Pema gjenealogjike e familjes së Ismail Qemalit

28.11.2012 (komentet: 0)

Darling Vlora, djali i Ismailit, nipi i Qamilit dhe stërnipi i Ismali Qemal bej Vlorës, i ardhur nga përtej Adriatikut vetëm pak ditë më parë, rrëfen se si do të vijonin degët e familjes së madhe, pas vdekjes së njeriut që i dha shqiptarëve Pavarësinë.

Të paktën dy prej djemve të tij prodhuan meshkuj të tjerë. E as që mund të mendohej se vazhdimësia e familjes Vlora do ta kishte pikën e këputjes tek vdekja e Ismail Qemalit. Për më tepër që ai la pas vetes 9 fëmijë, 6 djem edhe 3 vajza. E megjithatë për shumëkënd, familja Vlora, në vijimësinë e tij mashkullore, pushoi së ekzistuari. Në qitapë ishte shënuar data e vdekjes së tij. Më tej asgjë...

...Ata janë shumë, nipër e mbesa, në vazhdimësi të të njëjtit trung. Mbiemri që për më shumë se 40 vjet mbahej mbyllur në dosje, tanimë u është dhënë “pronarëve” të ligjshëm. Një pjesë e tyre kanë zgjedhur të jetojnë në Tiranë, por të tjerë prej tyre që janë me banim në Itali, Francë apo Angli. Darling Vlora, djali i Ismailit, nipi i Qamilit dhe stërnipi i Ismali Qemal bej Vlorës, i ardhur nga përtej Adriatikut vetëm pak ditë më parë, rrëfen për “Shekullin” se si do të vijonin degët e familjes së madhe, pas vdekjes së njeriut që i dha shqiptarëve Pavarësinë:

Jeni pjesë e axhendës së festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Sa emocion u sjell ky fakt?

Emocionet kam ditë që i përjetoj. Kam ardhur nga Italia ku jam rezident prej rreth 15 vitesh, pikërisht për të qenë i pranishëm në përkujtimin e ditës së madhe të shpalljen së Pavarësisë. Asnjë prej pjesëtarëve të familjes Vlora, pasardhësve të Ismail Qemalit nuk ka qenë pjesëmarrës e as i ftuar në festimet e bëra në vitin 1962, me rastin e 50 vjetorit. Por në këtë 100 vjetor përfaqësuesit e familjes Vlora janë të pranishëm në të gjitha aktivitetet e bëra me këtë rast. Kemi pasur ftesa nga Presidenca, Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministria e Ministria e Jashtme. Mora pjesë në përurimin e një monumenti pranë Kuvendit të Shqipërisë, të një busti në Kaninë me iniciativën e vetë kaninjotëve, në shfaqen e një filmi dokumentar realizuar nga R. Qafoku, të ekspozitës me portretet e 40 firmëtarëve nga A. Morina, të dekorimit të firmëtarët nga J. Topalli, etj. Pra jam i kënaqur që në këtë 100 vjetor nuk jemi më anonim. Nëse nuk do të përfshiheshin më këto festime do të ishte shumë e dhimbshme, vërtet.

Thatë që për 50 vjetorin nuk u përfaqësuat në festime. Përse kë ndodhur një gjë e tillë?

Marrëdhëniet e familjes Vlora me sistemin komunist kanë qenë aspak të mira. Gjyshi im, Qamil Vlora nuk pranoi të bashkëpunonte me regjimin e Hoxhës kështu që me një pretekst për armëmbajtje pa leje ai kaloi dy vite në burg. Më pas familja e tij u la në hije të plotë duke e detyruar të ndërronte dhe mbiemrin, me qëllim që të mos bëhej lidhja e pasardhësve me Ismail Qemal Vlorën. Dhe morëm mbiemrin Ismaili. Pas vitit 1990 ne rimorëm sërish mbiemrin tonë të vjetër, atë që na takonte. Regjimi komunist përkujtonte burrin që shpalli Pavarësisë, por denigronte familjen e tij, madje deri aty sa u tha se Ismail Qemali nuk ishte i martuar e nuk trashëgoi fëmijë. Ndërkohë unë vetë jam marrë me studimin e pemës gjenealogjike që po ia bëj të njohur.

