ali Demi, përgjegjës për artin skenik dhe Mehmetali Arifi, përgjegjës për artin muzikor.

Grupet përgjegjëse do të koordinohen me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Bordi i manifestimit, pas këtij takimi, reduktohet në bartësit e shtyllave kryesore.

Kthehu mbrapa

Shto koment