Sa probleme do të sillte për ju, fakti që ishit nipat e Qamil Vlorës djalit të Ismail Qemalit?

Mund të them vetëm që ishte qesharake të shpjegonim se përse e kishim ndryshuar mbiemrin. Shpesh gjenim arsye atje ku nuk kishte arsye. Fjala vjen, u shpjegonin fqinjëve tanë që nuk na lejohej të mbanim për mbiemër një emër qyteti. E kështu me radhë. Pra nuk mund ta thoshim hapur se na kishin detyruar ta bënim një gjë të tillë. Megjithatë të gjithë fqinjët e në lagje e dinin historinë e familjes sonë. Në shkollë, pasi krijova besim me disa nga shokët gjithashtu u tregova se si qëndronte puna. Në atë kohë flisja hapur kundër regjimit me Benin, Anilën e Tomin. Por me profesorët duhet të isha i kujdesshëm deri në fund. Por një herë ndodhi që kur kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të thërritesha nga komandanti i batalionit për shkak të një thyerje disiplinore që kisha bërë. Më pyeti se nga isha me origjinë. “Nga Kanina”, i them. Qëlloi që edhe ai ishte nga Kanina. E më thotë: “Kanina ka nxjerrë burra të famshëm, si Ismail Qemalin, ndaj dhe ti nuk duhet të gabosh më”. Çfarë t’i thosha, heshta për momentin, por ia shpjegova më pas se unë isha një nga stërnipat e Ismail bej Vlorës.

A keni qenë gjatë gjithë kohës krenar që paraardhësi juaj shpalli Pavarësinë e Shqipërisë?

Them se krenaria ka qenë dhe është maksimale, por nuk është se më bën superior. E kam menduar gjithmonë me vete se jo 10 përqind, por edhe sikur një përqind t’i ngjaj Ismail Vlorës jam shumë i lumtur. Sepse ajo çka bëri ai ishte një vepër e madhe, që i qëndroi kohës dhe e përkujtojmë e sot pas 100 vjetësh. Por gjithsesi jo çdo çast më duhet të mburrem me këtë fakt. Kjo vlen vetëm për situata të caktuara. Në të kundërt unë jam një njeri i thjeshtë, që kam në plan të parë familjen time e punët e mija. 

Keni të ruajtur relike nga të Ismail Qemalit?

Ato që ruaj unë, janë shumë të pakta. Kam në koleksionin tim disa gazetat e revista që i mbante Ismali Qemali, e ku kishte intervista të tij. Ndër to kam një revistë të vjetër franceze të vitit 1917 me një intervistë interesant të tij. Por kam dhe disa foto origjinale. E veçantë është një kartolinë e vitit 1908 kur karroca e tij tërhiqet nga njerëzit për ta futur në Vlorë. Por kam dhe një Kuran të tij ose më saktë të familjes. Është një gjë e rrallë, sepse është unik. Një kuran me format të vogël, të cilët bëheshin me porosi nga shkrues të veçantë. 

Ku jetojnë pasardhësit e Ismail Qemalit, tanimë?

Një pjesë janë në Tiranë, por ka me banim edhe në Itali, Francë e Angli.

Stërnipi i Ismailit

Darling Ismail Vlora, u lind në Tiranë më 09.04.1967. Mbaroi gjimnazin \"Petro Nini Luarasi\", të kryeqytetit. Në vitet 1990-91 mori pjesë aktive në manifestimet e popullit të Tiranës kundër diktaturës komuniste. Nga viti 1992-98 punoi në Drejtorinë e ish-të Përndjekurve Politikë, pranë Ministrisë së Punës dhe Emigracionit, si Shef i Sektorit të Informatizimit të të dhënave. Frekuentoi fakultetin e Drejtësisë. Larguar nga Shqipëria më 1998, si emigrant ekonomik. Jeton në Sirtori (LC), Itali, me të shoqen Evis Golja dhe djalin Iv.

Familja që drejtoi sanxhakun

Darling Vlora thotë: “Një nga familjet e mëdha që luajti një rol të rëndësishëm në historinë tonë ishte edhe familja ‘Vlora’, e cila, siç thekson Ismail Qemali, në ‘Kujtimet’ e tij: \"për shkak të origjinës së saj të lashtë dhe të karakterit të pasur gjeografik të rajonit, ku ushtronte pushtetin, ka pasur ndikim të madh mbi çështjet dhe fatet e Shqipërisë\". Familja Vlora drejtoi, për gati 5 shekuj, thuajse në mënyrë të trashëguar, një nga sanxhaqet më të rëndësishëm, atë të Vlorës, që zinte një sipërfaqe prej gati 7.000km2”.

Pema gjenealogjike e familjes së Ismail Qemalit

1.Ismail Qemal bej Vlora.

(Vlorë 24 janar 1844-Perugia (Itali) 24 janar 1919).

Fëmijët: 

2.Mahmud bej Vlora,(1871-1920)

Që në moshë të re ishte nëpunës i lartë në Ministrinë e Drejtësisë turke. U internua disa herë për \"veprimtari antishtetërore\". U lirua nga internimi pas fitores së Revolucionit të Xhonturqve. Më pas u vendos në Nicë të Francës, ku u martua me shtetasen franceze Alice Escoffier, me të cilën pati tre fëmijë. Vdiq në Vlorë më 1920.

Fëmijë: 

a-Aleksandër Galip Vlora,(1914-2001)

Pas vdekjes së të atit u largua nga Shqipëria. Përfundoi studimet në Bari, e u vendos përfundimisht në këtë qytet, ku punoi si profesor gjeografie në Universitet. Martuar me shtetasen italiane Fattizza Vita Maria. Dy fëmijë:

= Nedim Vlora, (1943) - Profesor gjeografie në Universitetin e Barit. Ai ka një djalë: Aleksandër Vlora, lindur në Bari(Itali), më 1967

=Vitoria Vlora:

b-Suzan Vlora,(1915-1988)

c-Blanche Vlora,(1917)

3.Tahir bej Vlora, (1875-1932)

Kreu shkollën e marinës, ishte Anëtar i Këshillit të Shtetit në Perandorinë Turke. Pas arratisjes së Ismail Qemalit nga Turqia (1900), u internua në Tripoli, deri në fitoren e Xhonturqve. Më 1919 u vendos përfundimisht në Shqipëri. Vitet e fundit të jetës, duke qenë kundërshtar i Monarkisë zogiste, i kaloi në Francë ku, më 10.06.1932, u gjet i vrarë në banesën e tij. Shtypi shqiptar i asaj kohe, pa komente, ka shkruar se kishte vrarë veten. Eshtrat e tij ndodhen në varrezat franceze \"Thaise\" ku, më vonë, u varros edhe Ahmet Zogu. Nuk u martua. Pa fëmijë.

4.Myvedet h. Vlora, (1873-1952) -vajzë

U martua me kolonelin Vehap bej, djalë i ushtarakut të njohur turk Serdar Ekrem Abdulkerim Nadir pasha, me të cilin pati tre fëmijë:

a-Mustafa Reshid. Ka vdekur para viteve 1940.

b-Belkis. Martuar me ushtarakun Halit bej Zarshati, me të cilin pati një vajzë, Nermin V.Falaschi. Ka vdekur më 1979, në Bogota (Kolombi).

c-Hatice Sara. Martuar me kap.Selahedin Blloshmi, i cili kishte mbaruar studimet në Akademinë Ushtarake franceze të Sent Sirit. Pas vdekjes së tij u martua me një oficer anglez, i cili ishte në Shqipëri në misionin anglo-amerikan, gjatë Luftës II Botërore. U larguan në Angli, duke i shpëtuar kështu një persekutimi politik, pasi pas largimit të saj, Sigurimi i Shtetit Shqiptar e konsideroj si \"agjente\". Ka vdekur para viteve 1990, në Londër.

5.Alije h.Vlora,(xxxx-1954) -vajzë

U martua me konsullin turk Mehmet Koxhameni, i biri i Subhi Pashait, ish-Ministër i njohur i Financave në Perandorinë Turke. Kishte tre vajza:

a-Rana. Ka vdekur në moshë të re, para viteve 1930.

b-Samije. Martuar, për herë të parë me një shtetas gjerman, me të cilin pati dy fëmijë. Më vonë u martua me gjeneral Mirdashin (austriak), pushkatuar me 17 intelektualët e dënuar në Gjyqi Special(1945). Më pas mundi të largohej në Gjermani, tek fëmijët, ku vdiq rreth vitit 1984.

c-Mihrie. Martuar me diplomatin e shquar Xhemal Frashëri, nga familja patriotike e vëllezërve Frashëri, i cili u dënua nga regjimi komunist, dënim që e vuajti në burgun e Burrelit. Ka vdekur në Tiranë, rreth vitit 1984.

6.Ylvije h.Vlora,(xxxx-1934) -vajzë

U martua me gjeneralin e shquar turk Ahmet Hamdi Zarshati, i cili kishte kryer Akademinë Ushtarake gjermane në Potsdam. Kishte tre fëmijë:

a-Sinan. Ka vdekur në Tiranë, në vitin 1965.

b-Adnan. Ka vdekur në Tiranë, në vitin 1996.

c-Suzana. Ka vdekur në Tiranë, në vitin 1981.

7.Et’hem bej Vlora,(1885-1937)

Që nga viti 1900 e shoqëroi të atin kudo. Zhvilloi një aktivitet të gjerë si gjatë Shpalljes së Pavarësisë ashtu edhe më pas. Së bashku me të vëllanë, Qazim, mori pjesë në Delegacionin e kryesuar nga Ismail Qemali në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913. Më 1919, pas vdekjes së Ismail Qemalit, u zgjodh, midis emrave të dëgjuar si Hasan Prishtina, Aqif Pashë Elbasani, Mithat Frashëri, Pandeli Cale, etj, përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës, në Konferencën e Paqes, në Paris, më 1919. Vdiq më 7 maj 1937, në Tiranë. U martua me Ismte Ohri (Toptani), me të cilën nuk pati fëmijë.

8.Xhevdet bej Vlora,(1888-1910)

Vdiq i ri, nga turbekulozi. Nuk u martua. Pa fëmijë.

9.Qazim bej Vlora, (1893-1953)

Qëndroi gjithmonë pranë të atit. Në vitet 1910-1912 zhvilloi aktivitet të gjerë për furnizimin e kryengritësve shqiptarë me armë. Më 1913 shoqëroi të atin në Londër, në Konferencën e Paqes. U martua me Behije Ohri. Pa fëmijë.

10.Qamil bej Vlora, (1895-1950)

Dy djem: 

a-Ismail Vlora, (1920-1990) Ka pesë fëmijë:

= Kleoniqi Vlora, - lindur në Tiranë, 1959. Martuar me Bujar Jaupllari (Sevrani). Vendosur në Firenze (Itali).

= Ariana Vlora, - lindur në Tiranë, më 1961. Martuar me Valdet Shkurti. Jetojnë në Tiranë (Shqipëri).

= Qamil Vlora, - lindur në Tiranë, më 1964. Martuar me Ornela Pema, vajzë e Hasan Pemës. Larguar nga Shqipëria më 1990. Jetojnë në Barzanb(LC), Itali. Kanë dy djem:

...Igli Vlora, lindur në Leço (Itali), më 22.11.1992.

...Braian Vlora, lindur në Leço (Itali), më 8.04.1994.

=Elvinda Vlora, - lindur në Tiranë, më 1965. Martuar me Henrik Krasenski. Larguar nga Shqipëria më 1998. Jetojnë në Modena (Itali).

=Darling Vlora, - Një djalë: Iv (Ismail Vlora), lindur në Tiranë më 14.09.1997.

b-Xhevdet Vlora, (1922-1993) Ka dy fëmijë: 

= Ada Vlora, lindur në Tiranë, më 1965. Jeton në Bologna (Itali).

= Qemal Vlora, lindur në Tiranë, më 1966. Jeton në Tiranë. (Shekulli)

Kthehu mbrapa

Shto koment